Aksioni i Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj që u zhvillua dje, u bë mollë sherri mes Ekzekutivit dhe Prokurorit të Shtetit. Përplasjet nisën pas reagimit të ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili lavdëroi Policinë.
I menjëhershëm ishte reagimi i Prokurorit të Shtetit që akuzoi Sveçlën se po i jep ngjyrim politik këtij aksioni. Sveçlës në krah i doli kolegia ministre e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, shkruan Gazeta Sinjali.
Por çfarë tha Sveçla që nxiti debatin se kush është meritor për këtë aksion?
Sveçla tha se aksioni pati cak shkelësit e ligjit dhe jo ndonjë person të përveçëm.
“Ky aksion, si çdo aksion tjetër i Policisë së Kosovës, ka pasur cak shkelësit e ligjit që në mënyrë të vazhdueshme, përmes formave të ndryshme kanë shkatërruar pasurinë publike për përfitime personale apo klanore”, ka thënë ai.
Sveçla shtoi se ministria që udhëheq mbetet me përkushtim për të ofruar siguri, rend dhe ligj për gjithë qytetarët. “Shkelësit e ligjit do të luftohen pa asnjë dallim, pa asnjë përjashtim, në gjithë Republikën e Kosovës”, tha në fund ai.
Nuk shkoi shumë, kur Prokurori i Shtetit doli me një komunikatë për media, ku lëshoi akuza në drejtim të Sveçlës dhe i kërkoi që çdokush të shohë punët e veta.
“Prokurori i Shtetit reagon ndaj deklaratës së Ministrit të Punëve të Brendshme, i cili ashtu si edhe aksioneve të tjera të prokurorisë edhe rastin e ditës së sotme të zhvilluar me urdhër të Prokurorisë Themelore në Ferizaj në komunën e Shtërpcës dhe më gjerë, mundohet që t’iu jap karakter politik. Hetimi dhe ndjekja e rasteve penale nuk është punë e Ministrisë së Punëve të Brendshme e as e sektorëve tjerë qeveritar, por është kompetencë ekskluzive e Prokurorit të Shtetit”, thuhet në reagimin e Porokurorisë së Shtetit.
Po ashtu, në reagim thuhet se aksioni i ditës së djeshme ka qenë punë e Prokurorisë, prandaj secili duhet të sillet konform përgjegjësive ligjore dhe kushtetuese.
“Hetimet dhe rastet penale nuk kanë konotacion politik dhe nuk duhet të komentohen nga organet politike. Në këtë kontekst, secili institucion duhet të sillet konform përgjegjësive ligjore dhe kushtetuese, pa u përzier në punët dhe kompetencat respektive. Aksioni i ditës së sotme është punë dhe angazhim disavjeçar i Prokurorisë i mbështetur nga organet tjera ligjzbatuese, për më tepër është në vazhdën e përpjekjeve të Prokurorit të Shtetit për forcimin e sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre individëve që kryejnë vepra penale pavarësisht pozitës, funksionit apo etnisë që ata kanë”, thuhet në reagim.
Pas këtij reagimi të ashpër, ministrit të Qeverisë Kurti, i doli në mbrojtje ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Haxhiu pretendon se deklarata e Prokurorit të Shtetit është e ngjashme me atë të zyrtarëve të shtetit të Serbisë.
“E papranueshme komunikata nga zyra e Prokurorit të shtetit kundrejt Ministrit Xhelal Sveçla sidomos kur një i ngjashëm erdhi në mëngjes nga Beogradi! Zyra e Prokurorit të shtetit, nuk reagoi ndaj Vuçiqit e Petkoviçit të cilët tërë ditën thanë se arrestimet në Shtërpcë janë politike, por në mbrëmje Prokurori i shtetit reagoi ndaj një statusi të Ministrit Sveçla duke e akuzuar se po përzihet në punët e prokurorisë dhe po i jep ngjyrim politik zhvillimeve të sotme”, thotë ajo në një status në Facebook.