Epilogu

Rritje e hatashme: Mbi 31 milionë shpenzime të udhëtimit gjatë mandatit të qeverisë Kurti

Shpenzimet e udhëtimit zyrtar brenda dhe jashtë Kosovës kanë shënuar rritje të hatashme gjatë mandatit të Qeverisë “Kurti 2”. Nga viti 2021 e deri në fund të qershorit të vitit 2024, shpenzimet e tilla kanë arritur shumën e përgjithshme prej më shumë se 31 milionë euro.

Sipas raporteve të buxhetit, të përgatitur nga Ministria e Financave, shpenzimet e udhëtimit për gjashtë mujorin e parë të vitit 2024 kanë shkuar në 5.25 milionë euro, apo 12% më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, raporton Front Online.

Ndërsa nga viti 2021 e deri në fund të vitit 2023 shpenzimet e tilla kanë kaluar shifrën prej më shumë se 26 milionë euro.

Kurti dhe bashkëpartiakët e tij sa ishin në opozitë disa herë i kanë kritikuar drejtuesit e institucioneve qendrore dhe lokale, siç thoshin për luksin e tepruar dhe për udhëtime sa për “të marrë mëditje”, por gjatë mandatit të tyre në krye të Qeverisë ka ndodhur e kundërta, duke vazhduar me avazin e vjetër të shpenzimeve buxhetore.

Sipas dokumentit të shpenzimeve buxhetore për vitin 2023, institucionet e vendit gjatë vitit të kaluar për udhëtime zyrtare jashtë vendit, mëditje të udhëtimeve, akomodim dhe për transport kanë shpenzuar 8.7 milionë euro.

Këto shpenzimet janë më të larta për 1.5 milionë euro, krahasuar me vitin 2022 dhe për rreth 5.5 milionë euro më të larta se në vitin 2021.

Sipas të njëjtit dokument , për udhëtime zyrtare brenda vendit, mëditje, akomodim transport, gjatë vitit të kaluar janë shpenzuar mbi 2.8 milionë euro, apo rreth 600 mijë euro më shumë se në vitin 2022 dhe mbi 1 milionë euro më shumë se në vitin 2021.

Exit mobile version