fbpx
Lajme

Sallahu kërkoi auditim veç për zyrtarin me tre vëllezër dëshmorë, që s’e përkrah VV-në 

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës Civil ka gjetur se zv/ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka tejkaluar kompetencat e veta. Kjo, pasi Sallahu ka kërkuar nga Auditimi i Brendshëm ta auditojë vetëm një Udhëheqës të një Divizioni. Fjala është për Elbasan Dervishajn, udhëheqës i Departamentit për Profesione të Lira. Gazeta Nacionale ka mësuar detaje ekskluzive.

Vërejtjen si masë disiplinore që ia kishin shqiptuar Elbasan Dervishajt në Ministrinë e Drejtësisë, Këshilli Civil e ka rrëzuar si vendim. Kjo pasi ka gjetur shkelje në dispozita të ndryshme ligjore, duke atakuar direkt zv/ministrin e Drejtësisë, Blerim Sallahu.

Elbasan Dervishaj për vite të tëra është punonjës në Ministrinë e Drejtësisë. Që nga viti 2014 ai udhëheq me Divizionin për Funksione të Lira. Dervishaj ka tre vëllezër dëshmorë të cilët ranë në luftën e fundit: Mentor, Menderes e Menhend Dervishaj, nga fshati Zabllaq i komunës së Istogut.

Nacionale ka mësuar se zv/ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, kishte urdhëruar Drejtorin e Auditimit të Brendshëm, që ta monitorojë vijueshmërinë e Elbasan Dervishajt në punë. Krejt kjo sipas burimeve të Nacionales, ka ndodhur për shkak të bindjeve politike që ka Derivshaj, i cili nga Sallahu vlerësohet si përkrahës i pushteteve të kaluara.

Sallahu më 31 maj 2022 kishte kërkuar nga Drejtori i Njësisë së Brendshme të Auditimit që t’ia verifikojë vijueshmërinë në punë udhëheqësit, Elbasan Dervishaj. 

Drejtori i Auditimit, një ditë pas kishte dorëzuar një raport. Por, që nuk mjaftoi. Çuditërisht, pak orë pasi e dorëzoi raportin e parë, drejtori i Auditimit e bëri edhe një raport shtesë.

Raporti i parë ishte dorëzuar rreth orës 11:00 të datës 1 qershor, ku ishte evidentuar se Elbasan Dervishaj nuk ishte evidentuar vetëm dy herë gjatë 3 muajve. Megjithatë, raporti shtesë i Auditorit arriti pas orës 15:00 të po së njëjtës ditë. Aty u tha se Derivshaj kishte munguar edhe shumë herë të tjera. Pra, duke dalë në pah dallime të mëdha ndërmjet dy raporteve.

Të gjitha këto pretendime, konstatohen edhe në vendimin e Këshillit Civil.

“Drejtori i Njësisë së Auditimit të Brendshëm më datë 01.06.2022 ka dorëzuar raportin me shkrim te zëvendësministri i Ministrisë së Drejtësisë, duke njoftuar të njëjtin se ankuesi gjatë periudhës tremujore të auditimit e ka përdorë sistemin e vijueshmërisë në punë dhe se gjatë kësaj periudhe i njëjti ka qenë dy herë në pushim vjetor, dhe me rastet e mungesës në dy raste ka informuar zyrtaren e personelit dhe udhëheqësin e tij. Ndërsa në dy raste të tjera, nuk është evidentuar gjatë hyrjes në punë. Në të njëjtën ditë ka përcjellë edhe një shkresë tjetër ku thuhet: ‘në plotësim të shkresës ju informoj se tek raporti i prezencës në punë për muajt mars, prill dhe maj, zyrtari në fjalë ka edhe 9 hyrje, por për të cilat data nuk figuron edhe dalja, si dhe për dy raste të tjera figuron dalja, por jo klikimi në hyrje’”, thuhej në dy raportet që i kishte dorëzuar brenda ditës Auditori i Brendshëm tek zv/ministri i Drejtësisë.

Por, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës Civil, ka evidentuar se zv/ministri i Drejtësisë nuk ka kompetencë të autorizojë auditim të tillë.

“Në kuptim të këtyre dispozitave ligjore konstatoi se udhëheqës i subjektit të sektorit publik në sistemin ministror është Ministri, kështu që bazuar në këtë konstatim si dhe duke iu referuar nenit 21 paragrafi 1 për Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike, Kolegji për shqyrtimin e ankesave vlerëson se kërkesa për auditim të veçantë nuk është në autoritetin e zv/ministrit. Këshilli konstaton se kërkesa e datës 31 maj 2022 për auditim të veçantë është bërë përmes tejkalimit të autorizimeve të përcaktuara nën nenin 11 të Rregullores për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive”, thuhet në vendimin e KPMSCK-së që e ka parë gazeta Nacionale.

Këshilli Civil ka evidentuar se kërkesa për auditim ndaj një udhëheqësi specifik, përmban elemente të diskriminimit.

“Kolegji për shqyrtimin dhe vendosjen e ankesave vlerëson se kërkesa për auditim të veçantë e datës 31 maj 2022, lidhur me vijueshmërinë në punë vetëm ndaj një nënpunësi civil, gjegjësisht ankuesit, ashtu sikurse edhe realizimi i auditimit të veçantë, përmban elemente të diskriminimit ngase në rastin konkret është kërkuar dhe janë ndërmarrë veprime audituese lidhur me vijueshmërinë në punë vetëm për një zyrtar publik, nënëpuës civil, pa ndonjë arsyetim paraprak dhe të bazuar, duke vendosur ankuesin në pozitë më pak të favorshme se nënpunësit e tjerë”, thuhet më tutje në vendimin e Këshillit.

“Andaj, duke marrë parasysh se masa disiplinore ndaj ankuesit lidhet drejtpërdrejt me të gjeturat e Raportit të Veçantë të Auditimit të Brendshëm, raport ky që u vlerësua se përmban të meta ligjore, Kolegji për shqyrtimin dhe vendosjen e ankesave konstaton se pretendimet ankimore të ankuesit janë të bazuara dhe se akti administrativ për shqiptimin e masës disiplinore ndaj ankuesit është i paligjshëm, andaj me qëllim të kthimit të ligjshmërisë vendosi për shfuqizimin e të njëjtit”, thuhet në vendim më tutje.

Në fund të vendimit, thuhet se menaxheri drejtues, ka të drejtë të marrë të gjitha masat e nevojshme nëse konstatohen mungesa në orarin e punës, ose dështim në arritjen e objektivave. 

Vendimet e Këshillit Civil

Qeveria Kurti kishte marrë një goditje të rëndë nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK). Ky i fundit ia kishte shpallur të kundërligjshëm Qeverisë vendimin për emërimin e Kryeinspektorit të Punës edhe konkursin për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të ATK-së.

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK) ka vlerësuar së emërimi i Hekuran Nikçit në pozitën e Kryeinspektorit të Punës nga Qeveria ka qenë i kundërligjshëm. Gjithashtu, ky institucion ka vlerësuar se edhe konkursi për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të ATK-së nuk është shpallur sipas ligjeve në fuqi. Ashtu siç kishte raportuar gazeta Nacionale muajin e kaluar, këshilli ka vendosur se këto procese nuk janë zhvilluar në përputhje me ligjet në fuqi.

Në raportin që ka siguruar gazeta Nacionale, KPMShCK ka rekomanduar se procesi i zgjedhjes së Kryeinspektorit të punës ka qenë në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Edhe në monitorimin e jashtëzakonshëm që i ka bërë konkursit të Drejtorit të Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës, KPMShCK-ja ka rekomanduar se procesi është zhvilluar kundërligjshëm.

Sipas raportit të këshillit, edhe ky konkurs është dashur të bëhet në bazë të normave të Ligjit për Zyrtarët Publikë.

Në këtë konkurs, i cili ishte shpallur në muajin prill, kishin aplikuar 13 kandidatë.

Dy vendimet që mori së fundmi Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës e kanë vënë këtë institucion në shënjestër të ekzekutivit. Qeveria Kurti tashmë ka filluar procedurat ligjore për t’ia kufizuar kompetencat.

Në nenin 2 të këtij projektligji, ripërkufizohen kompetencat e KPMShCK-së, duke theksuar se ky institucion nuk ka kompetencë të vendosë për ankesat kundër Qeverisë, siç ka bërë deri tash.

“Pavarësisht paragrafit 1 nënparagrafit 1.1 të këtij ligji, KPMSHK nuk ka kompetencë të vendosë për ankesat kundër vendimit të Qeverisë për nëpunësit civilë në pozitat e larta drejtuese. Kundër këtyre vendimeve, pala ka të drejtë të hapë konflikt administrativ në gjykatën kompetente në pajtim me ligjin përkatës për konfliktet administrative”, thuhet në pikën 2 të këtij ligji.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close