Epilogu

Pushteti i ri e largon nga Dubrava të afërmin e ministres Haxhiu, të dënuar për vrasje

Shërbimi Korrektues i Kosovës e ka transferuar jashtë rregullave nga burgu i Dubravës në atë të Smrekonicës, të afërmin e bashkëshortit të Albulena Haxhiut. Ky vendim është nënshkruar një muaj më parë.

Emin Krasniqi është djali i axhës së Alban Krasniqit, bashkëshortit të Albulena Haxhiut, ministres së Drejtësisë.

Kjo e fundit e ka nën menaxhim Shërbimin Korrektues të Kosovës, institucion ky i cili ka marrë vendim për transferimin e Krasniqit nga burgu i Dubravës që gjendet në Istog, në burgun e Smrekonicës që është në Vushtrri.

Vendimi për transferimin e tij i cili është nënshkruar më 21 mars të këtij viti, është marrë mbi disa arsye.

Për inkurajimin e kontakteve ndërmjet personit të dënuar dhe familjes së tij dhe rrethit shoqëror, me qëllim të lehtësimit të riintegrimit të tij përfundimtar në shoqëri”, thuhet në njërën nga pikat e vendimit, të cilin e ka siguruar Gazeta Insajderi.

Por, nga burgu i Dubravës në atë të Smrekonicës, nuk mund të transferohen personat që kanë mbi dy vite burgim, dhe që janë të dënuar për vrasje – siç është rasti i Emin Krasniqit, i cili ishte dënuar për vrasje të rëndë, dhe tash i kanë mbetur edhe gjashtë vjet burgim deri në kryerjen e dënimit.

Megjithatë, sipas Shërbimit Korrektues të Kosovës, djali i axhës së bashkëshortit të ministres Haxhiu i ka plotësuar kriteret për t’u transferuar

“Transferi është realizuar pas kërkesës së të dënuarit, rekomandimit të Qendrës Korrektuese të Dubravës dhe verifikimit nga institucionet e sigurisë. Sipas dosjes së pranuar, i njëjti i ka plotësuar kriteret për t`u transferuar”, thuhet në përgjigjen e Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Gazeta Insajderi e ka pyetur ministren e Drejtësisë se a ka ndikuar afërsia familjare mes tyre dhe Emin Krasniqit, që i njëjti të transferohet jashtë rregullave në Smrekonicë, burg ky në të cilin dënimin e vuajnë personat me vepra të lehta penale, por e njëjta ka refuzuar të përgjigjet.

“Ju lutem të drejtoheni tek drejtori i SHKK si autoritet kompetent për këtë çështje”, ka thënë Haxhiu, duke mos dhënë përgjigje në pyetjen nëse relacionet e afërta familjare kanë ndikuar që i dënuari Krasniqi të favorizohet nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.  

Kush është Emin Krasniqi, dhe për çfarë ishte dënuar

Emini, djali i axhës së Albanit, bashkëshortit të ministres së Drejtësisë, së bashku me disa familjarë të tjerë në janarin e largët të vitit 2011, kishin shkuar në një restorant në Banjë të Malishevës.

Aty, pas disa mosmarrëveshjeve paraprake, duket për shkak të përkatësive të ndryshme politike – familja Krasniqi kishte shtënë me armë mbi anëtarët e familjes Limaj.

Për pasojë i vdekur kishte mbetur Skender Limaj.

Sipas prokurorisë, Krasniqi dhe të tjerët kishin kryer veprat penale “vrasje e rëndë”, “shkaktim i lëndimeve të rënda trupore” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Bazuar në këto vepra penale, në qershorin e vitit 2011, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë ndaj Emin Krasniqit dhe të tjerëve.

Më 21 mars 2012 kishte nisur gjykimi i të pandehurve në Gjykatën e Qarkut në Prizren ndërsa me 23 gusht 2013 një panel i përzier prej dy gjyqtarëve të EULEX-it dhe një vendor, i kishte shpallur fajtor të akuzuarit me një dënim në total prej 35 vitesh, vetëm Emini ishte dënuar më 23 vjet burgim, shkruan Gazeta Insajderi.

Mirëpo, më 24 tetor 2013, Gjykata e Apelit e kishte prishur këtë aktgjykim dhe e kishte kthyer në rivendosje.

Pas disa muajsh, më 6 shkurt 2014 kishte filluar rigjykimi me panel përsëri të përbërë prej dy gjyqtarëve të EULEX-it dhe një gjyqtari vendor.

Rigjykimi ndaj djalit të axhës së bashkëshortit të ministres Haxhiu kishte zgjatur hiç më pak se gjashtë vjet.

Vendimi përfundimtar ndaj Emin Krasniqit ishte marrë në tetor të vitit 2020, ku ishte dënuar më 17 vjet burgim, ndërsa në dënim i përfshihej edhe koha që kishte qëndruar në paraburgim nga janari i vitit 2011. Të njëjtit tash i kanë mbetur edhe gjashtë vjet burgim deri në kryerjen e dënimit.

/GazetaSinjali/

Exit mobile version