Gazeta Tema / intervista e dikurshme, tani me të ndjerin Qerim Kelmendi.
Çfarë mendonin ish udhëheqësit e UÇK-së Adem Jashari dhe Zahir Pajaziti për Berishën? Si e shikonin ata Berishën?
Përshtypjet dhe pikëpamjet e Adem Jasharit e Zahir Pajazitit por edhe gjithë bartësve të organizmit të celulave të para të UÇK-së në lidhje me Sali Berishën kanë qenë të qarta.
Vazhdimisht ia kemi bërë me dije kujtdo që ka lidhje me UÇK-në se në Shqiperi, ku drejtonte Sali Berisha, të bëjmë kujdes të madh sepse nga shteti i Sali Berishës dhe nga zyra e Kosovës që ishte instaluar aty duhet të bënim kujdes njësoj sikur të ishim në Kosovë dhe vazhdimisht kemi marrë masa mbrojtëse, nga survijimet dhe përndjekjet e mundshme.
Edhe Adrian Krasniqi, në muajin shkurt 1997 është prangosur dhe i është marrë armatimi personal që dispononte nga larot e Berishës. Në muajin tetor 1997 Adriani është vrarë. Por ky arrestim mund të ketë qenë edhe i rastësishëm ndaj nuk dua të spekuloj me këtë rast. Me keqardhje e them se sheti i Sali Berishës, qeveria Bukoshi, Zyra e Kosovës, kishin ndërlidhje me nëntokën e zezë të UDB-së. E them me bindje dhe mendoj edhe sot e kësaj dite kështu.
Për lidhje të tilla të kësaj natyre ka materiale edhe shteti shqiptar dhe kur arkivat të hapen do vërtetohet kjo që po ju them unë.
Në ç’rrethana u vra miku juaj Ilir Konushevci në vitin 1998? Si i kishit ju të dhënat për vrasjen e tij?
Ilir Konushevci është vrarë nga banda e Demir Demirit që ishte mik i Azem i Hajdarit dhe për detajet e kësaj vrasje ekzistojnë shënime të evidentuara në zyrat e shtetit, në prokurori dhe në policinë e atëhershme të Shqipërisë.
Konushevci ishte një mik edhe i familjes Haklaj në Shqipëri apo jo?
Ilir Konushevci e ka njohur shkurtimisht Fatmir Haklajn dhe nuk kanë patur ndonjë lidhje të veçantë. Fatmir Haklaj, që në vitin 1997 endej gjysmë-ilegal ne Bajram Curri dhe Tropojë. Ka ardhur tek ne dhe na është vënë në dispozicion, që të ndihmonte nga pengesat që na ishin krijuar pas konsolidimit të bazës që e kishim në Bajram Curri tek vëllezërit Krasniqi, të cilët i përmenda më herët.
Një tjetër bazë ne e kishim tek familja e Sylejman Berishës, që ishte një i afërm i Sali Berishës, por shkaku pse jemi lidhur me të ishte miqësia që familja Krasniqi ka patur me familjen e Bacës Sylejman Berisha, meqë vajza e Sylejman Berishës, Zyraja, ishte e martuar me Lul Krasniqin, një i afërm i Adrian Krasniqit.
Pra siç ju thashë Fatmir Haklaj ka shprehur dëshirën me na dal në ndihmë, neve si UÇK, por unë personalisht gjatë një takimi i kam thënë tekstualisht: “Fatmir, ti sot je në gjak me një pjesë të kësaj treve dhe ndihma jote karshi nesh nuk shihet mirë nga kundërshtarët e shumtë që ti ke, ndaj më e udhës është që me ne të rrish indiferent, sepse neve nuk na leverdis të jemi në sy të keq nga një pjesë e Malësisë së Madhe”. Fatmiri e ka mirëpritur këtë këshillë timen. Madje atë natë ai ka ardhur vonë në takim dhe mbante kapuç, dhe ja vura në dukje këtë fakt duke i thënë : “a po shef se edhe tek ne po vjen gjysëm i fshehur, ilegal”.
Në disa raste Fatmir Haklaj na ka ndihmuar sepse ka qenë një periudhë kur Fatos Nano kishte urdhëruar që bazat tona të mbyllen medeomos për shkak të presionit që i bënin ndërkombëtarët e sidomos anglezet dhe italianët. Sepse deri atëherë edhe ndërkombtarët që më vonë u rreshtuan me ne, ishin kundër nesh dhe akoma po përkrahnin Serbinë dhe politikën e Rugovës dhe ishin katërcipërisht kundër UÇK-së.
Në ç’mënyrë i mbanit lidhjet me krerët e shtetit shqiptar në vitin 1998?
Gjatë kohës që kam drejtuar ose më mirë të them bashkëdrejtuar furnizimin me armatim, kam mbajtur lidhje me oficerët e SHIK-ut, veçanërisht me Fatos Klosin,Vangjush Thimjon, Artan Meçkën, më pas edhe me disa të tjerë. Natyrisht lidhje me shtetin shqiptar mbante edhe Kryesia e LPK-së që luante edhe rolin e Shtabit të Përgjithshëm të LPK-së, e në veçanti lidhje më të konsoliduara mbante sektori i posaçëm i LPK-së që ishte ngarkuar me këtë detyrë. Unë dhe Ilir Konushevci jemi lidhur me Fatos Klosin nëpërmjet vëllait tim Ibrahim Kelmendi.
Me shtetin shqiptar që në atë kohë po drejtohej nga PS-ja, e veçanërisht me shërbimin sekret që ishte autorizuar nga Presidenti Mejdani që të mbështeste UÇK-në, kemi gjetur mirëkuptim, ndonëse ndërkombëtarët që operonin në Tiranë na kanë marrë shpesh armatim në Portin e Durrësit. Por jo vetëm ata, por edhe disa policë shqiptarë që për motive të dobëta apo dhe nga deliri i madhështisë, shpesh na kanë dëmtuar duke na konfiskuar armë të shumta. Fatet e një Kombi thuhet se dalin nga dyert e tragjedisë së tij dhe tragjedia e ngjarjeve të marsit 1997, thyrja e depove, ishte fati më i madh që krijoi rrethanat për t’u organizuar UÇK-ja dhe për të fituar Kosova. Thyerja e depove dhe rënia e familjes Jasharaj janë dy tërmete të dhimbshme që ia kthyen faqen dhe fatin e mirë historisë së Kosovës. Jo më kot thuhet, fat në fatkeqësi.
A ka patur një luftë mes dy linjave të tregtimit të armëve drejt Kosovës në vitin 1998. Një linjë ku ishte influent Azem Hajdari e Bujar Bukoshi dhe një tjetër linjë që drejtohej nga familja Haklaj dhe shteti shqiptar?
Berisha nuk e ka mbështetur Bukoshin por kanë bashkërenduar veprimet në të gjitha periudhat, dhe se a do jenë bashkë apo nuk do jenë bashkë nuk varej nga ata, sepse e kanë patur urdhër të jenë bashkë. Qeveria Bukoshi-LDK dhe partia e Sali Berishës, veçanërisht Sali Berisha dhe LDK-ja kur e panë që UÇK-ja po forcohet në terren dhe as FARK-u që ishte krijuar si kundërpeshë ndaj UÇK-së nuk po arrinte rezultate, bën një plan strategjik, kuptohet me direktivë të Bogradit.
E vetmja mënyrë për ta dëmtuar luftën e UÇK-së në Kosovë ishte lufta civile në Shqipëri, ndaj grushti i shtetit më 14 Shtator 1998 që u bë sëbashku me Sali Berishën dhe Bujar Bukoshin kishte këtë synim. Si kurban i kësaj lufte u zgjodh Azem Hajdari.
Ju po thoni se vrasja e Azem Hajdarit ishte një kombinacion i shërbimeve serbe për luftë civile në Shqipëri dhe se në krye të këtij kombinacioni në Shqipëri ishte Berisha me Bukoshin?
Pikërisht këtë po them. Koha do ta dëshmojë këtë fakt dhe zbardhja e këtij grushti shtetëror do ta forcojë këtë të dhënë, këtë të vërtetë. Pak rëndësi ka se si u vra Azem Hajdari, sepse Fatmir Haklaj, po të paguhej mirë mund të vriste këdo edhe në Beograd, sepse vërtet ai ka qenë trim dhe ka patur strategji. Ama, në rastin e Azemit, ai është vetëm një i porositur, ndërsa skenaristët janë aktorët e grushtit të shtetit të 14 Shtatorit 1998. Interlokutor në organizim dhe një njeri kyç i kësaj vrasje ishte ish-truproja i Berishës, Izet Haxhia, i cili pas ngjarjes është fshehur për shumë kohë në Kosovë, nga bandat e FARK-ut dhe UDB-së. Sali Berisha nuk është vetëm bashkë-skenarist i 14 Shtatorit, por edhe bashkpuntori i ngushtë i Arkanit, Bulatoviçit, Ratko Djokiçit dhe bashkë me këtë nëntokë të Serbisë , nuk ka bërë vetëm kontrabandimin e naftës dhe furnizimin e ushtrisë serbe me karburant, por në bashkë-kordinim me Serbinë, me qëllim ka thyer embargon e OKB-së, që ishte vënë kundër Jugosllavisë së atëhershme. Ndër aktet më të turpshme të shtetit shqiptar të bëra ndonjëherë në histori.