Bedri Halimi
Raporti i vitit 2010, i hartuar nga senatori i atëhershëm zviceran, Dick Marty, dhe i miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, pretendon se në trafikim me organe kanë qenë të përfshirë udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë luftës së viteve 1998-99.
Mbi bazën e këtyre pretendimeve, u bë Gjykata speciale. Këto pretendime janë hetuar nga prokurori amerikan, Clint Williamson, i cili pati bërë të ditur se gjetjet e ekipit të tij nuk përfshijnë dëshmi të bazuara për trafikim organesh. Pra, ky verifikim u bë pasi u formua Gjykata Speciale.
Deri më tani, dihet se u ngrit akuzë për krerët e UÇK-së, si rezultat i së cilës, u burgosen Hashimi, Kadriu, Rexha e Jakupi. Pastaj u tha se duhet të zhvillohen hetime.
Ashtu si procesi i hetimeve, deri tani, kjo Gjykatë, nuk ka sjellë asnjë drejtësi për viktimat e pre supozuara, por ka bërë viktima figurat kryesore të UÇK-së, duke lënë për të kuptuar se i tillë ka qenë edhe qëllimi i formimit të Gjykatws… për ta bërë viktimë botërore Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila gjithsesi ka mbetur përjetësisht krenaria më e rëndësishme kombëtare e shqiptarëve.
Prandaj me të drejtë Kuvendi i Shqipërisë miraton rezolutën për raportin e Dick Martyt, duke e votuar unanimisht, rezolutën me të cilën synon të hedhë poshtë akuzat për trafikimin me organe të qenieve njerëzore gjatë luftës në Kosovë, pretendime që burojnë nga një raport i Këshillit të Evropës. Po, vërtet prokuroria nuk i ka futur këto akuza në aktakuzë, por mbi bazën e këtyre akuzave, Këshilli i Evropës e votoi rezolutën. Tani a duhet Këshilli i Evropës të deklarohet për këtë mashtrim? A duhet që dikush ta ngris zërin për t’ju drejtuar Këshillit të Evropës për këtë mashtrim? Dikush thotë se është shumë e vonuar kjo rezolutë e Kuvendit të Shqipërisë. Edhe nëse është kështu, atëherë cila është e keqja e Rezolutës së Shqipërisë? Dikush thotë se s’ka vlerë juridike. Po çfarë vlere juridike kishin të dhënat e shërbimit serbë e rus, që përfunduan me raport të Dik Martit dhe pastaj me rezolutë dhe jo vetëm kaq…?
Çka duhet të bëhet sipas kësaj logjike? Vetëm të ndihmohen avokatët mbrojtës? Kur mbi bazën e ndërhyrjeve politike u formua e tërë Gjykata, atëherë politika jonë a duhet ta fus kokën në rërë lidhur me këtë çështje duke bërë veprime të strucit?
Kryetari i Parlamentit të Kosovës, pas vizitës që u bëri krerëve të UÇK-së në Hagë deklaroi: “Kjo gjykatë është absolutiste, kjo gjykatë nuk është në kontrollin e askujt, kjo gjykatë madje nuk kanë mekanizëm as shtetet të cilat e financojnë me para këtë gjykatë dhe prej të cilave i marrin rrogat gjyqtarët, prokurorët dhe stafi i gjykatës pra në këtë kuptim natyrisht ata janë të pakënaqur ashtu siç është i pakënaqur edhe krejt populli i Kosovës për arsye se aktakuza e cila rëndon mbi ta lë hapësirë për inkriminimin e UÇK-së si të tillë, të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili ka qenë institucioni më i rëndësishëm i UÇK-së”….” Ajo gjykatë është aq e varur sa nuk m’u duk fare e Kosovës që është. “Kjo është sfidë e e popullit të Kosovës dhe duhet të jemi bashkë”.
Deklarimi se kjo rezolutë, ka mundur të bëhet më herët qëndron. Por a nuk është më mirë që u bë tani, se sa mos bëhej kurrë?
Përderisa fund e krye, doli se Gjykata u formua nga motive politike, e për qëllime politike, a nuk na duhet një politikë e jashtme më aktive për të gjitha gjërat, pra edhe për këtë çështje si nga shteti shqiptar ashtu edhe nga shteti i Kosovës?
Pra “politikë aktive në interes kombëtar dhe politikë aktive për t’u ndrequr një padrejtësi” siç potencon me të drejtë dr. Paskal Milo.
Lidhur me këtë dr. Enver Hasani, rezolutën e Shqipërisë nuk e sheh si nismë të vonuar. Ai thotë se “mandati fillestar i Gjykatës Speciale ka qenë hetimi i pretendimeve të ngritura nga Dick Marty për “trafikimin e organeve njerëzore”, pavarësisht asaj që ka deklaruar në vitin 2014 prokurori Williamson se “nuk ka pasur dëshmi për trafikim organesh”. Rrjedhimisht, sipas tij, mandati aktual i kësaj gjykate nuk është në harmoni me hetimin e këtyre pretendimeve.
Po, Këshilli i Evropës a mund të hartojë raport të ri për pretendimet e Martyt? Lidhur me këtë nga Këshilli i Evropës thonë se Asambleja e këtij institucioni mund të vendosë që të përgatisë dhe të debatojë raporte – përfshirë raporte vijuese – për çfarëdo teme që bie në mandatin e këtij Këshilli.
E një gjë e tillë “Do të varet shumë nga raporti i vendeve që do ta mbështesin. Do të varet shumë nga lobimi që do të bëjë jo vetëm Shqipëria, por edhe partnerët e Shqipërisë.
Prandaj, ngritja e kësaj çështjeje në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës “do të ishte akt politik dhe solidaritet i fuqishëm i Shqipërisë në adresë të shqiptarëve dhe udhëheqësve të UÇK-së”.
Lidhur me këtë çështje, me të drejtë ish ambasadorja e Kosovës në SHBA Vlora Çitaku thekson se “Nuk është fjala për çështje historike, politike, e identitare. Fjala është për bazën mbi të cilën janë ngritur akuza konkrete. Dhe kjo bazë, e ka një adresë në Beograd e një në Moskë. E ka një procedurë, shantazhin. Si dhe një qëllim, dëmtimin e imazhit të Kosovës”, ku gjithsesi duhet demaskuar përpjekjet serbe kundër lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, integrimit dhe konsolidimit të shtetit të Kosovës.
Në anën tjetër, ish-raportuesi në Asamblenë e Këshillit e Evropës, Dick Marty në një intervistë të publikuar kohët e fundit ka deklaruar se ka 16 muaj që është duke u mbrojtur nga policia zvicerane në shtëpinë e tij, deri në atë pikë sa edhe kur del jashtë shtëpisë është i detyruar të mbaj jelek anti-plumb, ndërkaq vetura e tij është e blinduar dhe e shoqëruar me mjete policie.
Gjithashtu pohon se është i kërcënuar me vdekje nga “elementë radikalë të shërbimit të inteligjencës serbe” dhe sipas tij vrasësit më pas do t’i fajësonin shqiptarët e Kosovës për këtë krim.
Edhe njëherë, lidhur me të gjitha për sa u thanë: e dimë se si u pranua, nga kush u pranua e si u votua Gjykata. E dimë kush e votoi, e kush jo, kush i ra pishman votimit etj. Çështja pra është çka duhet bërë, krahas zhvillimeve aspak të mira në Gjykatën speciale që rezulton me zhagitje, zhagitje, zhagitje.
E një nga nismat në këtë drejtim është edhe rezoluta e Parlamentit të Shqipërisë. A do të ketë nisma tjera pas kësaj, a do të shoqërohet me veprime tjera, kjo do të mbetet për tu parë, apo jo?