Prokuroria Themelore në Ferizaj ka nisur hetimet për vdekjen e 38 vjeçarit nga fshati Sojevë i Ferizajit.
I ndjeri, Avdyl Kqiku u gjet pa shenja jete në qytetin e Ferizajit, derisa ishte raportuar i zhdukur që nga dita e premte e javës së kaluar.
Në një prononcim për “Indeksonline”, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari ka treguar dyshimet e para të hetimeve lidhur me rastin në fjalë.
Ai thotë se tani do t’i identifikojnë edhe kamerat e vendit të ngjarjes. Sipas tij, më tutje me këtë veprim do t’a kenë më lehtë në procesin e hetimeve.
“… i kemi hetuesit rajonal në vendin e ngjarjes dhe janë duke shikuar edhe njëherë dhe tani do të identifikojmë edhe kamerat dhe të njëjtat do t’i marrim që të shohim se çka ka në këtë rast”, ka thënë Jashari për Indeksonline.
Më tutje, numri një i Ferizajit në drejtësi ka shtuar se deri tani hetimet tregojnë se 38 vjeçari është vrarë.
“Kështu që deri tani hetimet janë duke zhvilluar në dy drejtime, për momentin thuhet se është vrarë. Hetimet janë duke vazhduar intensivisht”, ka përfunduar Kryeprokurori Jashari.
Ndryshe, Policia e Kosovës sot përmes raportit 24 orësh të saj ka dhënë detaje lidhur me vdekjen e Avdyl Kqikut.
Sipas tyre, i ndjeri është gjetur pa shenja jete në afërsi të lumit dhe i njëjti kishte një plagë në fytyrë.
“Një viktimë mashkull shqiptar është gjetur pa shenja jete me një plagë në fytyrë në veturën e tij në afërsi të lumit. Viktima ishte raportuar nga familjarët si person i zhdukur”, thuhej në raport./Indeksonline/