Disa ditë pasi avokati i Kadri Veselit iu drejtua Gjykatës Supreme në Dhomat e Specializuara të Hagës, rreth lirimit nga paraburgimi, është Prokuroria e Specializuar që ka parashtruar kërkesë që ish-kryetarit të Kuvendit, t’i vazhdohet kjo masë.
Në një parashtrim të dorëzuar tek gjyqtari i procedurës paraprake, prokurori Jack Smith insiston që Kadri Veseli nuk duhet të lirohet nga paraburgimi, pasi që ka rrezik të ndikojë në dëshmitarë dhe prova.
Në këtë parashtrim të cilin e ka parë gazeta Nacionale, Prokuroria e Hagës thotë se ndikimi i Veselit në Kosovë, mbetet ende i madh.
“Zbulimi i provave dhe mundësia e dënimit të rëndë, në rast të një dënimi, mund të parashikojë nxitjen e Veselit që të sigurojë mjete për të shmangur procedurat e Dhomave të Specializuara. Se Veseli do të kishte mjete për ta bërë këtë e ka dëshmuar edhe gjyqtari i procedurës paraprake dhe kjo është konfirmuar edhe nga Kolegji i Apelit”, thuhet qysh në fillim të parashtrimit.
Zyra e Prokurorit të Specializuar të Hagës përmend edhe pretendimet për kërcënimin e dëshmitarëve në të kaluarën, në Tribunalin Penal për ish-Jugosllavi.
“Ka shumë tregues të aftësisë së Veselit për të penguar drejtësinë. Anëtarët e SHIK-ut ishin të përfshirë në vëzhgimin, kërcënimin dhe dhënien e ryshfeteve të dëshmitarëve që dëshmonin kundër ish-anëtarëve të UÇK-së në TPNJ. Veseli gjithashtu ka një aftësi të dëshmuar për t’u dhënë udhëzime atyre që ishin të përfshirë në ndërhyrje të mundshme kundër dëshmitarëve të Prokurorisë. Rreziku pengimi mbetet i lartë, pasi Veseli ka siguruar akses në materialet dëshmuese inkriminuese, si dhe identitetin e dëshmitarëve me masa mbrojtëse në gjykatë”, bëhet e ditur më tutje në parashtrim.
Në pretendimet e Prokurorisë për mbajtjen në paraburgim, përmendet edhe publikimi i dosjeve nga Hysni Gucati e Nasim Haradinaj. Sipas ZPS-së, kjo ka treguar se në Kosovë ka ende klimë të frikësimit të dëshmitarëve.
“Në mënyrë domethënëse, kjo përfshinte shpërndarjen publike të dokumenteve konfidenciale në lidhje me hetimin kundër Kadri Veselit dhe të dyshuarve të tjerë, të cilët tani janë akuzuar në këtë procedurë, që nënvizon se kërcënimi serioz i frikësimit të dëshmitarëve në Kosovë mbetet aktual”, pretendon prokurori Jack Smith.
Sipas Prokurorisë, Veseli ka ende ndikim në Kosovë për shkak të pozitave të rëndësishme që ka pasur, dhe ka mundësi që të ndikojë në procedura.
Zyra e Prokurorit të Specializuar madje, ka dalur sërish kundër garancive të ofruara nga Policia e Kosovës, duke thënë se nuk janë të mjaftueshme.
“Lirimi me kusht në Kosovë, i monitoruar nga Policia e Kosovës, nuk do të adresonte mundësinë që Veseli të mund të përdorte mesazhe të koduara, t’i kërkonte një anëtari të familjes ose vizitorit të aprovuar të transmetojë mesazhe, ose të përdorë një pajisje që i përket një personi të tretë me qëllim të pengimit të procedurave”, thuhet fillimisht.
“Ky rrezik është veçanërisht i theksuar duke pasur parasysh përvojën e Veselit në Intelegjencë. Ndryshe, siç konfirmohet nga Kolegji i Apelit, Qendrat e Paraburgimit të KS ‘ofrojnë një mjedis të kontrolluar ku një shkelje e mundshme e konfidencialitetit mund të identifikohet më lehtë dhe/ ose parandalohen”, thuhet në parashtrim.
Avokati i Veselit i drejtohet Supremes
Të mjerueshëm dhe alarmant e ka vlerësuar avokati i Kadri Veselit faktin që ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, po mbahet në paraburgim edhe gati 2 vjet pas arrestimit, përderisa procedura gjyqësore në anën tjetër nuk ka nisur.
Në një ankesë të Ben Emmerson për mbrojtje të ligjshmërisë drejtuar në Gjykatën Supreme të Dhomave të Specializuara, thuhet se me këto vendime, janë shkelur të drejtat e njeriut.
“Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë ndaluar 100% të të gjithë të akuzuarve në paraburgim. Për një institucion që supozohet se i përmbahet standardeve më të larta të të drejtave të njeriut, kjo praktikë nuk është thjesht e mjerueshme. Është alarmanete. Paraburgimi duhet të jetë përjashtim e jo rregull. Megjithatë, praktika e Gjykatës Speciale tregon krejt të kundërtën. Nëse vendimi lihet në fuqi, një praktikë e tillë do të arrijë një hap më tej, duke e bërë paraburgimin rregull absolut, pa përjashtim”, thuhet në ankesën e avokatit të Kadri Veselit në Supreme, raporton Nacionale.
6 pika të ankesës i ka renditur Emmerson në këtë parashtrim. Aty avokati i Veselit përmend edhe Nazim Bllacën, masën joproporcionale të mbajtjes në paraubrgim, rreziqet e ashtuquajtura që i ka evidentuar gjykata për ndërhyrje, e deri te gabimet në vlerësim të gjyqtarit të procedurës paraprake.