Epilogu

Qosja: Ata që janë kundër shkëmbimit territorial, po ia japin Serbisë edhe Luginën edhe Veriun

Rikujtim / 2018

Akademiku Rexhep Qosja është përfshirë në debatin që po zhvillohet së fundmi për një shkëmbim të mundshëm të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, ku i kishte dhënë mbështetje ish presidentit Thaçi.

Në një shkrim për dritare.net Qosja i ka arsyetuar deklaratat e presidentit Hashim Thaçi dhe ka kritikuar ata që kanë dalë kundër idesë së shkëmbimit të territoreve apo korrigjimit të kufijve.

“Mund të them se ata që kanë përdorur konceptin e shkëmbimit të territoreve dhe ata qe kanë përdorur konceptin e korrigjimit të kufirit mes Kosovës e Serbisë nuk kanë menduar në asnjë menyrë, dhe kurrë, për ndarje të Kosovës. Shkëmbimii territoreve dhe korrigjimii kufirit nuk nënkuptojnë ndarje të Kosovës. Shkëmbimi i territoreve dhe korrigjimi i kufirit nënkuptojnë lëvizje, në të vërtetë ndryshim të kufijve në skaje të Kosovës, në skajin verior të Kosovës”, ka thënë Qosja.

Ai ka thënë se togëfjalëshin Ndarje e Kosovës nuk e kanë përmendur ata që po akuzohen (Thaçi), por po i vardisen akuzuesit (Ndarjes së Kosovës), duke përmendur disa arsye sipas tij, pse po i bëjnë këto akuza (ndaj Thaçit).

“Mund të jenë disa arsye për këtë. E para, mosdija. E dyta, inatet, që shpesh përcakojnë përmbajtjen e mendimeve të disave prej atyre akuzuesve dhe, e treta, ndoshta kryesorja, përpjekja për të pastruar jetëshkrimin e vet politik në të kluarën e tyre të derivonshme”.

Qosja ka thënë se këta akuzues nuk i merr seriozisht, sepse mendimet e tyre të dikurshme i kanë ndryshuar pas çlirimit të Kosovës.

“Për të gjitha këto arsye pjesëmarrjen e këtyre akuzuesve në diskutimet që po bëhen për bisedimet e ardhshme të quajtura përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, sipas mendimeve të mija, nuk do marrë seriozisht. Në asnjë mënyrë unë këtyre akuzuesve nuk ua mohoj të drejtën që të ndërrojnë mendimet e tyre të dikurshme, të cilat cështë e vërteta i kanë ndërruar pas çlirimit të Kosovës prej pushtimit të Serbisë, por ua mohoj të drejtën që të akuzojnë të tjerët në vend se vetëveten e dikurshëm”.

Por, Qosja ka thënë se merr seriozisht përbërjen e delegacionit që po e përfaqëson Kosovën në bisedime ku sipas tij “mbizotërojnë diletantët”.

“Seriozisht do marrë këtë çështje: çështjen e delegacionit shqiptar që po merr pjesë dhe që do të marrë pjesë në bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit. Kosova ka historianë, ka juristë, ka gjeografë, ka antropologë, ka politikanë, ka intelektualë, me përgatitje të ndryshme historike e të përtashme për të gjitha problemet e çështjet që mund të ngriten në ato bisedime. Por në grupet që deri tani biseduan në Vjenë e në Bruksel e që po bisedojnë edhe tani në Bruksel për marrëveshjen mes Kosovës e Serbisë pothuajse mbizotërojnë diletantët. Prej tyre jo pse nuk do të donin, por pse nuk dinë, nuk mund të pritet ndonjë e mirë për Kosovën”.

Akademiku ndër të tjera ka thënë se “faktorët ndërkombëtarë nuk do t’u pranojnë të drejtën e vetëvendosjes shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe t’u mohojnë të drejtën e vetëvendosjes serbëve të Veriut të Kosovës”.

Ata që janë kundër shkëmbimit të territorit, sipas Qosjes duhet ta dinë se “deshtën apo s’deshtën po ia dhurojnë Serbisë edhe njerën edhe tjetrën”.

“Le të thuhet në fund, prandaj, se ata që janë kundër shkëmbimit të territorit mes Luginës së Preshevës duke përfshirë Preshevën, Bujanocin e Medvegjen dhe Veriut të skajshëm të Kosovës, te Mitrovica, deshtën apo s’deshtën po ia dhurojnë Serbisë edhe njerën edhe tjetrën: Luginën e Preshevës si pjesë të Serbisë, kurse Veriun e Kosovës si autonomi substanciale ( si pavarësi) në të cilën pushtetarët e Kosovës, si edhe tani, do t’i përkulen monumentit të madh të Knjaz Llazarit”, përfundon shkrimin e tij Rexhep Qosja./Telegrafi/

Exit mobile version