Epilogu

Pushteti ‘në luftë’ me hetuesit e aferave korruptive, 5 propozohen për largim, 4 dhanë dorëheqje shkaku i presionit

Gjithçka nisi me largimin e majorit Shemsi Haziri, udhëheqësit të Njësisë së Veçantë Hetimore brenda Policisë së Kosovës që trajton rastet e korrupsionit. Haziri po hetonte disa prej aferave më të njohura të korrupsionit ku ishin të përfshirë Martin Berishaj, Nagip Krasniqi, Ministria e Tregtisë, e zyrtarë të tjerë të lartë të pushtetit.

Megjithatë, largimi i Hazirit duket të ketë qenë vetëm nisja e një plani për ta bllokuar hetimin e rasteve ku janë të përfshirë akterët e pushtetit. Nacionale ka siguruar informacione nga burime tejet të afërta me këto zhvillime, të cilat dëshmojnë se hetuesit e tjerë që po i trajtojnë këto afera të korrupsionit, janë në prag të largimit përfundimtar nga kjo Njësi e Policisë së Kosovës.

Vetëm që nga largimi i Shemsi Hazirit, e emërimi i Besim Berishës, katër hetues kanë kërkuar largimin nga kjo njësi. Berisha është nga Podujeva, një fshat i afërt me vendlindjen e ministrit Xhelal Sveçla.

Sipas burimeve të Nacionales, kjo ka ndodhur për shkak të presioneve të mëdha me të cilat po ballafaqohen.

“Shefi i ri kërkon nga hetuesit shënime zyrtare për secilin takim me prokurorët e rasteve, kërkon statistika në detaje. Diskriminimi është edhe në dërgimin në trajnime. Forma më e rëndë e presionit është ajo e notimit vjetor të performancës. Pjesa më e madhe e hetuesve të cilët po trajtojnë aferat e korrupsionit të pushtetit janë notuar me nota të dobëta, disa prej tyre edhe me notën 2. Kjo për të përgatitur terrenin për largimin përfundimtar të tyre”, ka thënë një sinjalizues i afërt me të gjitha zhvillimet për gazetën Nacionale.

Këta hetues që po përballen me këto presione kanë qenë duke hetuar aferat më të njohura si ajo e Martin Berishajt, Hysen Durmishit, Nagip Krasniqit, e disa kontrata nga disa ministri.

Hetuesit e padëshiruar për pushtetin

Nacionale në vijim do të publikojë me iniciale (pavarësisht që i posedojmë edhe emrat) e të gjithë hetuesve të cilët janë në listën e largimit përfundimtar nga Njësia e Veçantë Hetimore. Gjiashtu do të bëhen publike edhe rastet që ata janë duke hetuar.

Të gjitha informacionet Nacionale i ka të evidentuara nëpërmjet disa provave/dokumenteve që kanë dalë nga brenda kësaj njësie, e ku janë shfaqur pakënaqësitë nga hetuesit të cilët janë në pritje të largimit.

Gazeta Nacionale ka mësuar se ekipa hetuese me numër 6 brenda njësisë e cila ka qenë duke trajtuar rastin e rezervave shtetërore, rastin e Faruk Mujkës si dhe një pjesë të rastit në KEK, është shuar totalisht. Hetuesit e saj janë dërguar nëpër ekipe të tjera, kurse udhëheqësi i njësisë, rreshteri I.G është në listën e largimit përfundimtar nga Njësia.

Hetuesi rreshter me inicialet E.I që ka qenë dhe është duke e hetuar ambasadorin Martin Berishaj, është propozuar në listën e largimit përfundimtar nga Njësia e Veçantë Hetimore e Policisë së Kosovës.

Hetuesja rreshtere me inicialet A.A që ka qenë dhe është duke hetuar një kontratë të Ministrisë së Jashtme dhe Diasporës, është në listën e propozuar të largimit përfundimtar nga Njësia.

Hetuesi rreshter me inicialet H.T ka qenë dhe është duke hetuar kontratën me të cilës iu dha në shfrytëzim një tokë kompanisë Kosmonte Foods. Edhe ky rreshter është propozuar në listën e largimit nga kjo njësi.

Shefi i ekipit, togeri me inicialet Z.K që është duke hetuar zv/ministrin Hysen Durmishi për rrugën Prishtinë-Podujevë, është në listën e propozuar për largim përfundimtar. Deri në largim, Nacionale ka mësuar se ai është emëruar rreshter, një gradë më të ulët.

Të gjithë këta zyrtarë, janë nga komunat si Drenasi, Skënderaj, Mitrovica e Vushtrria.

Nacionale nga burimet e veta ka mësuar se këta hetues tashmë nuk figurojnë në sistemin elektronik të Policisë së Kosovës, ku figurojnë emrat e këtyre zyrtarëve.

Gazeta ka mësuar se këta hetues do të vazhdojnë t’i hetojnë rastet aktuale. Megjithatë, me ndryshimin e hierarkisë, rastet e korrupsionit të ngjashme, do t’iu delegohen hetuesve të tjerë.

Shefat e rinj, kryesisht nga Llapi dhe të afërt me shefin

Gazeta Nacionale posedon informacione të tjera lidhur me zyrtarët e tjerë që janë pozicionuar nëpër pozitat udhëheqëse brenda njësisë. Gazeta ka siguruar me emra të gjithë hetuesit, megjithatë do t’i publikojë vetëm me iniciale.

Me largimin e Shemsi Hazirit, erdhi në udhëheqje të Njësisë majori Besim Berisha. Me ardhjen e tij, është ndryshuar komplet zinxhiri udhëheqës i kësaj njësie.

Kapiteni me inicialet B.S është emëruar në pozitën zv/shef i njësisë. Funksionari i ri në këtë pozitë vjen nga Podujeva.

Togeri A.A është emëruar shef i ekipeve, edhe ky me prejardhje nga Podujeva.

Rreshteri me inicialet F.K është emëruar shef i ekipit, gjithashtu nga komuna e Podujevës.

Rreshteri me inicialet A.R është emëruar shef i ekipit, edhe ky nga Podujeva.

Rreshteri V.Z është emëruar shef i ekipit. Nacionale ka mësuar se ky i fundit ka lidhje familjare me udhëheqësin Besim Berisha.

Togeri me inicialet R.O është emëruar shef i ekipit, i njëjti dyshohet se ka lidhje miqësore me majorin Besim Berisha.

Rreshteri M.K është përzgjedhur shef i ekipit. Ky i fundit ishte larguar nga njësia vite më parë, dhe duket se është parë e arsyeshme që ky të kthehet sërish.

Sqarimet e Policisë

Nacionale për të gjitha këto informacione ka pyetur në Ministrinë e Brendshme, Policinë e Kosovës gjithashtu edhe Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Ministria e Brendshme dhe Prokuroria Speciale e Kosovës nuk janë përgjigjur në këtë temë. Kurse, Policia e Kosovës ka dhënë disa sqarime. Ata kanë mohuar se janë larguar hetuesit, duke konfirmuar vetëm largimin e 4 zyrtarëve në baza vullnetare.

“Nuk ёshtё larguar asnjë zyrtar nga Njësia e Veçantë e Hetimeve, përveç atyre që janë transferuar në njësi tjera në Policinë e Kosovës me vet kërkesën e tyre. Prej kur ekziston Task Forca e tash me emërtimin NJVH, nuk ka pas asnjë proces tё hetimeve ndaj ndonjë zyrtari tё NJVH-sё që ka rezultuar me shqiptimin e masës disiplinore të degradimit”, thuhet në fillim të përgjigjes.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka emëruar eprorë të rinj, megjithatë, sipas tyre, janë bazuar në Strukturën e re Operative.

“Janë plotësuar pozitat tё cilat janë kërkuar sipas Strukturës së re Organizative të Policisë së Kosovës e cila ka hyrë në fuqi me datën 24.03.2023”, thuhet në përgjigje.

Policia e Kosovës ka mohuar të ketë pasur kërkesë zyrtare nga Prokuroria Speciale që hetuesit e caktuar nëpër rastet aktuale, të mos largohen. Ata kanë konfirmuar se rastet e reja të korrupsionit, tash përcaktohen hetuesit nëpërmjet Procedurës Standarde. Ata kanë mohuar se ka ndarje territoriale.

“NJVH vazhdon procedurën e njëjtë të caktimit të hetuesit/ekipit hetues në kërkesat e prokurorisë që nga aprovimi Procedurës Standarde tё Operimit – PSO me datë 09.06.2011. Në kuadër të NJVH-së vazhdojnë punën i njëjti personel dhe staf i graduar dhe përgjegjësit e marra me strukturë të re organizative nuk ka të bëjë me ndarje territoriale nga vijnë të njëjtit, janë nga komuna të ndryshme”, thuhet më tutje në përgjigje.

Sipas Policisë, me këto ndryshime po synohet vetëm produktiviteti.

Task-Forca u themelua në vitin 2010. Drejtues ishte Shemsi Haziri, ish-pjesëtar i UÇK-së.

Task-Forca ka trajtuar mbi 600 raste, profile të larta si p.sh: Besim Beqaj, Mimoza Kusari, Adem Grabovci, afera Pronto, inspektorët e ndërtimit, homologimi, Shukri Buja, Sokol Bashota etj.

Më 18 tetor 2020, qeveria Hoti e shuan Task-Forcën me arsyetimin se ishte kundër-kushtetuese. Vetëvendosja ftonte seancë të jashtëzakonshme në atë kohë, duke bërë kritika të ashpra.

Në korrik 2023, udhëheqësi i Njësisë, Shemsi Haziri u shkarkua. Ky po hetonte rastin e Martin Berishajt, Nagip Krasniqit dhe afera të tjera qeveritare. Në vendin e tij erdhi Besim Berisha, një person që ishte larguar nga Task Forca në vitin 2017. Nga Podujeva.

Exit mobile version