Epilogu

Publikimi i shefit të BIA-s: Krahasimi i Thaçit e Veselit me tragjedinë e gjeneralit kroat

Bojan Dimiq e kishte shpërndarë për miqtë e tij në rrjetin social Facebook një fotografi të Hashim Thaçit dhe Veselit përkrah imazhit të gjeneralit kroat Sllobodan Prljak duke pirë helm në Hagë.

Dimiq, shef i BIA-s serbe për Kosovë, është protagonist i një audio-incizimi të publikuar të hënën nga Paparaci. Aty dëgjohet duke folur me një shqiptar të Kosovës për shkuarjen në Hagë të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.

Sipas shefit të BIA-s për Kosovën, Thaçi do të bëjë vetëvrasje sikurse gjenerali kroat i cili kishte pirë helmin pas shpalljes së dënimit nga Gjykata e Hagës për ish-Jugosllavi, Slobodan Praljak.

“A e di kur një kroat është vetëvrarë, kur e piu atë helmin”… Po si quhej ai… edhe aty e kanë bërë atë foto, afër tij në anën e tij të majtë Hashim Thaçi në të djathtë Kadri Veseli”, thotë Dimiq.

“Edhe ata po përgatiten për helm, e kupton… unë për tallje e kam qitë atë foto në Facebook me komentin: Le të përgatiten Kadriu dhe Hashimi, kupton”, vazhdon Dimiq.

Këtë fotografi të cilën ai e kishte publikuar në Facebook në janarin e vitit 2021 e ka siguruar Paparaci. Imazhi tregon Hashim Thaçin e Kadri Veselin të montuar në fotografi pranë Sllobodan Praljakut që pi helmin pas shpalljes së aktgjykimit dënues për krime lufte në Gjykatën e Hagës për ish-Jugosllavi.

Dimiq, në audio-inicizim,  tregon se kanë dërguar materiale të shumta në Hagë, me të cilat sipas tij janë vërtetuar nëpërmjet atyre materialeve.

“Po kemi dhënë, mjaft gjëra kemi dhënë, shumë kemi vërtetuar nëpërmes të materialit të fundit që kemi dërguar”, shton ai.

Ata, flasin edhe për Titon dhe vdekjen e tij. Kujtojnë kohën kur kanë qarë për vdekjen e udhëheqësit jugosllav, për të vazhduar bisedën me kode për Thaçin dhe Veselin, duke thënë se kanë shkuar “në të zezë” për të mos u kthyer më.

“Atje akomodimi nuk është i keq”, thotë Dimiq.

“Batanijen ia kam blerë unë, a e ke dëgjuar ti këtë, edhe batanijen edhe gjithçka, do të kënaqet atje”, ndërhyn personi X.

Dimiq është njëri nga udhëheqësit e lartë të shërbimit sekret serb BIA.

Ai ka jetuar në Prishtinë një kohë të gjatë, kurse pas vitit 1999, ka shkuar në Beograd ku ka vazhduar karrierën si një serb i privilegjuar i regjimit të Slobodan Milosheviqit.

Media serbe “Ricochet Special”, në vitin 2019, ka shkruar se Bojan Dimiq, është operativi i parë i Aleksandar Vuçiqit. Aty thuhet se Dimiq është pjesë e strukturës drejtuese edhe të klubit të futbollit “Crvena Zvezda”, vend që ka shërbyer si strehë e shumë kriminelëve serbë, si Arkani dhe të tjerë.

Dimiq Ka filluar karrierën në Shërbimin e Sigurimit Shtetëror serb (SDB, paraardhëse e BIA-s) për Kosovë në vitin 1998, si shifrues. Atë e ka punësuar në shërbimin sekret serb daja i tij, i cili edhe vet punonte aty, Mishko Lakoviq”, ka shkruar “Ricochet Special”.

Ai është i njohur si “shef de facto” i shumë liderëve të Listës Serbe në Kosovë. Sipas rrjeteve sociale të tyre, udhëheqës të Listës Serbe pëlqejnë fotografitë e Dimiqit në rrjete sociale.

Bojan Dimiq, jeton në një shtëpi luksoze në Beograd, të cilën e kishte blerë babai i tij, Vlladimir Dimiq, i cili ka qenë drejtor i dhunshëm në Prishtinë i kompanisë publike banesore.

Exit mobile version