Rrëfimi i të ndjerit Murat Jashari për plagosjen e Vllasit: Në ora 06:04 kam marrë abdes
VITI 2016: Rrëfimi që Murat Jashari, për ditën që ai kreu sulmin me armë zjarri ndaj avokatit Azem Vllasi është i mbushur me plot kontradikta të cilat takohen tek një version: problemet mendore siç pretendon ai. Insajderi sjellë rrëfimin e plotë që Jashari ka dhënë para autoriteteve për ditën kur kreu sulmin.
Ishte zgjuar fiks në 05:46. Kishte larë sytë, e më pas kishte ndezur një cigare. Fiks 18 minuta më vonë kishte kryer dy obligime fetare, një të fesë myslimane e një tjetër të fesë katolike.
Pak kohë më vonë do të pinte një gotë raki dhe do të provonte ta vriste Azem Vllasin.
“Në ora 06.04 kam marrë abdes, jam kthyer nga Manastiri qyteti i shenjtë i yni, kam ba kryq për ortodoksë shqiptarë, për katolikë shqiptarë, paraardhësit tanë dhe ata qe jetojnë. Katër reqate i kam falë, babë e nën mysliman, dova nuk di por për hir të prindërve dhe myslimaneve popullit tim shqiptar”, rrëfehet Jashari, para gjyqtares së procedurës paraprake në Gjykatën Alltëne Mureseli.
Rrëfimin e tij e ka siguruar Insajderi, të cilën e sjellë së bashku me aktvendimin e prokurorit special Sylë Hoxha, për nisjen e hetimeve ndaj Jasharit dhe të tjerëve, të dyshuar si bashkëpunëtor të tij.
Pasi kishte kryer ritet fetare, në orën 06:45 Jashari rrëfen sesi kishte nxjerrë revolen dhe në të kishte futur një plumb.
Më pas ishte nisur nga hotel “Fontana” që gjendet në periferi të kryeqytetit, kishte zbritur në qendër. Aty kishte blerë gazetat ditore dhe kishte hyrë në lokal.
“Kam pi një kafe, një gotë raki, një gotë ujë…”, rrëfehet Jashari.
Kishte pritur deri sa të bëhej ora 07:40. Pesë minuta më vonë, Jashari kishte filluar ta bëjë planin për të shkuar në zyrën e Vllasit, të cilin e plagosi. Jashari thotë se nuk e ka pasur në plan të vras atë.
“Në ora 07:45 shkova me rrahë në zile tek Azem Vllasi. Doli në derë por nuk e hapi derën si shqiptar, dhe me pyeti se kush jam. Kam thënë Avniu jam. Për çka ke ardhë, jam prej Matiqani dhe kam një kontest”, rrëfehet Jashari.
Jashari ka rrëfyer të martën, se ai nuk ka dashur vetëm ta plagosë Vllasin. Madje sipas tij, ai e ka gjuajtur në bark e jo në kraharor.
“E kam gjuajtur me mendimi timin në bark për ta plagosur, dhe e kam gjuajtur me vetëm një plumb, vetëm që të hjek edhe ky person për jetë”, rrëfehet Jashari.
Në fillim të deklaratës së tij, Jashari pranon edhe diçka që përthekon krejt veprimet e tij kontradiktore.
“Unë jam refugjat në Zvicër sepse kam ikur qe 30 vite dhe nuk jam shtetas i Zvicrës, por vetëm banor dhe e kam vizën e përhershme, ndërsa për shkaqe të sëmundjes time psiqike që kam, nuk punoj”, thotë Jashari në fillim të rrëfimit të tij.
Aty ai shpjegon edhe urrejtjen e tij siç thotë patologjike ndaj Azem Vllasit.
“Me Azem VIlasin kam urrejtje patologjike për të gjitha çka i ka bërë në vitet tetëdhjeta. Kam pas për qëllim për 11.03.2017 me e plagos që të hjek në këtë bazë”, ka rrëfyer Jashari.
Sipas aktvendimit të autoritete zyrtare, “ekziston dyshimi i bazuar, se me datën 13.03.2317, rreth orës 07:45, me dashje që ta privoj nga jeta Azem Vllasin, ish-udhëheqës i lartë i si person zyrtar, e duke vlerësuar si tradhtar të çështjes kombëtare”, Murat Jashari ka gjuajtur Vllasin në kraharorë me “revole sinsilator- shurdhues kalibri 7.65 mm” duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.
“Me këtë kishte për të kryer veprën penale: Hakmarrje në tentative nga neni 396 par 2 lidhur me nenin 28 të KPRK-së. Me datën 13.03.2017 gjate kontrollit ne motelin “Fontana” te pandehuri Murat Jashari është gjetur një revole e tipit Cervena Zastava model 70 e kalibrit 7.65 mm me një karikator dhe 7 fishek dhe silenciator shurdhues te cilën e ka poseduar pa lejen e organit kompetent”, thuhet në aktvendimin e Prokurorisë Speciale.
Prokuroria dyshon se Jashari kishte për bashkëpunëtor edhe dy persona të tjerë.
Por përderisa Jashari shfajëson komplet nga akti dy persona të tjerë të arrestuar si bashkëfajtor, Avni Llumnicën dhe Arsim Brahimin, autoritetet e thonë të kundërtën.
Sipas Prokurorisë, Llumnica i ka ditur veprimet e Jasharit. Madje i ka siguruar edhe vend për të fjetur në shtëpinë e tij në Barilevë.
“Pas kryerjes së shenjës me armë dhe plagosjes se viktimës Azem Vllasi, të pandehurin e merr me automjet të tij për ta dërguar te moteli Fontana dhe pastaj për tu larguar nga Kosova ne drejtim te Zvicrës por kur kanë shkuar te moteli pjesëtarët e policisë kanë arrestuar që të dy”, thuhet në aktvendim.
Ndërsa Arsim Brahimi, dyshohet se ka ndihmuar Jasharin, duke e strehuar në motelin “Fontana” në Prishtinë, pa e regjistruar në mënyre të rregullt si klient.
“Duke e strehuar në motelin e tij pasi që i dyshuari kishte kryer veprën e përshkruar në dispozitvin një ndaj Av. Azem Vllasi, kishte për të kryer veprën penale: Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes te veprave penale…”, thuhet në aktvendim.
Por Jashari thotë se as Llumnica e as Brahimi nuk kanë lidhje me aktin e tij ndaj Vllasit.
Ai ka një rrëfim tjetër për ta por megjithatë tregon se nuk iu kërkuan dokumentet në hotel.
“Atë natë kur kam shkuar në hotel, respektivisht unë kam qenë mysafir i Avniut dhe ai ma ka paguar natën e parë ndërsa të nesërmen kam paguar unë, kurse sa i përket dokumenteve recepsionisti nuk më ka kërkuar dokumente për qëndrim në hotel”, rrëfen Jashari, teksa i garanton gjykatës se nuk do të ikë dhe nuk do të largohet nga vendqëndrimi i tij.
E Brahimi, në rrëfimin e tij thotë se si recepsionist në hotelin “Fontana” e ka takuar Jasharin pasi ai ka qenë i vendosur në hotel dhe se nuk e ka ditur nëse ka qenë apo jo i regjistruar.
“Recepsionisti që ka qenë një nate më herët më ka thënë se ia kishin kërkuar dokumentet por i ka thënë se do t’ia sjell më vonë ashtu që vetëm kur më kanë thirrur mua se kinse ka një problem në hotel, Murati më ka treguar se është i vëllai i komandantit Ismet Jashari Kumanova. Unë nuk kam pas kontakte e as kurrfarë pune me asnjërin prej këtyre dyve e as me Muratin i cili ka qëndrua ne hotel”, rrëfen Brahimi.
Prokuroria thotë se Llumnica kishte planifikuar edhe largimin e Jasharit nga Kosova në Zvicër.
Vet Jashari e pranon se Llumnicën e ka mik qe 20 vjet. Pas plagesës së Vllasit, miqësia e tyre do të vazhdojë të jetë një argument edhe për autoritetet e drejtësisë. /Insajderi.com