Epilogu

Rrëfehet “atentatori”: Kjo është e vërteta e atentatit ndaj Ramiz Alisë

Këto ditë mund të shohësh shpesh në kryetitujt e gazetave emrin e Ramiz Alisë. Është një rikthim tek disa histori të vjetra, që ribotohen ose ripërtypen nga mediat. Një prej tyre është ajo për një atentat të dështuar ndaj Ramiz Alisë.

Për këtë atentat u akuzua tropojani Skënder Haluci, tashmë gjyqtar. Thuhet se Ramiz Alia vendosi t’ia falë jetën.

Por çfarë thotë vetë Haluci, i cili duhet të rishpjegojë sërish për të disatën herë këtë gjë?

“Atentatet ndaj Ramiz Alisë në Has dhe në Tropojë janë atentate të sajuara nga Sigurimi i Shtetit. Në Has vërtet është arrestuar dikush me një granatë në xhep dhe për këtë janë pushkatuar dy persona, por ata kanë pasur hasmëri mes dy familjeve dhe konfliktin e kanë pasur mes tyre, jo me Ramiz Alinë. Sigurimi e dinte mirë këtë. Ditën e vizitës së Ramiz Alisë, për shkak të përqendrimit të madh të policisë, personat në fjalë janë kapur me armatim dhe janë etiketuar si tentativë për atentat ndaj Ramiz Alisë. Ata janë arrestuar atë ditë… Rasti i Tropojës është një përrallë e vërtetë. Ramiz Alinë e kanë pritur me entuziazëm të madh”, thotë Haluci për gazetën Panorama.

Ai thotë se më 24 nëntor është arrestuar ai së bashku me djalin e xhaxhait, Isuf Haluci me akuzën se donin të vrisnin Ramiz Alinë.

“Ne jemi arrestuar gjashtë muaj më vonë. Ramizi ka ardhur diku nga qershori apo korriku i atij viti dhe ne jemi arrestuar më 24 nëntor 1983”.

Haluci thotë se falja e jetës së tij nuk ka lidhje me një qëndrim më tolerant të Ramiz Alisë.

“Nuk është e vërtetë se Ramiz Alia ishte më i zbutur në qëndrimet dhe gjykimet e tij. Gjatë dhe pas asaj vizite të paharruar për hasjanët dhe tropojanët, në Has dhe në Tropojë janë arrestuar, torturuar dhe dënuar me afate të gjata burgimi mbi 30 veta. Nga pranvera e vitit 1983, kohë kur ka ndodhur turi politik për promovimin e Ramiz Alisë si pasaardhës i Enver Hoxhës, pasi në atë kohë thuhej se Enver Hoxha ishte në gjendje të keqe shëndetësore fizike dhe mendore, deri në pranverën e vitit 1985 janë pushkatuar 5-6 persona nga kjo zonë, të cilët do të mundohem t’i kujtoj me emra, Tom Ndoja dhe Sokol Sokoli, pushkatuar pas revoltës që kishte ndodhur në burgun e Qafë-Barit në maj të vitit 1984, Shkëlzen Doçi, pushkatuar më duket më 9 prill 1985, në kohën kur po jepte shpirt krimineli Enver Hoxha, pa harruar këtu edhe hasjanët që u ekzekutuan pas vizitës së Ramiz Alisë në Has.

Thuhet dhe unë e besoj këtë se Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë së Punës në atë kohë i Tropojës, ishte Bajram Nezaj, i cili i ka thënë Ramiz Alisë se pushkatimet e të rinjve në veri nuk janë pritur mirë nga popullata dhe kanë krijuar shumë zemërim. Një nga arsyet e ndryshimit të vendimit të dënimit tim me vdekje ka qenë kjo. Nuk dua më të merrem me këtë histori se kam 50 vjet që përndiqem nga ajo”.

Exit mobile version