Lëvizja Vetëvendosje ka vazhduar me publikimin e videove propagandistike edhe sot.
Në videon publikuar sot, LVV akuzon qeveritë e kaluara se ato kinse e kanë lënë sektorin e energjisë në terr dhe në gjendje të mjerueshme.
Aty propagandohet për shumë të arritura në sektorin e energjisë dhe përmenden grante investive e punë të kryera.
Por, duket se partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, ka harruar një të vërtetë të pakontestueshme, pasi që ishte pikërisht Qeveria Kurti 1, e cila e pengoi edhe ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, shkruan Demokracia.com.
Në vitin 2019, Kurti e premtonte uljen e çmimit të energjisë, sepse sipas tij, ishte tepër shtrenjtë “kur rrimë mbi gjithë këtë energji (qymyr)”. Ai e kundërshtonte edhe projektin për ndërtimin e termocentralit me qymyr “Kosova e Re”, të cilin planifikonte ta bënte kompania amerikane Contour Global, shkruan Demokracia.com.
Në fakt, termocentrali “Kosova e Re” që planifikohej të hynte në prodhim në vitin 2023, pra pas pak muajsh, do të siguronte pavarësi energjetike për Kosovë dhe zhvillim ekonomik, sepse do të hapte me mijëra vende të reja të punës.
Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë Contour Global, ish-presidentit Hashim Thaçi kishte thënë se jo vetëm që e stabilizon sektorin e energjisë, por i jep energji të re zhvillimit ekonomik të Kosovës.
“Kjo kontratë paraqet investimin më të madh privat në historinë e Kosovës dhe kontribuon në rritjen ekonomike. Për më tepër, kjo marrëveshje është edhe vazhdimësi e partneritetit tonë strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, kishte deklaruar Thaçi.
Këtë linjë zyrtare të institucioneve të Kosovës nuk e ndoqi Kurti kur u bë kryeministër. Ndër pak premtimet që ka mbajtur, kryesisht për të keq, Kurti e mbajti premtimin e tij se ky projekt nuk do të mbështetej nga Qeveria e tij.
“Unë nuk mund të them sot se sa do të ulet energjia elektrike, por e di që Contour Global nuk vjen në shprehje më. Ajo (kompania) do të na shtrenjtonte energjinë elektrike”, deklaronte Kurti në vitin 2019, duke i bërë qytetarët të frikësoheshin nga ideja e ndërtimit të TC “Kosova e Re”.
Vetëm pak kohë pasi Kurti u bë kryeministër për herë të parë, kompania amerikane Contour Global kishte bërë të ditur se tërhiqet nga planet për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”. Sipas njoftimit të kompanisë amerikane, arsyeja kryesore ishte situata politike e krijuar në vend, në veçanti kundërshtimi i kryeministrit Albin Kurti për këtë marrëveshje, në kohën sa ishte në opozitë.
“Projekti Kosova e Re nuk mund të ecë përpara. Situata politike në Kosovë që nga korriku, formimi i një qeverie të udhëhequr nga një kryeministër që e kundërshtoi publikisht projektin dhe mosveprimi i qeverisë e kanë bërë të pamundur që projekti t’i përmbushë detyrimet e kërkuara. Siç kemi thënë në të kaluarën, Kosova duhej të ishte projekti ynë i fundit me qymyr. Ne nuk do të zhvillojmë termocentrale qymyri në të ardhmen”, thuhej në njoftimin për media të Contour Global, përcjell Demokracia.com.
Pavarësisht përfitimeve të Kosovës dhe fuqizimin e saj në rajon si fuqi energjetike, Kurti bëri realitet vetëm një pjesë të premtimit të tij se “Contour Global nuk do të vjen në shprehje”, kurse e bëri të kundërtën e pjesës tjetër të premtimit se “do ta ulim çmimin e energjisë, sepse është tepër shtrenjtë”. /Demokracia.com/