fbpx
Lajme

Qeveria përjashton kategoritë e luftës nga subvencionimi i energjisë

Së paku 10 euro më shtrenjtë do ta paguajnë faturën e energjisë elektrike një pjesë e kategorive të dala nga lufta.

Subvencionimin e rrymës që e gëzonin tash e sa vite, ua hoqi Qeveria, madje siç thonë pa asnjë paralajmërim.

“Jemi subvencionu për një pjesë të faturës të energjisë elektrike dhe e kemi kuptu që ka nxjerrë një rregullore që na ka largu edhe pse është e përfshirë në ligj, dhe qeveritë e kaluara e kanë zbatu këtë vit ka marrë vendim edhe na ka lënë anash edhe kështu që nuk na ka njoftu as neve që ta njoftojmë anëtarësinë që të aplikojë si rast social”, tha Xhevdet Qeriqi nga OVL-UÇK.

Subvencionimi i energjisë për këto kategori nga ana e Qeverisë bëhej në baza vjetore në KEDS.

Kësisoj invalidët e luftës, familjet e dëshmorëve, viktimat e dhunës civile, nuk do të trajtohen si kategori të veçanta, por vetëm si qytetarë të thjeshtë.

Qeveria thotë se të gjithë këta ish-përfitues kanë mundur të aplikojnë për të qenë pjesë e masës së re për Subvencionimin e Energjisë Elektrike për Familjet e Cenueshme.

“Me fillimin e masës së re për Subvencionimin e Energjisë Elektrike për Familjet e Cenueshme është hapur thirrja për të gjitha familjet të cilat kanë të ardhura më pak se 150 euro në muaj për një anëtar, që të aplikojnë për të përfituar nga subvencionimi. Kjo masë e thekson se kategoritë të cilat kanë marrë më herët subvencion duhet të aplikojnë përmes thirrjes që hapet nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve. Të gjitha familjet që janë përfitues të skemave sociale e pensionale, inkurajohen të aplikojnë. Përderisa familja ka më pak të ardhura mujore sesa pragu prej 150 eurosh/muaj për anëtar, atëherë ju kualifikoheni për subvencionim të energjisë elektrike”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Ndërkaq, shoqata e invalidëve thotë se me këtë, automatikisht të gjitha kategoritë e luftës janë përjashtuar nga mundësia e përfitimit nga kjo masë.

“Pensioni më i vogël i invalidit është 225 euro, automatikisht përjashtohemi, aty ka qenë si kriter të jenë nën 150 euro të ardhurat mujore”, tha kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Luftës, Fadil Shurdhaj.

Të drejtën për tarifë më të lirë të energjisë elektrike ua garanton edhe ligji për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të ushtrisë çlirimtare të Kosovës, viktimave civile dhe familjeve të tyre në nenin 9 të tij.

Andaj duke marrë parasysh këtë, shoqata e invalidëve thotë se po e shqyrton mundësinë që ta paditë Qeverinë për shkelje të ligjit.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close