Epilogu

Propaganda kundër Thaçit i ka rrënjët në Beograd, BIA ka shpërndarë 27 mijë materiale në formë CD

Shkruan: Bardhyl Mahmuti

Në të gjitha momentet vendimtare të historisë së re të Kosovës udhëheqësit e saj janë sulmuar në mënyrën më të ulët të mundshme. Janë përdorur të gjitha mjetet për të denigruar personalitetet, të cilët, në këto momentet, kishin pozita kyçe.

Kështu, gjatë periudhës së luftës çlirimtare në Kosovë dhe fill pas përfundimit të saj,  Shërbimi Sekret Serb përgatiti dhe të orkestroi një fushatë histerike kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Azem Sylës, Ramush Haradinajt, Fatmir Limajt, Rexhep Selimit, Elmi Reçicës, Adem Grabovcit dhe bartësve tjerë të UÇK-së.

Mbi 27 mijë faqe materiale të përgatitura në formë CD-shë dhe mbi 2000 faqe në formë libri të përgatitura nga Shërbimi Sekret Serb u shpërndanë zyrtarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme të Jugosllavisë dhe pas shpërbërjes së saj nga Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë.

Boshti kryesor rreth të cilit pështillej propaganda serbe kishte me për qëllim që udhëheqësit e luftës çlirimtare të Kosovës të paraqiten herë si terroristë dhe udhëheqës të një strukture terroriste (UÇK-së), e herë si kriminel dhe udhëheqës të një strukture kriminale. Shkurt,   në shkrimet e përpiluesve e Shërbimit Sekret Serb, liderët politikë dhe ushtarak të UÇK-së ishin në të njëjtën kohë terroristë dhe udhëheqës të klaneve kriminale. Sipas propagandës serbe ata “ ishin përgjegjës për vrasjen e civilëve të pafajshëm, për rrëmbimet e shumta, për burgosjet e paligjshme, për trafikimin e organeve njerëzore të civilëve serbë…ata merreshin me trafikimin e drogës, me emigracionin ilegal, me tregtinë me armë…”

Sa i përket kësaj propagande, ndërhyrja ushtarake e NATO-s kundër Serbisë ishte indikatori më i fuqishëm për dështimin e shpifjeve të sajuara nga Shërbimi Sekret serb kundër udhëheqësve të UÇK-së.

Por, intervenimi i NATO-s për të ndërprerë politikën e gjenocidit në Kosovë mobilizoi filo­zo­fë, publicistë, politologë, sociologë, historianë e politi­kanë të orientimeve politike të majta e të djathta, që kishin emërues të përbashkët «antiamerikanizmin», të mobilizohen në “mbrojtje të Evropës nga imperializmi amerikan.” «Antiamerikanizmi», si këndvështrim i tyre ideologjik, bëri që përkundër divergjencave që kishin në fusha dhe tema të caktuara, të dalin me qëndrim të përbashkët se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Azem Syla, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, Rexhep Selimi, Elmi Reçica, Adem Grabovci dhe bartësit tjerë të UÇK-së “ janë spiuj të amerikanëve” që mundësuan ndërhyrjen e amerikanëve në “territorin e Evropës” duke krijuar kushtet për “ndërtimin në Kosovë të bazës më të madhe ushtarake amerikan në Evropë.”

Akuzat kundër udhëheqësve të UÇK-së për “terrorizëm”, “krim të organizuar” dhe si “spiun të amerikanë” shkuan duke u intensifikuar pas përfundimit të luftës. Gjatë procesit të përcaktimit të statusit politik të Kosovës akuzat e tilla arritën një shpërndarje shumë të madhe dhe arriti KULMIN pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Kulmi i kësaj fushate filloi me Carla Del Ponten. Një muaj e gjysmë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës ish- Prokurorja e Përgjithshme e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, Carla del Ponte botoi librin e saj «PërndjekjaUnë dhe kriminelët e luftës». Në këtë libër, sa i përket udhëheqësve të lartpërmendur të UÇK-së, Carla Del Ponte  i përvetëson fjalë për fjalë akuzat e ngritura në «Librin e Bardhë» të Shërbimit Sekret Serb.
Nga publikimi i këtij libri pasoi i ashtuquajturi “Raporti i Dick Marty-t”, që paraqet një sintezë të shpifjeve dhe sajimeve të Shërbimit Sekret Serb,  “Sintezë shpifjesh” që u shndërrua në Raport të Këshillit të Evropës, për të vazhduar me Task Forcën Hetimore Speciale dhe votimin nga deputetët e Kuvendit të Kosovës për krijimin e Gjykatës Speciale për krimet e supozuara të UÇK-së!

Vlen të përmendet se përkundër proceseve të montuara gjyqësore kundër Fatmir Limajt, Ramush Haradinajt, Sami Lushtakut, Sylejman Selimit, Rrustem Mustafës dhe kundër shumë luftëtarëve të lirisë shpifjet e lartpërmendura nuk çonin peshë te opinioni publik shqiptar. Përkundrazi. Të bindur për faktin se shpifjet dhe akuzat e tilla ishin sajuar nga Shërbimi Sekret Serb, proceset gjyqësore kundër luftëtarëve të lirisë kishin efekt revoltën e madhe të popullit të Kosovës. Kjo revoltë shprehet më së miri në pritjet madhështore që ju bënë të gjithë të liruarve nga akuzat e fabrikuara nga Shërbimi Sekret Serb.

Të gjitha problemet e lartpërmendura i kam trajtuar hollësisht në pjesën e dytë të librit tim (Mashtrimi i Madh f. 397-560). Të interesuarit për vërtetësinë e pohimeve që solla në këtë shkrim të shkurtër mund t’i konsultojnë referencat që sjell në libër.

Exit mobile version