fbpx
Lajme

Revista gjermane Der Spiegel: Albin Kurti është anti-autokrat, i pathyeshëm dhe i pakorruptuar

Tani, nënvizon revista, Kosova gjendet para një ndërrimi të epokave. Në zgjedhjet e së dielës ka fituar Lëvizja e majtë Vetëvendosje e ish-udhëheqësit studentor Albin Kurti. Ai mbase do të jetë kryeministri i ri i Kosovës. 44-vjeçari ka qenë i burgosur në Serbi dhe gjatë qëndrimit atje është keqtrajtuar. Kurti prej vitesh është kritik i pamëshirshëm i establishmentit politik në vendin e tij. Ai gëzon prestigj të madh te populli, sepse konsiderohet i pathyeshëm dhe i pa korruptuar. Ai ka premtuar një kthesë radikale në Kosovë drejt një shtetit të sundimit të ligjit, qeverisjes me integritet dhe barazi sociale, shkruan reporteri i «Der Spiegel» Keno Verseck.

Revista thekson se VV qëmoti është partia më e madhe në Kosovë, por ka qenë e përjashtuar nga pushteti. Nga VV ndiheshin të kërcënuar pjesëtarët e establishmentit politik për shkak të programit reformues të VV-së. Kurti, sipas «Der Spiegel», konsiderohej si shkaktar turbullirash edhe nga ana e përfaqësuesve ndërkombëtarë. Prej disa vitesh rebeli politik Albin Kurti po përpiqet të jetë më kompatibël – para së gjithash në stil, por edhe përmbajtje. VV e ka braktisur dhunën, ai as nuk po e propagandon më idenë e bashkimit me Shqipëri, por po flet për një komb me dy shtete. Sipas «Der Spiegel» bashkësia ndërkombëtare e ka parë se komandantët e luftës e kanë futur Kosovën në qorrsokak, andaj Vetëvendosje nuk mund të injorohet më si faktor politik.

Revista gjermane parashikon negociata të vështira mes VV-së dhe LDK-së për shkak se një pjesë e LDK-së i përket establishmentit të komprometuar, ndërsa kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, konsiderohet politikane me integritet.

Me Kurtin si kryeministër Kosovën e presin kohëra që zgjojnë kureshtje. Interesante do të jetë të shihet si do ta pastrojë administratën e nepotizuar, si do ta luftojë korrupsionin dhe si t’ia të zbatojë politikat sociale. Ndaj fuqive mbrojtëse perëndimore, të cilat sipas tij kanë bashkëpunuar me elitën e korruptuar, ai shfaqet me vetëbesim antikolonial.

Sipas «Der Spiegel» zgjedhjet parlamentare të Kosovës të dielën janë një sinjal tjetër i fuqishëm për tërë Ballkanin Perëndimor, pas revolucionit në Maqedoni në vitin 2016. Por janë sinjal edhe për BE-në se shumica e votuesve janë të lodhur nga sundimtarët e korruptuar, të cilët prej vitesh konsiderohen gjoja partner të mirë të Brukselit. Në fillim të vitit në Shqipëri, në Bosnjë, në Mal të Zi dhe në Serbi dhjetëra-mijëra njerëz dolën në rrugë kundër sundimtarëve të korruptuar. Kosova nuk qe pjesë e kësaj pranvere të shkurtër ballkanike, por qytetarët e Kosovës tani thjeshtë e hoqën nga pushteti korrupsionin dhe autokracinë./GazetaTema

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close