Diplomati austriak Albert Rohan shfaqet i gëzuar sa herë dëgjon lajme të mira nga Kosova.
Shtetin e ri, ish-ndërmjetësuesi i dialogut Kosovë-Serbi në Vjenë, e cilëson si foshnje të veten, meqenëse ia ka hartuar statusin e Pavarësisë.
Ai nuk ka asnjë dyshim që pakoja e njohur si Plani i Ahtisaarit për Kosovën ishte pothuajse perfekte.
Mirëpo, zëvendësi i Marti Ahtisaarit do të bënte përmirësime në pikat që kanë të bëjnë me Asociacionin e Komunave Serbe, po qe se gjërat do të ishin kthyer dhe një herë në dorën e tij.
“Kur e mora nga kapitulli europian ishte e qartë se çfarë është.Por në brendësi dhe kur shikohet nga pozicioni i serbëve do të duhej ta bëja më të qartë duke thënë se komunat mund të bashkëpunojnë në një Asociacion këshillues. Do të fusja fjalën këshillues”, thotë Rohan për Klan Kosovën.
Diplomati i pensionuar austriak e pranon që ka krijuar lidhje emocionale me Kosovën.
“Kosovën në një farë mënyre e konsideroj si foshnjën time. Natyrisht ju jeni të lumtur dhe krenar kur sillet mirë dhe është e suksesshme, zemra ime është aty’, shton ai.
Për shkak të kësaj lidhje, ai pothuajse çdo ditë interesohet se çfarë po ndodh me shtetin e ri.
“Nëse lexoj lajme të mira jam i lumtur, nëse lexoj lajm të keq, them: O zot, ja
përsëri ata”, shpjegon Rohan.