Epilogu

Shfaqet Adem Grabovci me një mesazh: Të jemi unik

Njëri nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ka përkujtuar sot vëllanë e tij, Dinë Grabovci, i cili ka rënë dëshmor pata 21 vitesh.

Grabovci në një prononcim për “Epokën e re” ka thënë se ky përkujtim ka qenë i veçantë edhe për shkak të rrethanave në të cilën gjendet Kosova.

“Ishte një përkujtim i veçantë në rrethana të veçanta. Sikurse sot dhe çdo ditë tjerë kemi kujtuar momentet e mira dhe të vështira që kemi kaluar si familje, si shoqëri dhe si popull. Natyrisht, periudha e UÇK-së është një nga momentet me krenare të popullit shqiptar. Jam krenar që unë dhe familja ime kemi qenë të angazhuar në çlirimin e Kosovës, pothuajse në çdo etapë, duke përfshirë edhe Luftën e Dytë Botërore”, ka thënë Grabovci.

Në këtë kontekst, ai ka folur edhe për aktualitetin politik në vend.

Grabovci ka thënë se askujt nuk duhet t’i shkojë ndërmend t’i prek vlerat mbi të cilat është ndërtuar dhe shpallur Kosova si shtet i pavarur dhe sovran.

“Duke kujtuar të kaluarën tonë, përpjekjet dhe angazhimet për liri dhe pavarësi, të gjithë ata që sot flasin kundër vlerave mbi të cilat është ngritur ky shtet, e kanë gabim dhe nuk ia duan të mirën Kosovës dhe popullit të saj. Pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës janë të pacenueshme. Themelet e shtetit të Kosovës qëndrojnë fort mbi sakrificën dhe gjakun e dëshmorëve të kombit. Sikurse në të kaluarën edhe tani jemi të gatshëm që ta mbrojmë shtetin e Kosovës, dhe atë me çdo çmim”, ka thënë Grabovci.

Grabovci ka kërkuar nga spektri politik dhe institucional që të jenë unik sikurse kanë qenë unik në luftën për çlirim.

“Ju bëjë thirrje të gjithëve, pozitës dhe opozitës që të jenë bashkë dhe të kundërshtojnë çdo përpjekje për ta dëmtuar Kosovën. Po ashtu, ju bëjë thirrje atyre që t’i ruajnë dhe kultivojnë raportet me miqtë tanë ndërkombëtarë, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian (BE). Në këtë fazë, më shumë se kurrë, Kosovës i duhet uniteti i brendshëm politik e shoqëror”, është shprehur Grabovci.

Kujtojmë se presidenti Hashim Thaçi ka nderuar Dinë Grabovcin me titullin “Hero i Kosovës”.

Exit mobile version