REXHEP QOSJA: FADIL HOXHA MË MBRONTE MUA DHE KONCEPTIN E SHQIPËRISË ETNIKE
Akademik Rexhep Qosja, për Fadil Hoxhën, në Klan Kosova në vitin 2015, thotë: “Unë e di një gjë, Fadil Hoxha ka thënë të mbrojmë intelegjencën, sepse e ka ditur se tehu i sulmeve të Serbisë ishte drejtuar kundër intelektualëve të Kosovës. Në takimet që kam pasur me Fadil Hoxhën, Mahmut Bakallin dhe Xhavit Nimanin, ata i kam perceptuar duke bërë sjellje në pjesën më të madhe të dinjitetshme. Ata flijonin interesat e veta të ngushta dhe mendonin për interesat e Kosovës. Serbia ka bërë çmos që në vitin 1981 dhe 1982 të vëjë administratë ushtarake në Kosovë. Këtë tragjedi e ka parandaluar Fadil Hoxha”. Më tej akademiku I mirënjohur kosovar shprehet se: “Prej rreziqeve që më janë kanosur, jo vetëm për dënim politik, por edhe për pushim nga puna, edhe për burgosje, më ka shpëtuar një njeri që është figura më e shquar politike e Kosovës dhe quhet Fadil Hoxha. Ai në mënyrë të hapur u ka thënë zyrtarëve që vendosnin për fatin e intelektualëve, mbani duart larg prej Rexhep Qosjes.
Më kanë shkarkuar nga detyra e drejtorit, më kanë dënuar edhe partiakisht, por nuk më kanë burgosur. I kam një borxh moral e njerëzor Fadil Hoxhës dhe këtë e kam thënë hapur dhe shpjeguar në ditar. Të mos harrojmë se Fadil Hoxha ka qenë nxënës i Normales së Elbasanit dhe sado që ka qenë zyrtar i lartë në Jugosllavi, që zbatonte politikën e atij shteti, ishte atdhetar gjithëkombëtar. Kam pasur tri a katër biseda me të, në katër sy, dhe e kam ndjerë, e kam parë, dhe e kam përjetuar nostalgjinë që kishte Fadil Hoxha për Shqipërinë”.