Gjermania, Franca, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian janë duke përcjellë me vëmendje situatën politike në Kosovë pas zgjedhjeve të 6 tetorit, meqenëse rinisja e dialogut për normalizim të raporteve me Serbinë varet kryekëput nga krijimi i institucioneve të reja në Prishtinë
Qeveria e kancelares gjermane, Angela Merkel, kërkon që dialogu Prishtinë – Beograd të rinisë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe që të ndërmjetësohet nga shefi i ri i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borell.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar për Gazetën Express një zëdhënës i Qeverisë Federale, duke potencuar se Berlini zyrtar mbështet fuqishëm përpjekjet e Brukselit për normalizim të raporteve Prishtinë – Beograd.
“Qeveria Federale mbështet fuqimisht përpjekjet e BE-së për promovimin e normalizimit të raporteve midis Serbisë dhe Kosovës. Pritjet tona janë në interes të dy vendeve, që ky dialog të rifillojë sa më shpejt që të jetë e mundur, nën përkujdesjen e Përfaqësuesit të Lartë të sapoemëruar dhe ekipit të tij”, thuhet në përgjigje.
Sa i përket taksës, nga Qeveria e kancelares Angela Merkel kërkojnë heqjen e saj, meqë konsiderojnë së është duke i zënë rrugë rinisjes së dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar. Taksa është në kundërshtim me marrëveshjen e CEFTA-s dhe i ka zënë rrugën rinisjes së dialogut për normalizim, dhe kjo është arsyeja pse Gjermania, njësoj sikurse Bashkimi Evropian mbështet heqjen e tarifave ndëshkuese”, potencon tutje zëdhënësi i Qeverisë gjermane.
Ndërkohë sa i përket vendosjes së masës së reciprocitetit si zëvendësim për taksën, Qeveria Gjermane thotë se nuk mund të dalin me një qëndrim lidhur me këtë çështje, pasi që do duhet të analizojnë çfarëdo mase që do të marrë qeveria e re.
“Ne do të analizojmë çfarëdo mase që do të marrë qeveria e re, por tani për tani, nuk mund të komentojmë për këtë pyetje”, ka shtuar tutje për Express ky zëdhënës, i pyetur nëse është e pranueshme për Gjermaninë masa e reciprocitetit e paralajmëruar nga Lëvizja Vetëvendosje deh Lidhja Demokratike e Kosovës.
Ndërkohë të pyetur rreth asaj nëse nuk duhet të ketë vonesa në krijimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës, nga Qeveria gjermane nuk kanë pranuar që të flasin rreth kësaj çështje.
E krijimin e qeverisë së re po e pret edhe Përfaqësuesi i Lartë i BE’së, pasuesi i Mogherinit, Josep Borell. Në një intervistë për të përditshmen kroate “Vercenji.hr’, ka thënë se do të vizitojë Prishtinën sapo të krijohet Qeveri e re.
Borell ka thënë se gjetja e një qasje të re për zgjidhjen e problemeve në Ballkan është një prioritet për Bashkimin Evropian.
“Do të diskutojmë më të dy palët për një qasje të re për zgjidhjen e problemeve në Ballkan, që është një prioritet për ne”, ka potencuar ndër të tjera shefi i ri i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian.
Mirëpo gjatë kësaj kohe kur Kosova gjendet në një vakum institucional, presidenti i Francës, Emannuel Macron, ka aranzhuar një takim në mes të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi e atij të Serbisë, Aleksander Vucic, në Paris.
Siç kishte treguar kreu i shtetit serb, Macron gjithashtu planifikon një takim tjetër në Paris gjatë muajit janar, pasi të krijohet qeveria e re në Kosovë.
E gjithë kjo duket se është një iniciativë vetanake e kreut të shtetit francez, duke qenë se ai se ka njoftuar fare as Përfaqësuesin Special të Presidentit të SHBA’së, për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.
Një gjë të tillë për Gazetën Express e kishte konfirmuar zëdhënësi i zyrës së Grenell, Dick Custin.
Përkundër gjithë pritjeve dhe përpjekjeve për rinisje të dialogut, në Prishtinë duket se dita-ditës negociatat për arritjen e një marrëveshje ndërmjet LVV-së dhe LDK-së për bashkëqeverisje për vështirësohen,
Edhe përkundër gjithë takimeve që kanë ndodhur mes dy partive, ndarja e posteve dhe kërkesat e dy partive, janë faza e fundit që dy paritë po hasin vështirësi ta tejkalojnë.
Mbetet të shihet se si do të procedohet tutje, meqë nga dy partitë janë paralajmëruar përsëri takime.