Rreth 400 nxënës të kryeqytetit në kurse të fesë islame – MASHT s’di asgjë për këtë aktivitet
Këshilli i Bashkësisë Islame në Prishtinë që operon në bazë të rregullave të BIK-ut po i shfrytëzon pushimet verore për t’i mësuar për fenë islame, rreth 400 nxënës të shkollave të mesme e fillore të kryeqytetit. Ky Këshill, përveç këtij kursi po insiston që mësimi – besimi të jetë lëndë obligative në shkollat laike. MASHT ndërkaq në një përgjigje për Gazetën Express lë të kuptohet se nuk është në dijeni për këto kurse e as çfarë ligjërohet aty. Kurse të tilla po mbahen edhe në pjesë tjera ku jetojnë shqiptarët. Në Preshevë një mësuese e fesë është shfaqur me burka para nxënësve të mitur duke shkaktuar një valë reagimesh.
Kurse të njëjta organizohen që nga viti 2000 në Kosovë, dhe ato vazhdimisht mbahen në xhami dhe medrese.
Organizimi i kursit të mësim-besimit nga Këshilli i Bashkësisë Islame ka filluar më 2 korrik 2019 dhe do të përfundojë më 25 korrik.
Gazeta Express ka kontaktuar Bashkësinë Islame të Kosovës të cilët kanë thënë se ky kurs është i organizuar nga Këshilli i Bashkësisë Islame dhe jo nga BIK-u.
Krye imami i Këshillit të Bashkësisë Islame Burhan Hashani për Express ka thënë se kursi nuk është kurs i mësim-besimit por kurs veror ku ligjërohen edhe lëndët tjera si Gjuhë Angleze, Edukatë Fetare dhe Qytetare dhe Edukatë fizike përpos ligjëratave elementare për fenë.
Sipas tij ky kurs organizohet në shtëpinë e tyre në Medresenë Alaudin që është organ dhe institucion i BIK-ut.
“Medreseja Alaudin është organ dhe institucion i Bashkësisë Islame të Kosovës ku pjesë e saj është edhe Këshilli i Bashkësisë Islame Prishtinë. Pra jemi në shtëpinë tonë dhe ky kurs veror një mujor është organizim i brendshëm i institucioneve te Bashkësisë Islame te Kosovës”.
I pyetur për kualifikimin e mësimdhënësve që ligjërojnë lëndët në këtë kurs, Hashani ka thënë se ata kanë përgatitje superiore.
“Sa i përket mësimdhënësve: Njohuri për fenë ligjëron: Dr.Besnik Llumnica, Mr.Shuajb Grajçevci, Sami Fetahu (studime posdiplomike) dhe Qemail Sopi (studime posdiplomike). Gjuhë Angleze : Dr.Safa Gjikoli.Edukatë Fizike : Jahja Rudari (përgatitje superiore)”
Por krye imami nuk i ka bërë publike emrat e mësimdhënëseve që ligjërojnë Edukatë Fetare dhe Qytetare por vetëm i ka cilësuar me përgatitje superiore.
“Edukatë Fetare dhe Qytetare dy mësimdhënëse me përgatitje superiore (Fakulteti i Edukimit)”
Sipas Krye imamit Hashani, kursi i organizuar është pa pagesë, kurse mësimi aty zgjat 3 orë e 20 minuta, fillon në ora 09:00 dhe mbaron në orën 12:20.
Por në Ministrinë e Arsimit nuk është se janë të informuar shumë rreth këtyre kurseve, e as nuk thonë asgjë për mësimdhënësit.
Zyrtari nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Valmir Gashi është shprehur se sistemi arsimor në Kosovë është laik.
“Sistemi arsimor në Kosovë (publik e privat) me ligj dhe sipas dokumenteve kurrikulare është laik dhe feja/religjioni nuk mësohet si lëndë mësimore në asnjë nivel të shkollimit, përveç në shkollat fetare (medrese, fakultet të studimeve islame ).
Gashi ka shtuar se nxënësit mësojnë për fenë vetëm si pjesë të kulturës njerëzore.
“Megjithatë, sipas kurrikulës, nxënësit mësojnë për fenë si pjesë të kulturës njerëzore në kuadër të lëndëve të ndryshme mësimore të shkencave humanitare”. /GazetaExpress/