Rigjykimi i Enver Sekiraqës: Gjykata ia vazhdon për dy muaj paraburgim
Gjykata Themelore e Prishtinës ka caktuar dy muaj paraburgim ndaj Enver Sekiraqes, i akuzuar për nxitje të vrasjes së policit Triumf Riza. Kjo gjykatë do ta nisë nga fillimi gjykimin e Sekiraqes, pasi Apeli muajin e kaluar e ktheu në rigjykim.
Masën e paraburgimit për dy muaj ndaj Enver Sekiraqes e ka konfirmuar për Gazetën Express, avokatja e tij Kosovare Kelmendi.
“Po, para një jave gjykata ka caktuar paraburgimin për dy muaj ndaj klientit tim”, ka thënë Kelmendi.
Ajo ka treguar se nuk është ankuar ndaj këtij vendimi, pasi thotë se pret që masa e sigurisë ndaj të akuzuarit për nxitje të vrasjes të shqyrtohet në seancën e parë të rigjykimit të këtij rasti, në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Gazeta Express më 30 tetor 2017 ka raportuar se Gjykata e Apelit ka kthyer në rigjykim rastin e Enver Sekiraqes që ishte dënuar me 37 vite burgim për nxitjen e vrasjes së policit Triumf Riza.
Ndryshe, i akuzuari Enver Sekiraqa më 19 tetor 2017 u lëshua në arrest shtëpiak me një vendim të Gjykatës së Apelit. Por, i njëjti u kthye pas më shumë se 24 orësh në burgun e Dyzit, pasi shkeli disa nga ndalesat që gjykata i kishte caktuar në vendimin për ndryshim të masës së sigurisë ndaj tij.