Epilogu

REKTORI TENTON QË NË MËNYRË TË DYSHIMTË T’IA VAZHDOJË MANDATIN SEKRETARIT TË UP-SË

Kërkesën e rektorit Dema për t’ia vazhduar mandatin sekretarit të UP-së, Esat Kelmendi, e ka cilësuar të jashtëligjshme Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës. Organi më i lartë drejtues i UP-së ka paralajmëruar rektorin se vazhdimi i mandatit të Kelmendit në këtë mënyrë, do të shënonte një “rast famëkeq”.

Një kërkesë të dyshimtë i ka parashtruar gjatë ditëve të fundit rektori Marjan Dema, Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës (UP).

Dema i ka kërkuar Këshillit Drejtues të UP-së që t’i vazhdohet mandati edhe për katër vite të tjera sekretarit të Universitetit të Prishtinës, Esat Kelmendit, pasi mandati aktual i tij përfundon gjatë muajit tetor të këtij viti.

Mirëpo kërkesën e Rektorit Dema e ka cilësuar të jashtëligjshme Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës, i cili është organi më i lartë drejtues i universitetit më të madh publik në vend.

Insajderi ka siguruar një e-mail që kryesuesja e Këshillit Drejtues të UP-së, Ardiana Bunjaku, i ka dërguar rektorit Dema gjatë muajit të kaluar. Në këtë përgjigje për rektorin, Bunjaku shprehet se propozimi për vazhdimin e mandatit të Kelmendit është në kundërshtim me statutin e UP-së.

“Sipas Nenit 39 të Statutit të Universitetit të Prishtinës ju jeni i detyruar që propozimin e kandatit/es për këtë pozitë ta bëni vetëm pas përzgjedhjes së kandidatit/es në bazë të konkursit publik”, thuhet në këtë e-mail që Bunjaku i ka dërguar rektorit Dema.

Madje, kryesuesja e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës ka paralajmëruar rektorin se vazhdimi i mandatit të sekretarit Kelmendi në një mënyrë të tillë do të shënonte një “rast famëkeq” në Universitet.

Bunjaku e ndërlidh këtë mënyrë të propozimit të rektorit Dema, me aferën e përgjimeve “Pronto” – në të cilën aferë dyshohet se janë përzgjedhur njerëz të favorizuar nga një parti politike për pozita të larta drejtuese në institucione shtetërore, e ndërmarrje publike.

“Siç e dini Prokuroria e Shtetit ka ngritur aktakuzë në rastin ‘Pronto’ pikërisht për shkak të mohimit të së drejtës së konkurrimit të personave të kualifikuar për pozita publike”, i shkruan Bunjaku, Demës. “Besoj që asnjë nga anëtarët e Këshillit Drejtues e as ju personalisht nuk dëshironi që çfarëdo zhvillimi në Universitetin e Prishtinës të asocohet me këtë rast famë keq”.

Nënkryetarja e KD të UP-së: Kërkojmë që të hapet konkurs për pozitën e sekretarit

Se rektori Dema po tenton t’ia vazhdojë mandatin sekretarit Kelmendi në mënyrë të dyshimtë, e ka konfirmuar për Insajderin edhe nënkryetarja e Këshillit Drejtues të UP-së, Laura Kryeziu.

Në një bisedë telefonike, Kryeziu i ka thënë Insajderit se kërkesa e rektorit Dema është në kundërshtim me nenin 39 të statutit të UP-së.

“Ne kemi marrë një kërkesë të tillë për vazhdimin e kontratës. Unë e kam bërë qëndrimin tim edhe me shkrim, do të thotë është eksplicit, që ne duhet ta respektojmë nenin 39 të Statutit të UP-së, ku rektori mundet me na rekomandu kandidatë vetëm përmes konkursit publik”, është shprehur Kryeziu për Insajderin.

Kryeziu është shprehur se Këshilli Drejtues do të mbajë mbledhjen e radhës këtë të enjte, në të cilën pritet të diskutohet edhe për propozimin e dyshimtë të rektorit Dema.

“Në mënyrë kategorike unë kërkoj që të hapet konkursi për këtë pozitë”, është shprehur Kryeziu. “Për këtë qëndrim timin më ka mbështetur edhe Kryesuesja e Këshillit Drejtues [Ardiana Bunjaku, v.j]”.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema nuk e ka komentuar ende propozimin e tij për t’ia vazhduar mandatin sekretarit Esat Kelmendi.

Insajderi ka tentuar të marrë një përgjigje nga rektori Dema dhe sekretari Kelmendi, por ata nuk i kanë kthyer në pyetjet e Insajderit. Kanë preferuar të heshtin.

Exit mobile version