Epilogu

Shefi i NATO-s pritet t’ua tregojë vijat e kuqe Kurt’it e Vuçiç’it

Qëllimi i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili më 17 gusht pritet të takojë Albin Kurtin dhe Aleksandër Vuçiç-in, veç e veç, sipas ish-ministrit të Mbrojtjes, Anton Quni, është i qartë – “rikujtimin e rolit dhe misionit të trupave të KFOR-it në Kosovë, palëve respektive”.

E nevoja që Stoltenberg ta bëjë këtë, sipas Qunit ka lindur nga diskursi politik i udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë me dominimin e fjalës “luftë”.

“Në një regjion me stabilitet të brishtë politik dhe ekonomik, deklaratat për luftë i shërbejnë politikës së Serbisë. Për më tepër, me deklarimet për luftë apo rreth saj, me apo pa qëllim harrohet roli i trupave të KFOR-it, përkatësisht roli i përgjegjësit për ruajtjen e paqes dhe gjithë territorit të Kosovës”, shpjegon Quni për Albanian Post.

Përveç rikujtimit të rolit të KFOR-it, deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës për Albanian Post, nënvizon faktin se Stoltenberg, posaçërisht në takim me Vuçiç-in, do t’ia rikujtojë këtij të fundit se “çizmja e Serbisë paramilitare dhe ushtarake ka përfunduar së shkeluri në Kosovë në vitin 1999”.

“Po ashtu, besoj se udhëheqësve të dy shteteve, përkatësisht Kosovës dhe vendit fqinj, Serbisë, do t’iu rishpreh qëndrimin për qetësim të gjuhës politike, me qëllim të krijimit të kushteve më të mira për procesin e dialogut përfundimtar”, ka shtuar Quni për AP.

Anton Quni

Se ish-kryeministri norvegjez ka për qëllim t’ia rikujtojë palëve se KFOR-i i udhëhequr nga NATO ka mandat nga Kombet e Bashkuara dhe përgjegjësi për garantimin e sigurisë dhe lirisë së lëvizjes në të gjithë territorin e Kosovës dhe se është i gatshëm te ndërhyjë forcërisht nëse ato cenohen, e thotë edhe njohësi i politikave të sigurisë, Adrian Shtuni.

“Retorika se vendi është në prag lufte, ndjell panik, ndaj është e rëndësishme të shmangen provokimet dhe manipulimet e situatës për arsye politike që mund të çojnë në përplasje të dhunshme, sidomos në Veri të Kosovës”, thotë Shtuni për Albanian Post.

Shtuni, është skeptik për sa i përket mundësisë se Stoltenberg do të diskutojë domosdoshmërisht tema të reja me Kurtin dhe Vuçiç-in në takime të ndara.

“Qëllimi i tij i vetëm është të përkujtojë edhe një here palëve mbi përgjegjësitë dhe limitet që kanë, pra ku janë vijat e kuqe të cilat nuk janë të negociueshme”, ka shtuar ai.

Adrian Shtuni

Takimi Kurit – Stoltenberg dhe Vuçiç – Stoltenberg, sipas njohësit të çështjeve të sigurisë, Bedri Elezi, sidomos në vigjilje të takimit me shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, ka për qëllim një gjë: të tregojë se Bashkimi Evropian mund të bisedojë me dy liderët shtetëror vetëm për çështje politike ngase çështjet e sigurisë diskutohen në Bulevardin “Leopold 3”, në shtabin e NATO-s.

“NATO përmes KFOR-it nuk do të lejojë manovrime politike, dhe dëshiron të bëjë të ditur palëve se KFOR-i është i gatshëm të zbatojë detyrimet të cilat vijnë nga mandati i NATO-s në Kosovë”, ka thënë Elezi për Albanian Post.

Se takimi i aranzhuar nga Sekretari Gjeneral i Aleancës Veri-Atlantike me liderin kosovar dhe atë serb po realizohet në dritën e përkeqësimit të situatës në Veriun e Kosovës, si rrjedhojë vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave dhe reciprocitetit me kartat e identitetit, e thonë edhe bashkëbiseduesit e Albanian Post.

“Sigurisht se kryefjala e këtyre takimeve do të jetë shmangia në të ardhmen e afërt të tensioneve të ngjashme me ato që u krijuan në fillim të muajit gusht në Veriun e Kosovës pas vendimit për zbatimin e masave të reciprocitetit me Serbinë për targat dhe dokumentet e udhëtimit”, shton Shtuni.

Bedri Elezi

Takimi i cili u paralajmërua një javë më parë, do të organizohet një ditë para se Kurti dhe Vuçiç të ulën në tryezën e dialogut me ndërmjetësimin e BE-së, për t’i përballur argumentet e tyre në prani të evropianëve.

Ndryshe Albanian Post, një ditë më parë ka komunikuar me njërën nga zyrtaret e NATO-s, për të kuptuar më në detaje se cilat do të jenë temat të cilat pritet të diskutohen në takimet në fjalë.

“Sekretari i Gjeneral do ta theksojë se të gjitha palët duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Për Stoltenberg, angazhimi përmbajtjesor në dialog është qenësor për stabilitetin rajonal”, ka thënë zyrtarja e NATO-s për AP-në.

Stoltenberg, ish-kryeministri norvegjez, ishte shumë aktiv edhe para dy jave, kur një vendim i Kosovë për të aplikuar reciprocitet shkaktoi pakënaqësi në Beograd e bllokim rruge në Mitrovicën Veriore nga serbët lokalë, të diktuar nga struktura ilegale atje.

Ai pati njoftuar përmes Twitter-it se ka biseduar me Vuçiç-in dhe i ka kërkuar konstruktivitet, gjithmonë duke ia kujtuar se “po u rrezikua stabiliteti në Veri, KFOR është i gatshëm të ndërhy menjëherë”.

Lideri politik i NATO-s telefonatë pati edhe me Kurtin, kur i kërkoi “qetësi, shmangej të veprimeve njëanshme dhe përqendrim në dialog”.

Aty Stoltenberg kishte bërë të qartë se në gjithë këtë situatë “unë po mbajë kontakte të afërta me të dyja palët – Prishtinën dhe Beogradin”.

Exit mobile version