Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk e ka përjashtuar se në Kosovë, por edhe në gjithë Evropën ka një lloj frike për kthimin e Donald Trumpit në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA).
Derisa ka folur në margjinat e sesionit të Institutit ODI për çështjet globale në Londër, Kurti ka thënë se “me kthimin e presidentit Trump ka njëfarë stresi dhe ankth në të gjithë kontinentin, e as Kosova nuk është ndryshe”.
Sipas Kurtit, rikthimi i mundshëm i Trumpit në pushtet i streson liderët evropianë për shkak të prirjes së ish-presidentit amerikan për ndryshime të egra dhe të papritura të politikave.
“Nuk është se mund të ndodhë diçka e keqe, por ekziston frika për diçka të panjohur. Çfarë do të bëjnë ata (v.j. SHBA-ja) dhe si do ta mendojnë, si një urgjencë e caktuar mund ta rrëmbejë të gjithë agjendën – kjo është ajo për të cilën shqetësohen më shumë njerëzit”, ka thënë ai në një intervistë për “Semafor”.
Në realitet, gjatë mandatit të ish-presidentit Donald Trump, Kosova e formoi Ushtrinë e saj dhe erdhi njohja e fundit e që është njohja e Kosovës nga shteti i Izraelit. Kurti acaroi raportet me Trump-in për efekt momental elektoral duke mos i marrë parasysh pasojat në një periudhë afatgjate.