Propaganda e Serbisë, si u mundua viktimat foshnje të Familjes Deliu t’i paraqes si kukulla
Nga «Krematori i Kleçkës» te «imazhet e kukullave»!
Bardhyl Mahmuti / Mashtrimi i Madh
Mbështetja e propagandës serbe në dezinformata, si armë për manipulimin e opinionit publik, nuk mundi të fshihte realitetin tragjik të luftës në Kosovë. Për të pasur një pasqyrë vizuale të asaj se çka ndodhte në Kosovë në këtë kohë lexuesi mund të ndërpresë leximin dhe të shohë reportazhin2 televiziv në gjuhën angleze. Brenda 6 minutash do të krijojë një ide për tmerret që zgjatën me muaj të tërë në Kosovë. Nuk do ta lodh lexuesin me kronologjinë e tmerrit që përjetuan shqiptarët e Kosovës gjatë atyre muajve të luftës dhe nuk do t’i citoj të dhënat e detajuara që publikoi Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë. Do të kufizohem në sintezën tejet të shkurtër, që Joël Hubrecht i bëri kësaj periudhe. Në veprën e tij për Kosovën ai shkruan se “nga muaji shkurt e deri në shtator të vitit 1998 vlerësohen rreth 1000 civilë të vrarë, 800 të zhdukur dhe përafërsisht 380.000 të zhvendosur. Më 6 shtator, në Polluzhë të Rahovecit identifikohen 11 shqiptarë të vrarë (5 femra dhe 4 fëmijë). Më 26 dhe më 27 shtator, në dy ekzekutime: 32 viktima shqiptare. Në Gollubovc serbët ndanë nga një grup refugjatësh 14 burra dhe i ekzekutuan, ndërsa në malin afër fshatit Obri e Epërme/Gornje Obrinje, në një strehimore të improvizuar, 18 anëtarë të familjes Delija, të gjithë civilë, në mesin e të cilëve ishin 6 gra, 4 fëmijë dhe një foshnjë, u gjetën të ekzekutuar, secili me nga një plumb në kokë…”1
Vazhdon përshkrimi i tmerreve të shumta! Nga të gjitha krimet e kësaj periudhe, masakrimi i familjes Deliu nga Obria e Epërme pati jehonë shumë të madhe në mediat ndërkombëtare. Për të fshehur këtë krim të përbindshëm, propaganda zyrtare e Beogradit shpërndau gënjeshtrën se gjoja imazhet e masakrës në Obri të Epërme ishin “montazh”. Në mbështetje të kësaj ideje të regjimit të Beogradit doli edhe gazetari belg, Michel Collon-i.
Sipas tij “si lajm kryesor i gazetës së pavarur shqiptare «Koha Ditore», ishte një foto e paqartë e një bebeje të përgjakur, që u gjet e vrarë në një pyll. Gjysmën e fytyrës e kishte të mbuluar me një kapuç, por një gazetar serb analizoi nga afër këtë imazh dhe vërejti se bëhej fjalë për një… kukull! Çmistifikimi i kësaj gënjeshtre u transmetua edhe në televizionin shtetëror të Beogradit, por, jo edhe në mediat e shteteve perëndimore.
Unë e kam këtë video”2 – u përpoq të bindte lexuesin Michel Collon-iKy publicist shprehu pakënaqësinë e tij pse në mediat e shteteve perëndimore nuk u shpërnda versioni serb për “montazhin me kukulla” por flisnin për fëmijë të masakruar! Nuk do të merrem me atë se çka realisht përmban video-incizimi që posedonte ai, e as me “marionetat” e Milošević-it që kësaj tragjedie i japin karakter lodrash me kukulla!
Për informimin e lexuesve që nuk kanë pasur mundësi të njihen me këtë masakër do të citoj vetëm burimet serbe. Nuk do t’i përmend burimet shqiptare, jo për arsye se propaganda serbe dhe mbështetësit e tyre në shtetet e perëndimit i konsiderojnë si të njëanshme, por, për të vetmen arsye sepse pas kaq vitesh nga përfundimi i luftës, realiteti mund të ndriçohet vetëm duke u bazuar në organizatat joqeveritare të Serbisë dhe në qëndrimet publike të intelektualëve të ndryshëm serbë që nuk pajtoheshin me aplikimin e politikës së gjenocidit në Kosovë.
Dymbëdhjetë vjet pas kësaj akti të gjenocidit, organizata joqeveritare serbe «Fondi për të Drejtën Humanitare»1 , e udhëhequr nga humanistja Nataša Kandić, përmes një shkrimi të titulluar «Si i vrau Serbia gratë, fëmijët dhe pleqtë» 2 , përkujtoi krimin e forcave serbe në Obri të Epërme dhe ngriti zërin e protestës për faktin se ende askush nga kriminelët nuk u ballafaqua me drejtësinë. Me këtë shkrim, u aktualizuan strukturat e aparateve represive serbe të implikuara në këtë krim. Gjatë këtij aksioni kishin marrë pjesë “Detashmenti i Tretë i Forcave të Veçanta Policore, Çeta e Forcave të Veçanta Policore të Mitrovicës së Kosovës dhe Njësiti për Operacione Speciale i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, që vepruan në aksion të përbashkët me Batalionin e Parë të Brigadës 125 të motorizuar të Ushtrisë së Jugosllavisë.”1 “Më 26 shtator 1998, në Obri të Epërme, forcat serbe vranë 27 civilë.” – vazhdon shkrimi. Fotografia, që instrumentet propagandistike të regjimit të Milošević-it e paraqitën si imazh të një “kukulle”, është e Valmir Deliut, i lindur më 21 shtator 1996, që ende nuk i kishte mbushur 2 vjet, kur u vra së bashku me babanë e tij Ademin (1965) dhe nënën Mihanen (1973). Pos tyre, atë ditë “pjesëtarët e forcave serbe vranë edhe pleqtë Pajazitin2 dhe Aliun3 dhe plakat Hamide Deliun dhe Hava Elshanin; ata vranë gruan Lumnie Deliun; djalin e saj, Jetonin 11 vjeçar dhe vajzën katërvjeçare, Menduhien; vranë gruan tjetër Zahide Deliun dhe vajzën e saj të adoptuar, Donjetën shtatëvjeçare; vranë edhe Gentianën tetëvjeçare dhe Luljeta Deliun, që ishte shtatzënë në muajin e nëntë…”4 Përballë kësaj dhune të tmerrshme dhe të përsëritur për disa herë rresht në hapësirat e ish-Jugosllavisë, institucionet e ndryshme politike dhe joqeveritare në botë kërkonin ndërhyrjen energjike për të parandaluar përshkallëzimin e situatës. Në këtë kontekst, Këshilli i Sigurimit i OKB-së, me anë të Rezolutës 11995 , tërhoqi vëmendjen në mënyrë të veçantë lidhur me rrezikun e një katastrofe humanitare në Kosovë.
Dhuna e ushtruar nga forcat policore serbe dhe nga Ushtria Jugosllave pati për pasojë zhvendosjen e 230 mijë personave, që kishin qenë të detyruar t’i braktisnin shtëpitë e tyre. Për shkak të kësaj dhune, fluksi i refugjatëve në Shqipëri, në Bosnjë dhe në vendet e tjera evropiane ishte shumë i madh. Sipas Komisariatit të Lartë të Kombeve të Bashkuara, nga ata që ishin zhvendosur në brendësi të Kosovës, 50 mijë persona ishin pa çati mbi kokë dhe në mungesë të gjërave elementare. Fakti se dimri po afrohej shtonte brengosjen deri në përmasa alarmuese1 . Në rezolutën e 23 shtatorit 1998 anëtarët e Këshillit të Sigurimit shprehën shqetësimin e tyre të thellë për degradimin e situatës në Kosovë dhe alarmuan për rrezikun potencial të një katastrofe humanitare. Në të njëjtën kohë u kërkua nga të gjitha shtetet anëtare që të angazhohen maksimalisht për ta parandaluar këtë katastrofë. Krahas brengosjes dhe shqetësimeve të shprehura, Këshilli i Sigurimit dënoi ashpër dhunën e ushtruar dhe kërkoi që të ndërpritej çdo formë dhune në Kosovë, të respektohej armëpushimi dhe të fillonte dialogu i mirëfilltë ndërmjet autoriteteve të Republikës Federative të Jugosllavisë dhe udhëheqësve shqiptarë, për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore për problemin e Kosovës2 .
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara tërhoqi vërejtjen se nëse nuk ndërmerreshin masa konkrete në përputhje me këtë rezolutë dhe me rezolutën paraprake të datës 31 mars 19983 , atëherë do të pasonin veprime të tjera dhe do të propozoheshin masa shtesë për të ruajtur ose për të vendosur paqen në rajon. Duke pasur përvojën e hidhur nga e kaluara, Këshilli i Sigurimit i OKB-së kërkoi që Serbia të pranonte Misionin Verifikues të OSBE-së për të mbikqyrur respektimin e kushteve të vendosura me anë të kësaj rezolute. Fakti që as Rusia e as Kina nuk mundën ta pengonin Këshillin e Sigurimit të dilte me kërkesat e lartpërmendura dhe kërcënimi i Këshillit të NATO-s me sulme ajrore në rast tëmosrespektimit të këtyre kërkesave e detyruan Milošević-in që të nënshkruante marrëveshjen për armëpushim1 . Tri ditë më vonë, më 16 tetor, u nënshkrua marrëveshja me OSBE-në për vendosjen e 2000 pjesëtarëve civilë dhe të paarmatosur të shteteve anëtare të OSBE-së për Misionin e Verifikimit në Kosovë2 . Qeveria e Serbisë krijoi një Komision të veçantë qeveritar për bashkëpunim me këtë mision të OSBE-së dhe në krye të tij emëroi zëvendëskryeministrin e Qeverisë së Serbisë, Nikola Šainović-in, ndërsa për zëvendës të Šainović-it, që do të qëndronte në Prishtinë, u caktua gjenerali në pension i Armatës Jugosllave, Dušan Lončar. Përkundër asaj se ishte në pension, gjenerali Lončar u emërua në këtë funksion sepse njihej me William Walker-in, që nga Kroacia