Kadri Veseli ka deklaruar mbylljen zyrtare të Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK) më 14 qershor 2008, në një deklarim të transmetuar në Radio Televizionin e Kosovës, RTK
.Intervistën e parë televizive pas-luftës ku ka folur gjerësisht për aktivitetet e tij e ka dhënë në televizionin Klan Kosova më 29 dhjetor 2009. Në atë intervistë, Veseli ka thënë se ka qenë i angazhuar në Lëvizjen Popullore të Kosovës (LPK) që nga vitet ’80-të dhe se aksionet e para të armatosura të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ishin marrë më 1991-92.
Më 20 qershor 2012, gjatë një dëshmie në rastin “Bllaca II” në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë i ftuar nga prokuroria, Veseli ka thënë se para të merrte detyrën si shef i SHIK-ut në mars të 1999-ës kishte qenë shef i Zbulim-Kundër-Zbulim, një shërbim spiunazhi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Për krijimin e SHIK-ut, thoshte ai, ishin pajtuar nënshkruesit e marrëveshjes së Rambujesë 1999 – Hashim Thaçi, më vonë kryeministër i Qeverisë së Përkohshme, Ibrahim Rugova më vonë President i vendit, Rexhep Qosja si dhe dy publicistët Veton Surroi e Blerim Shala.
Sipas Veselit, Shërbimi Informativ i Kosovës kishte nisur të funksiononte në kuadër të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës deri në janar të vitit 2000. Atë vit dhe më 2001, ishin bërë biseda për legalizimin e SHIK-ut ndërsa liderët e vendit, thoshte Veseli, kanë qenë të informuar për aktivitetet e kësaj organizate.