Epilogu

Rrënqethëse: Historia e Meritës e cila la shkollën si 16 vjeçare për t’iu bashkuar UÇK-së

Gazetari Arsim Lani ka treguar një histori rrënqethëse për shoqen e klases e cila iu bashkua UÇK-së në moshën 16 vjeçare.

Ja tregimi:

Misioni për ta liruar nga burgu shoqen e klasës

Mungesat në klasë ishin bërë të zakonshme. Ishte kohë lufte dhe gjithçka pritej. Askush, as profesorët, nuk pyeste pse s’erdhi filani në mësim. Granatimet e një nate më parë ishin tregues se të nesërmen klasa mund të ishte me pak nxënës.Kur luftimet pushonin, ne i ktheheshim shkollës. Por u bwnw disa ditw dhe Merita nuk po vinte nw shkollw. E dinim të gjithë se edhe ajo i ishte bashkuar UÇK-së, por nuk flisnim shumë haptas. E bisedonim vetëm në grupe të vogla. Nga muhabeti me këto grupe në klasë morën vesh se Merita ishte nisur me një grup ushtarësh në Shqipëri për t’u armatosur. Një rrugë e zakonshme që e merrnin shumë nxënës të shkollës.“

Shuni se lajmet”. Kërkesa e çdo mbrëmje u dëgjua edhe atë natë. Me sytë ka televizori prisnim çka ka për të thënë Muftafë Muça që atë natë ishte në prezantim. Ishte kohë lufte dhe vetëm lajme të mira nuk mund të prisnim. Edicioni i mbrëmjes filloi me Betejën e Pashtrikut. Mustafa dha lajmin se grup i madh i ushtarëve të UÇK-së, kishte rënë në pritë në Kufirin Kosovë-Shqipëri. Në këtë betejë, bashkë me Mujë Krasniqin, kishin rënë shumë vetë. Njoftoi po ashtu se edhe 9 vetë ishin zënë të gjallë nga forcat serbe. “Në mesin e tyre”, vazhdonte lajmi, “edhe e mitura 16 vjecarja, M.R”. E dija se ishte fjala për Meritën.

Të nesërmen në klasë nisëm bisedat se çka duhet të bëjmë për Meritën. Pos që ishte nxënëse e klasës e kisha edhe shoqe të mirë. Dikush e dha idenë e peticionit. Menjëherë filluam mbledhjen e nënshkrimeve nën tekstin e një letre drejtuar Kryqit të Kuq Ndërkombëtarë përmes së cilës kërkonim lirimin e Meritës dhe kthimin e saj në shkollë.U vendos edhe grupi i përbërë nga 5-6 nxënës që do të udhëtonim për në Prishtinë. Për disa nga ne ishte hera e parë që vinim në kryeqytetin e Kosovës. Me gjithë dyshimet nëse do të arrinim në Prishtinë u nisëm. Më dukej se po nisesha në një mision të shenjtë. Nuk e kisha idenë e frikës, ndonëse po shkoja me shokët e klasës për të kërkuar nxjerrjen nga burgjet serbe një “terroriste” shqiptare. Arritëm te stacioni i autobusëve në Prishtinë. Adresa ishte Kryqi i Kuq Ndërkombëtar. Haber nuk kishim se ku ndodheshin zyrat. Secilin polic që e shihnim nw qytet, mendonim se ai e di “misionin” tonë. Duke pyetur njerëz, arritëm tek ndërtesa e Kryqit të Kuq që ndodhej aty ku sot i ka zyrat KQZ-ja. U treguam arsyen e ardhjes. Në recepsion na thanë se duhet te presim derisa dikush të vij të na marr. Pas 10 minutash erdhi një djalë i ri të cilit duket se nuk ia mbushem syrin. “A ju jeni a?!”, pyeti i mbushur frymë e më pas vazhdoi: “për juve m’u desht me zbrite prej katit më të naltë e tash duhet apet m’u ngjit atje nalt”. Ne që kishim ardhur nga një zone lufte e kishim kaluar dhjetëra punkte policie me një “mision të rrezikshëm”, nuk i thamë asgjë atij që lodhej nga ngjitja dhe zbritja e shkallëve. Nejse, në zyrën e atij katit të lartë na priti një zonjë. Ishte shumë e sjellshme me ne. Peticionin që e mbanin të fshehur diku në rroba, ia dorëzuam bashkë me kërkesën për lirimin e Meritës.

Ajo zonjë, që në bazë të folmës dukej se ishte franceze, na premtoi se do të angazhohej që nëse jo lirimin e Meritës, të ndikojë që të pakën burgun mos ta mbaj në Nish atje ku e kishin dërguar, por në Prishtinë. Nga takimi dolëm si triumfues. Kishim një ndjesi se bëmë diçka për shoqen e klasës. Sfida e radhës ishte gjetja e stacionit të autobusëve e më pas kthimi në Skënderaj. Ishte dhjetori dhe filloi herët të errësohej. Prishtina e panjohur për ne, dukej edhe më e frikshme. Meqenëse linjat e autobusit për Drenicë ishin shumë të rralla, vendosëm që kthimin ta bëjmë përmes Mitrovicës. Gjithçka shkoi siç e menduam deri në Vushtrri. Në hyrje të qytetit policia po ndalonte çdo automjet. E ndaluan edhe autobusin ku ishim ne. Disa policë u futën brenda dhe nxirrnin me dhunë të gjithë burrat dhe djemtë. Më urdhëruan të dal unë. Shoqja e klasës Valdetja filloi me kajtë. Unë u tutsha, por u bajsha kishte s’po ma nin. Kur me pyeti polici ku ke qenë, m’shkoj njëfarë mene që po e din për “mision” por i thash se jam nxënës në Prishtinë dhe po kthehem në Mitrovicë. Me një shtrëngim mas qafe, me futi brenda. Valdetja ish kanë t’u kajtë hala.

Mezi prisnim takimin me shokët tjerë të klasës për t’ju treguar se misioni nga ana jonë u krye me sukses. Ishim të bindur që kishim bërë diçka shumë të madhe. Me naivitet, prisnim që pas kërkesës tonë, Merita ose të lirohet ose të vuaj dënimin në Kosovë. Kaluan shumë kohë dhe kjo nuk ndodhi. Lirimi i Meritës ndodhi vetëm atëherë kur u bë shkëmbimi i pengjeve të luftës. UÇK-ja pranoi t’i dorëzoi disa ushtarë serbë të zënë në rajonin e Shalës në këmbim të Meritës dhe disa shokëve të tjerë që ishin zënë në Betejën e Pashtrikut.Pas lirimit nga burgu, Merita vazhdoi luftën deri në çlirimin e Kosovës. Sot ajo jeton me familjen e saj që e ka krijuar.

Exit mobile version