Epilogu

Pushteti s’i përballon arrestimet për vajin, grurin e sheqerin: Edhe sot i sulmojnë prokurorët

Lëivjza Vetëvendosje edhe sot që nga mëngjesi është marrë me sistemin e drejtësisë. Konkretisht me prokurorët. Krejt kjo pas arrestimit të dy zyrtarëve në MINT dhe Ridvan Muharremit, dostit të Kurtit. Dyshimet janë se dëmi me vajin, grurin e sheqerin ka shkuar në mbi 600 mijë euro.

Megjithatë, pushteti në asnjë moment nuk është distancuar nga hajnia. Madje, ata kanë shkuar aq larg sa kanë përmendur prokurorët me emra, çka ka shkaktuar reagimin nga Shoqata e Prokurorëve dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës.

I pari me kritika e nisi deputeti i VV-së, Armend Muja. Ai shkroi në rrjete sociale se dëmi që e ka prezantuar Prokuroria nuk është i saktë. Madje, ka thënë se malli edhe mund të vie këtyre ditëve. Kjo ka nxitur shumë reagime nëpër komente nga qytetarë të cilët i kanë kërkuar të distancohet nga hajnia.

“Është dëmtuar buxheti për 601,000 euro – ose po mungon një shpjegim shtesë ose Prokurori nuk e din matematikën elementare. Do të duhej të ishte 301,384 euro jo 601,000 euro. Në dosje thuhet se 276,000 euro vaj/sheqer ende nuk ka ardhur dhe mungojnë 52.5 tonë ( 25,383 mijë euro)”, ka shkruar deputeti Muja.

Muja e bëri një zbulim epokal. Tregoi se kush i ka realizuar incizimet.

“Nuk kemi çështje me procedurën, as me çmimet e negociuara. As ky vet-inçizimi nuk është relevant – për mallëra sekrete shtetërore paguhet avans 100%. Dosja e Prokurorisë nuk specifikon afatet kohore se kur do të duhej të arrinte malli. Nuk specifikohet nëse kemi të bëjme me vonesë apo mungesë. Për vonesa aplikohen penalet. Në rast se firma nuk ka sjellur mallin sipas kontratës inicohet procedura e rikthimit të mjeteve – gjë që MINT e ka bërë. Është heret të konkludohet se është dëmtuar buxheti”, tha ai.

E më pas, mori rolin e juristit me përvojë duke e kritikuar dosjen e Prokurorisë.

“Dosja e prokurorit është e shkoqitur nga konteksti dhe ka gabime elementare. Me gjasë zyrtarët janë arrestuar pa u dëgjuar fare. Çka nëse vjen malli nesër, pas një jave apo muaji? Motivi për tê stërrpikur apo ‘luftuar puritanizmin e VV’ nuk është vetëm i opozitës. A dëgjohen eksponentët e PLAN që kanë shitur tokat bujqësore (2 euro ari), kanë vjedhur subvencionet e grurit dhe kanë shterrur rezervat duke mbajtë ders?”, thuhet në postimin e Armend Mujës.

Analizat juridike i vazhduan edhe zyrtarë tjerë të pushtetit. Por, kësaj radhe nga dikasteri i drejtësisë. Zv/ministri Blerim Sallahu i njohur për teorinë e vajit në tepsi, shkroi në facebook se veprimet e tilla janë hakmarrje ndaj pushtetit. Deklaroi, çuditërisht, se ky rast është civil, e jo penal.

“Per fund, vet Prokuroria Speciale ka mbyllur rastin e Vicianumit ( prone e sherbimit korrektues ku i eshte dhene ne shfrytezim per afat 10 vjeçar nje personi fizik, pastaj eshte regjistruar si person juridik) ku eshte lidhur kontrate bash pa asnje baze ligjore, ku jane rrenuar objetet shteterore, duke theksuar ne aktvendim per hudhjen e kallzimit penal se ka shkelje procedurale dhe civile, por jo penale. Edhe njehere, e njejta “prokurori speciale” e ka bere kete veprim. Prandaj, eshte keqperdorim i mekanizmave ligjor per hakmarrje, e asgje me shume!”, ka shrkuar Sallahu.

Ndaj tij ka reaguar gazetari i BIRN, Kreshnik Gashi, i cili shkroi se nëse ky rast është vepër civile, atëherë edhe kontrata e Devollit me Telekom është civile.

Reagoi edhe zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka. Ai përmendi tri pika të njëfarë sikleti, por që nuk tregoi sikletin e vet.

“Sikleti në 3 pika: 🔹Vettingu; 🔸 Byroja e Konfiskimit të Pasurisë; ▪Ligji i ri për Këshillin Prokurorial. Jo rastësisht nomenklatura e moçme i ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese këto”, ka shkruar Manxhuka.

Ndryshe, lidhur me këto sulme e linçime ndaj prokurorëve ka reaguar dje Shoqata e Prokurorëve dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës. Ata i kanë kërkuar pushtetit të mos shpif, dhe mos cenojë hetimet e rasteve të ndryshme.

Exit mobile version