“Rastet kur Fadil Hoxha ka qenë pjesëmarres direkt në vrasjet e shqiptarëve”
Uran Butka, autor i librit Masakra e Tivarit, në një shkrim për Gazetën Express jep një përgjigje për nostaligjikët e Fadil Hoxhës, me rastin e 100 vjetorit të tij të lindjes. Ai tregon rastet kur Fadil Hoxha ka qenë pjesëmarrës direkt në vrasjet e shqiptarëve.Për gjykimin dhe vlerësimin e një personaliteti historik mbahet parasysh koha kur ka vepruar, si edhe qëndrimi ndaj ngjarjeve kryesore të jetës të popullit e kombit të vet. Fadil Hoxha jetoi dhe veproi në një nga kohët më kritike të kombit tonë: Lufta e Dytë Botërore dhe paslufta, që ndikuan dhe kondicionuan në formimin dhe veprimtarinë e tij.
Në këtë shkrim nuk do të shpalos aktivitetin e plotë të Fadil Hoxhës, por do ndalem shkurt vetëm në disa qëndrime të tij, që bien ndesh dhe rrëzojnë vlerësimet tendencioze të Rahman Perllakut dhe të disa nostalgjikëve të tjerë në Shqipëri e Kosovë, që e quajnë Fadil Hoxhën figurë e shquar të kombit shqiptar, me qenë se këto vlerësime bëhen publike në shtyp dhe përhapin ende sot të pavërteta, deformojnë historinë, si edhe lëndojnë ndjesinë kombëtare.
Do të sjell disa fakte të dokumentuara, lexuesi le të gjykojë.
1. Lëvizja “Kryeziu” është një nga lëvizjet e rëndësishme çlirimtare në Malësinë së Gjakovës dhe më gjerë. Në krye të saj ishin vëllezërit Hasan, Gani dhe Said Kryeziu. Menjëherë pas pushtimit Italian ata organizuan rezistencën antifashiste dhe më pas edhe luftën e armatosur kundër pushtuesve gjermanë. Rruga që zgjodhën Kryezinjtë, ishte ajo e luftës çlirimtare kundër okupatorëve, në bashkëpunim me të gjithë faktorët antifashistë, veçanërisht me aleatët perëndimorë.
Pikërisht, kur forcat e Lëvizjes “Kryeziu”, ku bënin pjesë edhe luftëtarët e Mehmet Ali Bajraktarit, Mujë Ramës dhe Ymer Bardhoshit, bashkë me ta edhe Llazar Fundo si edhe britaniku Simkoks, luftonin kundër pushtuesve gjermanë në betejen për çlirimin e Gjakovës, 10 -15 shtator 1944, u sulmuan pabesisht nga të dy anët prej forcave nacionalçlirimtare të Jugosllavisë të komanduara nga Fadil Hoxha dhe forcave e Brigadës V të Ushtrisë Nacoonalçlirimtare të Shqipërisë.
E.Hoxha vraponte për të qenë i pari në këtë holokaust vrasës. Në radiogramin dërguar Liri Gegës datë 8.08,1944 E.Hoxha udhëzonte: “Pranë Kryeziut është Zai Fundo. Para një muaji Fadil Hoxha ka biseduar me shokët e Kosmetit. Ka dijeni edhe Dushani e Rade.[1] I thashë Fadilit që ta vrasë (Zai Fundon) pa marrë parasysh asnjë rrethanë.” (Arkivi Qëndror i Shqipërisë F.41 D.158 v.1944)
Sekretari i komitetit të PKJ për Kosovën dhe anëtar i shtabit operativ të UNJ. Pavle Joviçeviçi (Rade) udhëzonte Fadil Hoxhën që të verifikonte tepër fshehtas informacionin se ku ndodhej saktësisht Gani Begu, sa forca kishte, ku ndodheshin batalionet, a ruhej rruga etj. “Kjo është rigorozisht konspirative. Lajmërohu në 5.30 dhe 10”- Pavle.” ( Dokumente AIH, Instituti i Hitorisë, Beograd, 1949)
Gjithashtu, E. Hoxha i dërgonte më 21.09. 1944 Korparmatës së Parë, në mënyrë shumë konspirative Liri Gegës, e plotfuqishme e KQ të PKSH ne Veri, radiogramin: “Mos kërkoni më nga Ganiu të dorëzohet, por me çdo kusht dhe me ashpërsi të sulmohet dhe të vritet. Duhet të veproni sa më parë, se mund t’i vijnë në ndihmë kosovarët” ( AQSH, F.41 d.158 v.1944)
Fadil Hoxha i dergonte informacion të plotë Liri Gegës për shpartallimin e forcave të Gani Kryeziut, arrestimin r britanikut Simkoks dhe Said Kryeziut si edhe pushkatimin e Zai Fundos (AQSH F.41 v.1944 D.158)
Llazar Fundon e arrestuan, e rrahën për vdekje dhe i kërkuan t’u përgjigjej pyetjeve që kishte dërguar E.Hoxha me radiogram: “Zai Fundon ta torturoni deri në vdekje dhe pastaj ta pushkatoni andej. T’i kërkohet të japë sqarime për këto pyetje: Pse ka ardhur në Kosovë, kush e ka dërguar, dhe me ç’direktiva; cilat janë qëllimet e Ganiut dhe të anglezëve Të japë sqarime për aktivitetin e mëparshëm dhe për tradhëtinë e tij…Zain e vrisni andej…”(Radiogrami E.Hoxhës. 21.9.1944)
E ekzekutuan më 23 shtator 1944, pasi e torturuan për vdekje.
2,Shaban Polluzha ka hyrë në historinë e Kosovës dhe të kombit shqiptar si një luftëtar i madh i kombit dhe si një martir i tij. Këtë nuk e kundërshton dot askush. Mirëpo, urdhërin për shtypjen e përgjakshme të rezistencës kombëtare të tij e ka dhënë më 5 shkurt 1945 komandanti i shtabit Operativ të Kosmetit, Fadil Hoxha dhe komisari serb Krsto Filipoviç. Atëherë, s’ka sesi të jetë figurë e shquar e kombit njëkohësisht edhe viktima, Shaban Polluzha, edhe urdhëruesi i vrasjes së tij dhe i qindra luftëtarëve të tij atdhetarë, Fadil Hoxha?
Po japim dokumentin:
SEKRET
Nr.119, 5 shkurt i vitit 1945
U R D H Ë R 50
Të dhëna mbi armikun: Forcat e Adem Vocës, nga Veriu i Mitrovicës së Kosovës e deri në shpatet jugore të Kopaonikut, janë shkatërruar. Forcat e Shaban Polluzhës në Drenicë janë me një fuqi prej 5000 ushtarësh. Po japin një rezistencë të fortë. Rrethimi i tyre po shtrëngohet. Një grup në mes të Runikut dhe Rakoshit ka kaluar drejt Rogoznit. Forcat e tjera kanë tendencën në po atë drejtim dhe në drejtim të Gjakovës dhe Istogut. Forcat tona janë fuqizuar me Divizionin 24 dhe Brigadën I malazeze të Bokës dhe të Kotorrit.
Detyra: Të vazhdohet me shkatërrimin , përndjekjen, eliminimin e armikut dhe çarmatimin e popullit.
Komisari Krsto Filipoviç Komandanti Fadil Hoxha
(Dokumenti: Arkivi i Luftës NÇ të Jugosllavisë, nr.9-4 kutia 1411, v.1945)
Mësymja ushtarake kundër forcave të Shaban Polluzhës dhe Mehmet Gradicës nisi në fillim të shkurtit dhe përfundoi më e ashpër gjatë ditëve 12- 22 shkurt 1945. Sh. Polluzha, M.Gradica dhe luftëtarët shqiptarë luftuan heroikisht me forca të pabarabarta në numër dhe armatime, por qëndruan heroikisht.
Fadil Hoxha urdhëronte: “Forcat e armikut në Drenicë ende nuk janë asgjësuar. Armiku po reziston shumë. Brigadat tona po kalojnë njëkohësisht në sulm, kështu që armiku vetëm në një sektor po mund të rezistojë. Është e domosdoshme që nga të gjitha anët të bashkohet rrethimi dhe të kalohet në një sulm të përgjithshëm, derisa të eleminohet armiku” ( Arkivi i Luftës NÇ të Jugosllavisë, nr.9-4 kutia 1411, v.1945)
Armiku, sipas Fadil Hoxhës, ishte Shaban Polluzha dhe luftëtarët e tij drenicarë, që mbronin të drejtat elementare njerëzore dhe kombëtare të Drenicës dhe të Kosovës. Fadil Hoxha, njëlloj si Enver Hoxha, i quante armiq të gjithë kundërshtarët, qoftë edhe Brenda Lëvizjes NÇ. Sa për dijeni, Shaban Polluzha dhe forcat e tij, mbi 6.000 luftëtarë, bënin pjesë në aradhet nacionalçlirimtare dhe luftonin për çlirimin e Kosovës nga pushtuesit nazifashistë, por edhe mbronin popullin e saj nga barbarizmat e ushtrisë jugosllave dhe çetnikët e Mihajlloviçit.
Në përleshje me forcat komuniste serbo-malazeze-shqiptare, Sh. Polluzha dhe M. Gradica u plagosën, por s’e ndalën luftën, kundër-sulmuan dhe e çanë rrethimin në drejtim të fshatit Gollupovë. U plagos për të dytën herë Polluzha dhe vdiq po atë natë në fshatin Çikatovë. Po ashtu, u vranë në betejë Mehmet Gradica, Miftar Bajraktari dhe djali i Shaban Polluzhës, Tafa. Gjatë atyre 28 ditë luftimesh, u vranë dhe u plagosën rreth 430 luftëtarë nga Drenica, asnjë nuk u zu rob, u grabitën dhe u dogjën mbi 150 shtëpi; 6 000 banorëve të Drenicës, Vushtrisë dhe Mitrovicës me rrethet iu grabit i tërë ushqimi dhe pasuria e tundur. (Dokumenti:Promemorie gjeneralit britanik Hodgson, 22 tetor 1945)
3. Nga ana e Shtabit Suprem të Jugosllavisë, u përdor strategjia e shtypjes dhe asgjësimit të forcave kombëtare në Kosovës, por edhe strategjia e shpërnguljes nga Kosova të forcave ushtarake nacionalçlirimtare të saj dhe rekrutëve të mobilizuar me dhunë. Kështu, u urdhërua Shtabi Operativ i Kosovës që disa brigada kosovare të linin Kosovën dhe të zhvendoseshin në Vojvodinë e në Bosnjën Lindore, për t’ua lënë vendin aradheve të ushtrisë jugosllave, si edhe forcave të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë.
Brigada VI kosovare u dërgua më 2 janar 1945 në Vojvodinë, në rajonin e Vershacit, ku luftëtarët e saj u shpërndanë nëpër brigadat plotësuese jugosllave. Trajtimi i tyre ishte si të ishin robër lufte. Në një raport të OZN-ës, të datës 10.02.1945, lexojmë: “ Këtu ndodhen rreth 1.500 arnautë në brigadën plotësuese… Po kërkojnë prej shtabit të brigadës t’i dërgojnë në front, ose t’i kthejnë në Metohi. Shtabi i brigadës është përpjekur t’i çarmatosë, por pa sukses…; me rastin e kryengritjes së batalionit shqiptar, në brigadën plotësuese në Vershac – atje ka shkuar Fadil Hoxha… Fadili është emëruar kryetar i gjyqit ushtarak, që i ka dënuar organizatorët e kryengritjes…në Vërshac u gjykuan dhe u pushkatuan njëmbëdhjetë kryengritës arnautë.”
Edhe Brigada VII, me 15.260 ushtarë dhe me komandant Shaban Haxhia nga rrethi i Tropojës, e mori urdhrin nga shtabi Operativ i Kosovës me komandant Fadil Hoxhën për të shkuar në Srem, por gjatë rrugës u sulmua nga partizano-çetnikët jugosllavë dhe u gati u shfaros. Shaban Haxhia shihte me dhimbje shokët që i vriteshin dhe i vdisnin nga tifoja, por megjithatë vazhdoi rrugëtimin e vdekjes. Luftëtarët e paktë të mbetur të saj u shpërndanë në Banatë nëpër brigadat jugosllave dhe thuajse nuk u kthyen më në Kosovë. U kthye vetëm komandanti i palavdishëm Shaban Haxhia me katër vetë në Kosovë. A thua nuk ka përgjegjësi Fadil Hoxha për këtë plojë? Si komandant i aradheve nacionalçlirimtare në Kosovë dhe më pas si komandant i Shtabit Operativ, ka luftuar edhe kundër gjermanëve, edhe kundër nacionalistëve shqiptarë,si pjesë e Luftës NÇ të Jugosllavisë dhe e PK të Jugosllavisë, duke u shërbyer besnikërisht atyre.
4. Masakra e Tivarit, apo më gjerë, tragjedia e Tivarit, është një nga plojat më të mëdha, më të përgjakshme dhe më të pabesa, projektuar dhe realizuar ndaj shqiptarëve nga shteti komunist jugosllav në bashkëpunim me shtetin komunist shqiptar. Historinë e plotë të kësaj masakre e kam trajtuar të plotë te libri “Masakra e Tivarit”. Platforma politike dhe ushtarake e këtij veprimi antishqiptar, ishte projekti famëkeq i Çubriloviçit i 7 marsit 1937 dhe i 3 nëntorit 1944, që u bënë, për fat të keq, edhe platforma e Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë: “Dy janë mënyrat për spastrimin etnik të shqiptarëve: t’i zhdukim ose t’i shpërngulim.”
Kështu u mobilizuan 13.050 rekrurë shqiptarë në Kosovë e viset e tjera shqiptare nën Jugosllavi ( me ndihmën e Divizioneve V dhe VI të ushtrisë NÇ të Shqipërisë, që ishte vënë nën urdhërat e Shtabit Suprem të Ushtrisë NÇ të Jugosllavisë) dhe u dërguan të çarmatosur dhe të shoqëruar nga ushtria Jugosllave nëpër Shqipëri drejt Frontit të Adriatikut për t’u asgjësuar.
Sipas dokumenteve që gjenden ne Aerkivin e shtetit shqiptar dhe në Arivin e Ushtrisë NÇ të Beogradit, shtabet e Divizioneve V dhe VI të Shqipërisë i dorëzonin Shtabit Operativ të Kosovës gjithë të rekrutuarit dhe gjithë vullnetarët kosovarë të vetëdorëzuar në mirëbesim tek divizionet s Shqipërisë, të cilët mandej dërgoheshin si mish për top në Srem apo në Tivar, për t’u asgjësuar. Për ilustrim, vetëm një dokument:
***
SHTABIT OPERATIV PËR KOSOVË E METOHI,
PRISHTINË
Bashkangjitur po ju dërgojmë listën emërore të dorëzuarve dhe vullnetarëve kosovarë t’ardhun në radhët e këtij divizioni.
Komisari Politik Komandantui i Divizionit V
N.Kol.RamizAlia Rahman Perllaku
(Dokumenti: AQSH, Fondi 206/ APL v.1945)
Në udhëtimin e tyre mortor nga Kukësi në Shkodër u vranë dhe u zhdukën mëse 1000 nga këta shqiptarë, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua në Tivar e më tutje, gjithsej 3933 bashkëkombas të pafajshëm. Fadil Hoxha ishte në atë kohë (mars-prill 1945) nënkomandant i Shtabit operativ të Kosovës, nga i merrnin urdhërat divizionet dhe brigadat ushtarake jugosllave që vepronin në Kosovë. A ka përgjegjësi Fadil Hoxha për këtë masakër? Kur tri kolonat me rekrutë shqiptarë u masakruan në Tivar në muajin mars 1945, përse u dërguan dhe tre kolona të tjera në prill dhe që pësuan të njëjtin fat? Përse Fadil Hoxha nuk u përpoq ta ndalonte këtë kasaphanë? Edhe nëse nuk e ndalonte dot, përse nuk foli, nuk kundërshtoi, përse nuk e dënoi asnjë herë këtë masakër, përse nuk dha dorëheqjen nga komanda e Shtabit që drejtonte masakrën kundrejt mijëra shqiptarëve?
Madje edhe Rankoviçi, ministri i Brendshëm i Jugosllavisë, e ka pranuar masakrën në Kongresin e Parë të PK të Serbisë, maj 1945, ndonëse e trajtoi si një incident: “Gjatë dërgimit të një numri të shqiptarëve për plotësimin e njësive të Armatës IV, ndodhi një incident, Por, drejtuesit tanë, në vend që çështjen ta zgjidhnin pa e përhapur konfliktin, deshën të bënin reprezalje, tentuan t’i pushkatonin 40 shqiptarë për çdo luftëtar të vrarë. Shpërtheu revolta…Kurse komandantët tanë hapën zjarr dhe i vranë 300 shqiptarë” ( Kongresi I i PK të Serbisë, maj 1945. Fjala e Rankoviçit)
Gjithsesi, Rankoviçi ka meritën që ta përmendë këtë masakër dhe ta quajë “gabim të tmerrshëm kundrejt shqiptarëve”, ndërsa Fadil Hoxha e Fadilistët, jo vetëm atëherë, por asnjëherë nuk cekën apo nuk e shqyrtuan këtë gjenocid shtetëror kundër shqiptarëve. As në vitet e mëvonshme, kur këtë çështje e rihapi dhe e shtroi me kurajë e fakte denoncuese ish-përjetuesi i i masakrës së Tivarit, Azem Hajdini .
Fadil Hoxha, përgjegjësi kryesor i udhëheqjes politike dhe ushtarake në atë kohë në Kosovë, heshti si fija e barit. Vetëm më vonë, pas 35 vjetësh, më 14 dhjetor 1979, në simpoziumin “Forcat e armatosura revolucionare të LNÇ të Kosovës 1941-1945”, pohoi me gojën e tij: “Nuk ka revolucion në botë, ku nuk ka pasur ndonjë gabim. Diçka nga kjo ka edhe në revolucionin tonë, edhe pse shumë pak. Unë nuk pajtohem që tashti të hulumtojmë se kush i ka vrarë ata njerëz në Tivar, pse janë vrarë dhe çka do të thotë ajo? Janë vrarë me gjasë të pagabuar dhe të paborxh. Kaq mund të konstatojmë. Nëse , megjithatë, fillojmë sot ta hulumtojmë atë ngjarje, nuk do t’i kontribuohej shumë historisë…” ( Fadil Hoxha, Diskutime, Prishtinë 1981)
Kjo është hera e parë dhe e fundit që flet Fadil Hoxha për këtë tragjedi kombëtare. Fatkeqësisht, ai thotë se ajo që ka ndodhur është shumë pak, se shqiptarët janë vrarë me “gjasë të pagabuar dhe të paborxh”, që do të thotë se nuk ka gabuar kush, nuk u ka borxh askush, nuk ka përgjegjësi kush!! Sikur të mos kishte ndodhur asgjë! Ai nuk pajtohet me zërat që kërkojnë të zbardhet e vërteta, sepse e vërteta është e hidhur edhe për atë vetë dhe duhet fshehur.
5. Fadil Hoxha, si komandant i aradheve nacionalçlirimtare në Kosovë kishte luftuar egërsisht kundër forcave kombtariste. Këtë e vërtetojnë urdhrat që ai ka lëshuar si komandant i Shtabit Operativ të Kosme-tit, para datës 8 shkurt 1945, por edhe me veprimet si nënkomandant i këtij shtabi dhe, mandej, si një nga partiakët e pushtetarët më të lartë të Jugosllavisë. Këtë rol ai e vulosi më 18 shkurt 1945 në mbledhjen e KQ të PKJ në Beograd, ku u diskutua për statusin e Kosovës. Fadil Hoxha nuk e ceku opsionin e bashkimit të trojeve shqiptare me shtetin amë, siç ishte shprehur edhe Konferenca e Bujanit si edhe vetë udhëheqësit jugo-sllavë gjatë luftës. Ai përkrahu zgjidhjen e dytë, atë të ndarjes së trojeve shqiptare dhe bashkëngjitjen e qarkut të Kosovës me Serbinë. Më e keqja është se këtë e pranoi “në emër të popullit shqiptar, si zgjidhja më e drejtë” ( Fadil Hoxha, Dklaratë publike , 25 qershor 1990)
Kjo ishte zgjidhje e padrejtë, sepse trojet dhe popullsia shqiptare, që zinte vendin e dytë në Jugosllavi për nga numri, pas serbëve, u ndanë ndërmjet Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë, duke i hapur kështu rrugën eliminimit të përkatësisë e njësisë kombëtare shqiptare. Ndryshe reagoi Halim Spahia, njëri nga personalitetet e Lëvizjes NÇ dhe të Konferencës së Bujanit: “E gjithë ndihma që ne i dhamë LNÇ të Jugosllavisë paska qenë e kotë. Ne qenkemi tradhtuar!”
Fadil Hoxha, Mehmet Hoxha, Xhavit Nimani e të tjerë udhëheqës komunistë të Kosovës dhe vegla të bindura të PK Jugosllave, në bashkëpunim të plotë me Dushan Mugoshën dhe Spasoje Gjakoviç, kryetar i OZNA-s etj, organizuan më 27 mars 1945 të ashtuquajturin Komitet të Shqiptarëve të Kosovës e Metohisë, i cili në Kuvendin Themelues, me kryetar Fadil Hoxhën, shprehu “vullnetin” e popullit të Kosovës për bashkim me Serbinë, duke varrosur përpjekjen shqiptare për çlirim e bashkim kombëtar. Kuvendi Themelues iu drejtua kolonel Fadil Hoxhës, i cili saktësoi “randësin e kuvendit dhe qëllimet e tij” ( Rilindja, Prishtinë 5 prill 1945)
Fadil Hoxha, mohoi publikisht si të gabueshme vendimet e Bujanit për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë mbi parimin e vetëvendosjes, kur deklarohej ndryshe në Kuvendin e Prizrenit, (10 korrik 1945), i cili ligjëroi përfundimisht aneksimin e Kosovës nga Serbia, si “qark autonom” pa të drejtë flamuri, gjuhe zyrtare dhe të drejta kombëtare”: “Ligjërisht dhe në mënyrë demokratike njëherësh anullohet edhe pjesa e gabueshme e Rezolutës së miratuar në Konferencën e Bujanit” – deklaronte Fadil Hoxha në Kuvendin e Prizrenit, që vendosi për bashkimin e Kosovës me Serbinë.
Krahas këtyre akteve kolaboracioniste, erdhi ripushtimi i dhunshëm e i përgjakshëm i Kosovës dhe i viseve të tjera shqiptare nga Jugosllavia, me ndihmën e brigadave nacionalçlirimtare të Kosovës dhe të divizioneve të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë.
Fadil Hoxha i dënoi demonstratat e qytetarëve të Kosovës në vitin 1968 dhe në vitin 1981 dhe, kur shteti policor serb i shtypi me gjak si edhe Kosova sërish u zbraz nga intelektualët, ai heshti dhe u pajtua me dhunën ndaj bashkëkombasve të tij. Fadil Hoxha nuk u bë i gjallë as kur kasapi i Ballkanit, Milosheviçi, kreu masakrat e përbindshme mbi popullin e Kosovës në vitin 1998- 1999 dhe realizoi spastrimin më të madh etnik të Kosovës, kur mbi 1.000.000 shqiptarë i pëezuri me forcë nga trojet dhe shtëpitë e tyre.
Mundet që Fadil Hoxha të jetë një një figurë e shquar e Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë, e politikës Jugosllave dhe e shtetit komunist Jugosllav, ku shërbeu dhe arriti majat më të larta, por në asnjë mënyrë figurë e shquar e Kosovës dhe e kombit shqiptar.
Shkruan: Uran Butka