Institucionet qendrore dhe ato lokale, vitin e ardhshëm, do të rrisin shpenzimet në paga dhe mëditje, si dhe në mallra dhe shërbime, dy kategoritë për të cilat ka pasur jo pak kritika për mënyrën e shpenzimeve të parasë publike.
Vlera e rritjes së shpenzimeve në këto dy kategori lëviz mes disa qindra mijëra eurove e deri në mbi 1 milionë, raporton KTV.
Ndërsa janë të pakta ato raste kur do të ketë ulje të shpenzimeve në këto dy kategori.
Megjithëse në agjendën e integrimeve evropiane, Kosova duhet të ulë numrin e të punësuarve, kjo gjë nuk pritet të ndodhë as në vitin e ardhshëm.
Shtimi i ministrive pritet të sjellë edhe punësime.
Në buxhetin e 2018-ës janë parashikuar edhe punësimi i 106 personave në dy ministritë e reja, të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, si dhe në atë të Zhvillimit Rural.
Apetitet nuk do të përfundojnë me kaq.
Të dhënat në buxhet flasin edhe për vazhdimin e tendencës së shpenzimit të mijëra eurove për blerje të veturave dhe mobilieve.
Në nivelin qendror, shpenzimet më të mëdha në këtë kategori parashihet t’i ketë Kuvendi i Kosovës, i cili përgjatë tre vjetëve të ardhshëm, do të shpenzojë nga 130 mijë euro.
Ndërkaq, zyra e Presidentit pritet të shpenzojë deri në 10 mijë euro për blerjen e një aparati fotografik.
Për këtë të fundit, madje janë planifikuar që deri në vitin 2020 të shpenzohen 2.5 milionë euro për ndërtimin e objektit presidencial.
Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës do të shpenzojë 8.200 euro për blerje të laptopëve dhe printerit multi funksional, ndërsa do të vazhdojë të blejë automjete edhe vitin e ardhshëm.
Përpos punësimit e buxhetit, Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë do t’i shpenzojë edhe 150 mijë euro për blerje të veturave.
Në shpenzim buxheti për blerje të veturave, konkurrencë të madhe nivelit qendror do t’i bëjë Fushë Kosova.
Për blerjen e një automjeti ka paraparë të shpenzojë 80 mijë euro, ndërsa Graçanica 55 mijë.
Vetura do të blejnë edhe komuna e Deçanit, Gjakova, Mamusha, Hani i Elezit dhe Zubin Potoku, që vazhdon traditën e blerjes së veturës zyrtare tash e disa vjet.
Fushë Kosova e Lipjani do të vazhdojnë të shpenzojnë buxhet për vendimet gjyqësore.
Përpos bizneseve që po hasin në probleme me furnizim të rregullt me energji elektrike, të njëjtat probleme duket se po i ka edhe Dragashi, që ka vendosur t’i shpenzojë 20 mijë euro për blerje të gjeneratorit.
Ndërsa Komuna e Mitrovicës Jugore do të shpenzojë 10 mijë e 500 euro për t’i pajisur delegatët e kuvendit me laptopë.
Në buxhetin e 2018-ës parashihet të ketë rritje të të hyrave nga të ardhurat personale, tatimi në pronë dhe akciza.
Po ashtu do të vazhdojmë të varemi nga doganat në mbushjen e buxhetit, që për vitin e ardhshëm do të duhet t’i mbledhin 67 milionë euro më shumë se në këtë vit, ndërsa ATK-ja 23 milionë më shumë.