Pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, Policia e Kosovës kishte nxjerr në publik armët e konfiskuara të grupit terrorist serb të udhëhequr nga Milan Radojçiq.
Në foto shihej arsenal i armëve të ndryshme, por ajo që binte në sy ishte edhe sekuestrimi i disa veturave identike si të forcave paqeruajtëse me mbishkrimin KFOR, me të cilat lihet të kuptohet se sulmuesit mund të jenë kamufluar në të kaluarën si ushtarë të KFOR-it për të vepruar më lehtë.
Demokracia.com kishte publikuar disa nga raportimet e vitit 1998, ku ushtarët dhe policët serbë kishin përdorur uniformat dhe simbolet e UÇK-së për të kryer krime të ndryshme dhe për ta fajësuar UÇK-në.
Traditën e kamuflimit me simbole të të tjerëve, Serbia përpos para dhe gjatë luftës, atë e ka ndjekur edhe mënjëherë pas luftës në Kosovë, të cilën e ka ripërsëritur edhe më 24 shtator të këtij viti.
Demokracia.com ka siguruar një komunikatë të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës të datës 3 gusht 1999, ku specifikisht përmendet se serbët janë duke keqpërdorur uniformat dhe simbolet e KFOR-it.
Përpos alarmit të keqpërdorimit të uniformës së KFOR-it, Qeveria e Përkohshme kishte dënuar ashpër edhe vrasjen e civilëve në Kosovë, pavarësisht nga përkatësia etnike e tyre.
Qeveria e udhëhequr nga Hashim Thaçi e kishte paralajmëruar edhe në vitin 1999 atë që ndodhi edhe këtë vit.
“QPK shpreh shqetësim për keqpërdorimet e uniformave e të shenjave të KFOR-it nga individ e banda serbe e ruse, të cilët kohë pas kohe, nën këto uniforma, keqtrajtojnë qytetarët e Kosovës“, thuhet ndër të tjerash në komunikatën e QPK-së, më 3 gusht të vitit 1999. /Demokracia.com/