fbpx
Lajme

Riciklim: Specialja e e fton dëshmitarin rasti i të cilit u gjykua nga njëherë nga drejtësia ndërkombëtare në Kosovë

Imer Imeri është dëshmitari i radhës në Gjykatën Speciale kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Imeri është vëllau i Faik Imerit, i dyshuar dhe i raportuar për bashkëpunim me BIA-n serbe, shkruan lajmi.net.

Ai bashkë me Halit Sahitajn dyshohet se kishin fabrikuar dëshmitarë të rrejshëm kundër katërshes së UÇK-së.

Por nuk mbaron me kaq. Dëshmia e Imerit duket të jetë krejtësisht riciklim i proceseve të mëhershme gjyqësore nga drejtësia ndërkombëtare, konkretisht atë ndaj Sabit Gecit e Riza Alisë.

Për dëshmitë e Imerit, ishin gjykuar e dënuar Sabit Geci e Riza Alija.

Çka kishte ndodhur?

Sabit Geci dhe Riza Alija, akuzoheshin se kishte kryer krime lufte kundër popullsisë civile, në cilësi të pjesëtarit të UÇK-së, duke mbajtur post komandues në burgun e improvizuar  të Kukësit.

Gjykata e Qarkut në Mitrovicë, kishte shpallur fajtor Sabit Gecin për katër pika të aktakuzës për krime lufte kundër popullsisë civile si dhe për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Gjykata atë e kishte dënuar me një dënim unik prej 15 vjetësh burg dhe 4000 eurosh gjobë, për veprën penale- armëmbajtje pa leje, me aktgjykimin e shpallur më 29 korrik të 2011. Ndërkaq ishte liruar nga akuza se kishte kryer vrasje dhe se kishte dhënë urdhër për dhunim të integritetit trupor të disa civilëve.

Po në të njëjtin aktgjykim, Riza Alija ishte shpallur fajtor për dy pika të aktakuzës që e inkriminonin atë si kryes të krimeve të luftës kundër popullsisë civile, duke i shqiptuar një dënim unik prej 12 vjetësh burg.

Po i njëjti ishte liruar nga akuza se kishte bërë trajtim çnjerëzor ndaj të ndaluarve në kampe.

Gjykata e Qarkut në Mitrovicë kishte dënuar me 6 vjet burg Haki Hajdarin dhe me 7 vjet burg Shaban Hotin, po ashtu më 29 korrik në çështjen e njëjtë, duke e provuar dyshimin e bazuar se këta kishin kryer torturë ndaj civilëve në kampin në Cahan.

Ndërsa me 13 tetor 2011, për akuzat e njëjta kishte dënuar me 5 vjet burg Sali Rexhepin.

Geci dhe Alija, së bashku me Hajdarin, Hotin dhe Rexhepin, po ashtu akuzoheshin për trajtim çnjerëzor, rrahje me qëllim të nxjerrjes së pohimeve, shkelje të integritetit trupor të një numri të pacaktuar të të ndaluarve civilë në kampin në Cahan.

Sabit Geci ngarkohej po ashtu me veprën penale armëmbajtja pa leje.

Më datën 06.08.2010 Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzën kundër Sabit Gecit dhe Riza Alisë, me pretendimin se këta kishin kryer krime luftë kundër popullsisë civile në vitin 1999.

Këto krime sipas pretendimit të aktakuzës ishin kryer kundër të ndaluarve në dy kampet, Kukës dhe Cahan, që të dyja  të drejtuara nga UÇK -ja në territorin e Shqipërisë.

Katër muaj më vonë, më 29 dhjetor 2010 u ngrit aktakuza kundër të pandehurve Haki Hajdari dhe Sali Rexhepi për shkak të keqtrajtimit të civilëve në kampin në Cahan.

Dy muaj më vonë, më 16 Shkurt 2011, prokuroria mori vendim për zgjerim të hetimeve penale duke cilësuar si të dyshuar Shaban Hotin për veprime inkriminuese në po këtë kamp dhe vetëm 9 ditë pas (25.02.2011) kishte ngritur aktakuzë ndaj personit në fjalë.

Pas një kërkese të iniciuar nga ana e Prokurorisë Speciale për bashkimin e lëndës së të pandehurve Haki Hajdari dhe Sali Rexhepi nga një anë dhe Shaban Hotit nga ana tjetër, gjykata kishte vendosur më 2 mars 2011 që lëndët e përmendura të bashkoheshin. Aktakuzat në fjalë janë konfirmuar me aktvendim më 25 mars të po atij viti.

Edhe pse gjykimi i Gecit dhe Alisë kishte filluar  më parë, se gjykimi i tre të pandehurve tjerë (Rexhepit, Hajdarit dhe Hotit), Prokuroria kishte kërkuar bashkimin e këtyre dy lëndëve në një proces gjyqësor.

Pretendimi i prokurorisë konsistonte në atë se në 11 seancat e para që ishin mbajtur në rastin gjyqësor të Gecit dhe Alijës ishin deponuar prova vetëm për krimet e luftës që kishin ndodhur në kampin e Kukësit. Kurse nga ana tjetër, që të pesë të pandehurit ishin inkriminuar për vepra që kishin ndodhur në kampin e Cahanit, në periudhën e njëjtë kohore.

Palët kishin rënë dakord për bashkimin e dy proceseve gjyqësore në një të vetme, derisa avokati i Sali Rexhepit kishte kërkuar veçimin e procedurës së klientit të tij, meqë ky i fundit është dashur t’i nënshtrohet urgjentisht operacionit të zemrës.

Si rezultat i veçimit të procedurës, aktgjykimi për katër të pandehurit (Geci, Hajdari, Hoti, Alija) ishte marrë më 29 korrik të 2011, përderisa aktgjykimi për Sali Rexhepin është shpallur më 13 tetor 2011.

Ndaj aktgjykimeve mbrojtja qe ankuar brenda afatit ligjor.

Avokatët mbrojtës të Gecit, në ankesë ndër të tjera kishin theksuar se krimet nuk ishin kryer në territorin e palës së konfliktit të armatosur, andaj normat ndërkombëtare në këtë rast janë të pazbatueshme. Për më tepër, në ankesë ishte theksuar se nuk ka pasur dëshmi se Geci ka pasur pozitë hierarkike ushtarake në kampin e Cahanit.

Cahani është një lokalitet në veri të Republikës së Shqipërisë.

Mahmut Halimi, mbrojtës i Sabit Gecit, gjithashtu shtoi se “UÇK-ja nga dhjetori i vitit 1998 i ka pasë të mbuluara të gjitha strukturat komanduese” duke shtuar se i mbrojturi i tij nuk ka mundur të jetë në pozita komanduese

“S’kam mohuar se kam qenë në Kukës dhe Cahan, e as që kam qenë pjesë e UÇK-së qysh prej 96-ës, e as që lufta na u imponua, nuk shkova në luftë me vullnet”, deklaroi Sabit Geci.

“Unë s’jam politikan, mos i keqkuptoni këto fjalitë e mia si ndonjë politikë e caktuar” shtoi Geci.

Avokati Halimi ndër tjera thotë se është aplikuar gabimisht ligji penal, sepse nga një vepër e vetme penale që ndjekej fillimisht nga prokurori, bëhen gjashtë vepra penale me ndërrimin e prokurorit të rastit.

Përfundimisht dënimi prej 15 vjetësh për Gecin është cilësuar si tejet i ashpër nga mbrojtësit, sepse sipas avokatëve veprat për të cilat ai është dënuar, është dashur që të rikualifikohen në një vepër të vetme.

Ankesa e Riza Alisë thoshte se është konstatuar gabimisht nga ana e gjykatës, se i dëmtuari Imer Imeri ishte rrahur në mënyrë konstante nga i pandehuri, kur Imeri vetë kishte thënë se vetëm dy herë është rrahur nga Alija. “Kemi vetëm dy deklarata të dëshmitarëve që thonë se i mbrojturi im (Riza Alija) ka mshu pesë apo gjashtë boksa”, thotë mbrojtësi i të pandehurit Riza Alija, Gëzim Kollqaku.

Për më tepër, Alija ishte dënuar për rrahjen e dy dëshmitarëve tjerë të cilët ose nuk kanë dëshmuar fare, ose nuk e kanë fajësuar Alinë për këtë veprim. Gabimi tjetër i gjykatës, sipas ankesës, qëndron aty se është marrë deklarata e Imerit si e besueshme kur në fakt ky i fundit nuk ka mundur ta identifikojë fotografinë e Riza Alisë.

Avokati Gëzim Kollqaku shtoi se i mbrojturi i tij 99% të kohës ka qenë në vijën e frontit, jo në kampin e Cahan-it, i cili as që ka mundur të lirojë ose mbajë dikë në kampin në Cahan, pasi që nuk ka qenë pjesë komanduese e hierarkisë.

Sipas tij, “në mungesë të provave materiale, klienti i tij [duhet] të lirohet, ose të ketë një rigjykim të rastit”.

Edhe ankesat e Hajdarit, Hotit dhe Rexhepit kishin kritikuar dispozitivin e aktgjykimit si mospërputhes me arsyetimin, si dhe kishin cilësuar dënimet e dhëna si të ashpra dhe pa u marrë parasysh rrethanat lehtësuese.

Mbrojtësit e tyre, avokatët Gani Rexha, Agim Lushta dhe Qazim Qerimi mbështetën ankesat e tyre për kundërshtimin e aktgjykimit.

“Mbështes deklaratat e kolegëve të mi sa u përket çështjeve të përgjithshme”, deklaroi Qazim Qerimi i cili kërkoi nga trupi gjykues që t’i heqë masën e paraqitjes në stacionin policor klientit të tij. Mirëpo e njëjta u kundërshtua nga prokurorja e apelit, e cila kërkoi gjithashtu që të refuzohen ankesat e mbrojtësve.

Të gjithë të dënuarit kishin apeluar, duke cilësuar dispozitivin e aktgjykimit si të pakuptueshëm dhe kundërthënës me arsyetimin.

“Nuk do kërkoj asnjëherë mëshirë, por vetëm drejtësi, por nuk jam i sigurt se do e gjej” ishin fjalët e Sabit Geci në seancë.

Ai deklaroi se si policia e UNMIK-ut e kishte shqetësuar periodikisht, duke u munduar që të përfitojë nga ai informata për njerëzit që sipas tij kanë qenë viktima, përderisa EULEX-i dhe pse e kishte dënuar me 15 vjet burg, kurrë nuk i kishte bërë shtypje me anë të pyetjeve dhe nuk e kishte shqetësuar ndonjëherë.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close