Epilogu

Propaganda qeveritare, Kurti u kërkon ministrave të raportojnë “zi e terr” për qeverisjet e kaluara

Ministrat e Qeverisë janë urdhëruar nga shefi i tyre, Albin Kurti, që ta përpilojnë një raport me “top 4-5 të arriturat” dhe “4-5 të këqijat e qeverisjeve të kaluara”.

Nuk ka qenë e vështirë të kuptohet propaganda qeveritare, por dokumentet zyrtare dhe shkresat e brendshme rreth formësimit të saj kanë arritur t’i mbajnë larg qytetarëve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas mbledhjes së djeshme të Qeverisë, i ka urdhëruar të gjitha ministritë edhe përmes Sekretariatit Koordinues të Qeverisë (SKQ), që t’i raportojnë “top 4-5 të arriturat” për periudhën e mbetur të vitit, por edhe “4-5 të këqijat e qeverisjeve të kaluara”.

Sipas e-mailit të SKQ-së që ka siguruar Demokracia.com, Kurti përmes këtij sekretariati u ka kërkuar ministrave të tij që të raportojnë për 4-5 të këqijat e qeverisjeve të kaluara, që qeverisja e tij kinse ka arritur t’i ndalojë.

Po ashtu, SKQ-ja, me propozim të Kurtit, ka urdhëruar ministritë që t’i raportojnë top 4-5 të arriturat për periudhën e mbetur të vitit, por siç thuhet në e-mail, këto të arritura “mundësisht të jenë me sa më shumë shifra”.

“Ju shkruajmë lidhur me kërkesën e sotme të Kryeministrit për raportin 2-faqësh për secilën ministri, për periudhën e deritanishme të Qeverisjes Kurti II, raporti duhet të përmbaj:
(a) 4-5 të arriturat kryesore pozitive (me sa më shumë shifra mundësisht),

(b) 4-5 të këqijat e qeverisjeve të kaluara që i keni ndalë,

(c) 4-5 sfidat/vështirësitë kryesore me të cilat po ballafaqohen, si dhe

(d) 4-5 objektivat për periudhën vijuese”, thuhet në e-mailin e dërguar nga Sekretariati Koordinues i Qeverisë, që e ka siguruar Demokracia.com.

Të gjithë ministrat, të “arriturat” e tyre pozitive, me sa më shumë shifra, duhet t’i përpilojnë në dy faqe dhe këtë raport duhet t’ia dërgojnë SKQ-së jo më larg se në mesditën e 19 shtatorit të këtij viti. /Demokracia.com/

Exit mobile version