Agjencia serbe e Inteligjencës, e njohur ndryshe si BIA, njoftoi se i ka dërguar një letër Shërbimit Informativ Federal të Zvicrës, duke dënuar dhe mohuar kategorikisht deklarimet e Dick Marty-it se ata duan ta vrasin me qëllim që t’ua lënë fajet shqiptareve, por një përgjigje nga zyra për media e Këshillit Federal Zviceran (Qeveria e Zvicrës) për Albanian Post e nxjerr krejtësisht blof shqetësimin e shprehur publikisht të BIA-s.
“Autoritetet kompetente zvicerane janë në kontakt me autoritetet serbe në nivele të ndryshme”, thuhet në përgjigjen e zviceranëve për Albanian Post, duke e bërë të qartë se shteti serbe e di prej kohësh atë çfarë ish-prokurori dhe ish-politikani zviceran, Dick Marty, e shpalosi për publikun vetëm të dielën e 10 prillit.
Pretendimet e BIA-s se vetëm tash po informohen për rastin përgënjeshtrohen edhe më shumë në pjesën tjetër të përgjigjes së Këshillit Federal për AP-në.
“Në veçanti, Fedpol (Zyra Federale e Policisë) filloi një shkëmbim informacioni me autoritetet policore serbe në nivel policor”, shpjegojnë nga Qeveria e Zvicrës.
Dhe kjo kishte ndodhur qysh në dhjetorin e vitit 2020, kur edhe kishin kuptuar planin malicioz të inteligjencës serbe, të cilët donin ta vrisnin Marty-in dhe, për shkak të akuzave të tij kundrejt liderëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për trafikim organesh, fajet t’ia linin Kosovës.
“Kjo masë (njoftimi i organeve serbe) është pjesë e grupit të masave që janë hartuar, ku shkëmbimi mes Fedpol-it dhe autoriteteve policore serbe është bërë në konsultim të ngushtë me Prokurorinë e Përgjithshme”, thuhet më tej në përgjigjen e autoriteteve helvetike.
Lajmi për planifikimin e vrasjes së Marty-it nga organet shtetërore serbe, të cilat do paguanin banda kriminale për ta kryer aktin, u bë i ditur nga një hulumtim ekskluziv në emisionin “Mise au Point”, në Radiotelevizionin e Zvicrës tek kanali “RTS 1”.
“E habitshme që nuk erdhi nga ata që unë akuzova, por erdhi nga kundërshtarët e tyre”, thotë Marty në një pjesë të intervistës.
Serbët e kishin planifikuar edhe kohën e vrasjes. Ajo do përkonte me dërgimin e Hashim Thaçit dhe të tjerëve në Hagë. Dhe kështu alibia do ishte e gatshme. “Në frustrimin e momentit të prangosjes së liderëve të luftës, shqiptarët do kryenin vrasjen”.
Por, autoritetet zvicerane e hetuan planin dhe për Albanian Post tregojnë se kur i morën informatat e para.
“Mund të konfirmojmë se nga dhjetori 2020, supozohej një situatë serioze kërcënimi kundër zotëri Dick Marty. Përveç aspekteve të së drejtës penale, çështja përfshin edhe garancinë e sigurisë personale dhe, për shkak të kontekstit të supozuar transnacional, ka edhe komponentë politik”.
“Prandaj, organe të ndryshme në nivel federal dhe kantonal janë të përfshirë në fushat e tyre përkatëse të përgjegjësisë. Në këtë kontekst, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, Fedpol dhe autoritete të tjera partnere kanë hartuar një sërë masash gjithëpërfshirëse”, thuhet në përgjigjen me shkrim për AP-në.
Nga momenti kur u mor vesh plani serb, Marty u ‘blindua’.
Qeveria zvicerane kumton për Albanian Post disa nga masat e sigurisë që janë marrë për ta ruajtur jetën e Marty-it edhe pse, për shkak se rreziku ende nuk ka kaluar, thonë se nuk mund të tregojnë gjithçka.
“Për të garantuar sigurinë, Fedpol ka marrë masa të gjera mbrojtëse bazuar në vlerësimet e rregullta të situatës, duke përfshirë sigurinë në afërsi të drejtpërdrejtë të z. Marty (kjo përfshin të ashtuquajturën mbrojtje nga afër kur shfaqet në hapësira publike ose masa mbrojtëse teknike në vendbanimin e tij, për shembull)”, shpjegojnë nga Këshilli Federal.
“Këto masa mbrojtëse janë zbatuar në bashkëpunim me policinë kantonale. Masat e sigurisë dhe mbrojtjes janë ende në funksion, prandaj – për të mos cenuar në mënyrë të panevojshme efektivitetin e tyre – nuk do të zbulohen detaje”.
Megjithatë, disa nga detajet i ka zbuluar vetë Marty në intervistë.
“Shtëpia është e mbushur me kamera dhe e pajisur me alarme dhe një dhomë sigurie ku Dick Marty duhet të strehohet në rast sulmi. Aty pranë ndodhet policia me rroba civile”.
Gjatë udhëtimeve të tij të rralla, Marty vë një jelek antiplumb, makina e tij është e blinduar dhe e shoqëruar nga dy automjete policie me rroba civile.
Marty për rrezikun që i kanosej ishte njoftuar nga policia fillimisht. Por, ai më pas kuptoi më shumë detaje të atyre që ia planifikonin momentin e vdekjes.
“Kërcënimi vjen nga qarqe të caktuara të shërbimeve të inteligjencës serbe, të cilët i kërkuan botës së krimit, vrasësve profesionistë, të më likuidojnë thjesht për t’ua vënë fajin kosovarëve. Sa për vrasësit, ata do të ishin pjesë e ‘botës së krimit’. Ka veteranë që specializohen në vrasje me urdhër, vrasje me porosi dhe kështu që nuk duhen shumë para për të vrarë dikë”.
Për këtë zhvillim, përveç BIA-s, nuk ka pasur reagime nga krerët politikë të Serbisë.
As institucionet e Kosovës ende nuk kanë dalur me një komunikim për publikun për këtë rast. /Albanianpost.com