Epilogu

Serbia ka disa informacione që tregojnë vrasësit e mundshëm të Ivanoviqit

Drejtori i Policisë serbe, Vladimir Rebiq, ka thënë se ende nuk kanë përgjigje nga EULEX-i dhe UNIMK-u lidhur me kërkesën e Serbisë për të përfshirë autoritetet në hetimin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

“Pronari i makinës së djegur në Mitrovicë është një serb nga Austria, i cili ka kohë që ka vdekur”, ka thënë Rebiq për RTS, raporton B92.

Rebiq ka theksuar se ky informacion është i saktë pasi e kanë marrë konfirmimin e policisë austriake, duke shtuar se janë duke bërë përpjekje të gjendet blerësi i fundit i automjetit.

Sipas tij, autoritetet serbe kanë disa njohuri që tregojnë për ekzekutuesit e mundshëm të vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

“Ne kemi informacion lidhur me pronarin e këtij automjeti dhe jemi duke u përpjekur të mbledhim informacione të tjera. Nuk mund të tregoj më shumë detaje pasi do të rrezikohet hetimi”, ka thënë drejtori i Policisë serbe.

Ai ka thënë se Ministria e Brendshme dhe BIA janë duke mbledhur informata dhe prova që do të çojnë deri të kryesit e veprës dhe krijuesi i këtij krimi.

“Unë besoj në policinë serbe dhe në BIA, në sajë të burimeve njerëzore dhe materiale ne do të jemi në gjendje të gjejmë kryesin dhe atë që e ka urdhëruar këtë vrasje”, ka përfunduar Rebiq.

Oliver Ivanoviq u vra mëngjesin e së martës në Mitrovicën veriore.

Exit mobile version