Gazetari Muhamed Veliu në një intervistë për “Report Tv” është shprehur se vrasja e Remzi Hoxhës ishte krim shtetëror dhe se është e pamundur që Sali Berisha të mos jetë në dijeni të kësaj çështjeje.
Veliu tha se Ilir Kumbaro ka pasur mbështetje financiare nga Tirana e cila i ka siguruar edhe një pasaportë që ai të mund të fshihej në një vend me të cilin Shqipëria nuk ka marrëveshje ekstradimi.
Veliu sqaroi se familja e Remzi Hoxhës nuk kërkon të hakmerret por thjesht kërkon që të gjejë eshtrat e tij, ndërsa ai është i bindur se trupi nuk do të gjendet sepse kjo do të bënte që të akuzuarit të dënoheshin edhe me burg të përjetshëm.
Mundej që Ilir Kumbaro t’i arratisej në këtë mënyrë Britani?
Besoj se ka pasur suport të fuqishëm nga Shqipëria sepse nuk është e lehtë të ikësh nga Britania sidomos kur kushte një çështje të tillë. Unë them se ka pasur suport financiar nga Tirana madje dyshoj që i është dhënë dhe një pasaportë. Kumbaro fshihet në një vend ku shteti shqiptar nuk ka një marrëveshje ekstradimi. Jam angazhuar në këtë çështje për të qëndruar në krah të familjes së Remzi Hoxhës që kërkon eshtrat e familjarit. Është krim shtetëror. Niveli i suportit, i mbështetjes dhe vendfshehjes është si nëpër filma.
Si e cilëson arratisjen policia britanike?
Detektivët britanikë të cilët janë duke gjurmuar rastin e Ilir Kumbaros janë të rezervuar sepse prej 5 vitesh hetimi vijon.
Deklarata e Berishës se nuk e njihte Hoxhën dhe kundërshtia e Fatos Klosit i cili deklaron të kundërtën, si e shikon këtë debat?
Më vjen mirë se kjo çështje është risjellë në vëmendje pasi familja e Remzi Hoxhës nuk kërkon të hakmerret, por vetëm një varr. Për ngjarje të këtij dimensioni është e pamundur që Berisha të mos kishte informacion pasi ai merret edhe me ngjarje nga më të voglat dhe jo më të mos dinte arrestimin e këtyre tre personave. Izet Haxhia ngulmon se Berisha kishte dijeni për këtë ngjarje.
Mendoni se do të gjendet kufoma e Remzi Hoxhës?
Mendoj që trupi i Remzi Hoxhës nuk do të gjendet asnjëherë sepse të akuzuarit akuzohen vetëm për rrëmbim dhe zhdukje personi dhe kjo vepër dënohet deri në 15 vite dhe nëse trupi gjendet bëhet fjalë për vrasje dhe mund të dënohen edhe përjetë, prandaj nuk do lejojnë të gjendet trupi.