Sipas fjalëve të sekretarit Rex Tillerson’it, Trump’i dhe ai nuk e kanë pritur mirë vendimin e Kongresit për futjen e sanksioneve për Rusinë.
Sekretari i shtetit amerikan Rex Tillerson ka deklaruar se ka paralajmëruar udhëheqësin Ruse se marrëdhëniet e Uashingtonit dhe Moskës janë të këqija, dhe se mund të jenë edhe më të këqija, gjë që, siç ka shtuar, tani edhe ndodhi.
“I kam thënë presidentit Vladimir Putin kur e kam takuar në Kremlin në mars, e i kam thënë shumë herë edhe ministrit Sergei Lavrov se situata është e keqe, por më besoni, mund të jetë edhe më e keqe, dhe kjo tashmë ndodhi”, i ka thënë Tillerson gazetarëve në Departamentin e Shtetit, transmeton gazetametro.net.
Siç ka shtuar, as presidenti Donald Trump e as ai nuk janë “të lumtur” me vendimin e Kongresit që të votojë sanksionet për Rusinë, “por gjithçka tregon se ai do ta nënshkruaj atë ligj dhe atëherë ne do të punojmë në përputhje me atë”.
Tillerson gjithashtu ka thënë se amerikanët i përkrahin përpjekjet e administratës së Trump’it që të vendosë marrëdhëniet më të mira me Rusinë.
“Mendoj se populli amerikan dëshiron që dy shtete më të fuqishme nukleare në botë të kenë marrëdhënie më të mirë”, ka thënë ai.
Tillerson ka vazhduar se gjatë fundjavës në margjinat e takimit ASEAN në Manilë do të takohet me kolegun rus Sergei Lavrov.