Për atë që kaherë është më së shumti nga vetë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, se “kushtetuetshmëria s’e duron Zajednicën njëetike”, gazetari Lirim Mehmetaj ka shkruar saktësisht për një-etninë të përmbajtur dhe ekluzivisht të skicuar në Statutin e Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe; dhe atë qysh në hyrje të tekstit ku serbëve u arsyetohet autonomia politike mbi “të banuarit në Kosovë me shekuj”.
Mehmetaj këtu rikthen përkufizimin e shtetit në aktin më të lartë juridik të shtetit – Kushtetutën e Kosovës – ku “Republika e Kosovës është shtet i shtetasve të vet” dhe se “Republika e Kosovës është shoqëri multientike” duke ia vendosur në kontrast atë që ai e quan “Super Zajednicë”.
Shkrimi i Mehmetaj:
Fillimisht e dobësoi Shtetin më pas e forcoi Zajednicën
Në nenin 2 të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të pranuar nga Albin Kurti, ose thënë më mirë, në nenin 2 të Super Zajednicës, për ta argumentuar statutin thuhet se serbët e kanë këtë të drejtë bazuar mbi “të banuarit në Kosovë me shekuj”.
Kurse, sipas Kushtetutës së Kosovës, në Nenin 1 ku përkufizohet shteti, sqarohet fare mirë se “Republika e Kosovës është shtet i shtetasve të vet” dhe se “Republika e Kosovës është shoqëri multientike”.
Derisa Kosova me Kushtetutë është shtet qytetar dhe shoqëri multientike, Super Zajednica është formacion etnik me të drejtë historike, me kompetenca të shtuara për shkak të kësaj të drejte.
Populisti i paskrupuj, Albin Kurti, që qeverisjen e tij e ka konsoliduar me autokracizëm, senzacionalizëm dhe konspiracionizëm – përmes retorikës mashtruese që e mirëmban vetën duke keq-shfrytëzuar emocionet, frikën dhe paragjykimet e njerëzve dhe dramat e tyre personale – ka dobësuar parimet bazë të demokracisë liberale mbi të cilat është ndërtuar dhe qëndron shteti i Kosovës, duke de-legjitimuar praktikat demokratike, shkërmoqur ndarjen e pushteteve dhe krijuar skepticizëm të madh të njerëzve në raport me institucionet e shtetit.
Paralelisht, me dobësimin e shtetit dhe shtyllave të tij, ai ka forcuar Super Zajednicën në anën tjetër duke e përkthyer në një shtet të fuqishëm etnik me të drejtën historike për të ekzistuar si komunitet mbi komunitet tjera që jetojnë në Kosovë.
Ky është pozicionim i qartë i dobësimit të Kosovës dhe forcimit të Zajednicës. Ky jo vetëm që e ka sjellë Serbinë në Kosovë dhe e ka larguar Shqipërinë nga Kosova, ky edhe e ka dobësuar vetë Kosovën për hesape të Serbisë.
Kjo veç e paqëllimshme s’mund të jetë. Kjo veç rastësisht s’ka ndodhur.