Epilogu

Rrëzimi i qeverisë “Kurti”, mediat gjermane me Kurtin: Veprim i marrë!

Mediat gjermanishtfolëse i kushtojnë vëmendje krizës politike në Kosovë e rrëzimit të qeverisë pas mocionit të mosbesimit.

Thuhet se që me krijimin e qeverisë shpërtheu një luftë e ashpër pushteti mes Thaçit e Kurtit.

Gazeta “Neue Zürcher Zeitung” në një artikull me titull “Rrëzohet qeveria e Kosovës – SHBA marrin situatën në dorë” nënvizon se që të rrëzohet një qeveri në mesin e krizës së coronës, konsiderohet edhe në Ballkan si veprim i marrë.

“Motivi që doli në krye ishte një grindje për menaxhimin e duhur të krizës së Coronës. Kreu i qeverisë, Kurti refuzoi të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, si e kërkonte presidenti Thaçi.

Por realisht që me krijimin e qeverisë ka shpërthyer një luftë e ashpër pushteti mes të dyve, që e pengon edhe më shumë aftësinë vepruese të shtetit të brishtë në një situatë krize.”

“Neue Zürcher Zeitung” thekson armiqësinë mes Thaçit e Kurtit që nga fundi i luftës për pavarësi në vitin 1999. Por kjo luftë për pushtet ka edhe një dimension ndërkombëtar, analizon gazeta zvicerane. “Këtu bëhet fjalë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, që edhe 20 vite pas luftës ende përmban potencial të madh konflikti.

Po kaq gjatë kanë qenë të një mendimi edhe SHBA e Europa në çështjet kryesore.[…] Parë më me hollësi ka qenë Uashingtoni, ai që ka ecur përpara në politikën e Kosovës. Dhe europianët i kanë shkuan pas mbas një farë kohe.

A është edhe tani ky rast?…Thaçi mbështetet nga i ngarkuari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë dhe i afërt me Trumpin, Richard Grenell.

Ambasadori amerikan u shpreh i gëzuar për zhvillimin e mocionit të mosbesimit të mërkurën.[…]Nga ana tjetër kemi BE-në që me shumicë është e mendimit, që qeveria e Kurtit duhej të vazhdonte punën.”

Kurse gazeta gjermane “taz” -“Die Tageszeitung” në një artikull me titull “Kosova sërish pa qeveri” thekson se vërtet ndodhi. Qeveria e Albin Kurtit u rrëzua, e me këtë dështoi një eksperiment, me të cilin do duhej të ndërmerreshin shumë projekte për reforma. Taz e sheh arsyen e rrëzimit të qeverisë tek presioni i madh i qeverisë amerikane për një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës.

“Kosova duhej të hiqte tarifat 100% të doganave. Këtu Kurti do të bënte lëshime. Por në sfond bëhet fjalë për një shkëmbim territoresh me Serbinë mbi bazën etnike. Këtë e refuzon Kurti dhe një masë e madhe e opinionit në Kosovë.

Presidenti Trump kërkon në vitin zgjedhor, pas një serie dështimesh në politikën e jashtme, të paktën në Europë një sukses në politikën e jashtme. Një vendim paqeje mes Serbisë dhe Kosovës mund t’i nevojitej Trumpit.”

Kurse të enjten (26.03) ishte gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” që i kushtoi vëmendje zhvillimeve në Kosovë. “Formalisht pretekstin për mocionin e mosbesimit e ofroi një grindje për mënyrën e veprimit në krizën e Coronës.

Presidenti Hashim Thaçi doli si forca nxitëse.[…]Thaçi mbështetet nga Richard Grenell, ambasadori amerikan në Gjermani, që u zgjodh edhe i dërguar i posaçëm për Serbinë dhe kosovën. Grenell kërkon prej javësh që Kosova të heqë tarifat e doganave pa kushte.

[…]Kurti ishte kundër kësaj, Kosova mund t’i heqë doganat, nëse edhe Serbia heq barrierat e saj tregtare.

Kjo bëri që të ashpërsohej toni mes Shtëpisë së Bardhë dhe qeverisë kosovare. Donald Trump Junior kërcënoi me atë që amerikanët mund të mbyllin edhe kampin Bondsteel, bazën e tyre ushtarake në Kosovë.”/ DW

Exit mobile version