Epilogu

Shkëlqimi i Policisë së Kosovës, pa mbështetjen e Albin Kurtit

Policia e Kosovës, së bashku me institucionet e tjera të drejtësisë dhe sigurisë, ku bënë pjesë edhe Prokuroria e Shtetit, kanë shkëlqyer këtë vjeshtë në shërbim ndaj atdheut, duke dhënë edhe jetë njerëzish.

Megjithkëto përpjekje të mëdha, kërkesat e Policisë së Kosovës, për të rifituar shtesat e rrezikshmërisë që dikur i gëzonin, nuk po gjejnë mbështetje të kryeministri Albin Kurti. Përveç që nuk kanë gjetur mbështetjen e kërkuar, Kurti ka shfaqur qasje ofenduese ndaj njësive elitare të Policisë së Kosovës e në shumë raste qasje sulmuese të papara edhe ndaj Prokurorisë së Shtetit.

“Secili pjesëtar i NjSI ka pajisje në vlerë prej afër 10 mijë euro”, kishte shkruar Kurti më 1 nëntor 2023, deri sa ua kishte llogaritur sa janë paguar pjestarët e njësive elitare të Policisë së Kosovës, të cilët kishin qëndruar me ditë të tëra në veriun e Kosovës.

Policia e Kosovës, respektivisht njësitë elitare të saj, nuk janë ndalur deri më tani përballë presionit të Qeverisë për të shtypur pakënaqësitë e tyre. Më 9 dhjetor do të protestojnë sërish, por kësaj radhe në të do të marrin pjesë edhe sektorë të tjerë të Policisë së Kosovës.

Demokracia.com ka listuar tri ngjarjet e rënda që kanë ndodhur në Kosovë gjatë kësaj vjeshte, në të cilat reagimi i institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë ka qenë i shpejtë.

24 SHTATORI

Në mëngjesin e hershëm të datës 24 shtator 2023, rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili po patrullonte me kolegët e tij në rrugët e Zveçanit, në veriun e Kosovës, u vra nga grupi terrorist i udhëhequr nga Milan Radojçiq. Brenda pak orësh, kolegët e tij nga Policia e Kosovës, arritën që ta neutralizojnë sulmin më të gjerë të përgatitur nga ky grup i armatosur rëndë dhe me arsenal ushtarak.

VJEDHJA E ARMATOSUR NË SUHAREKË

Më 22 nëntor 2023, një argjendari në Suharekë u grabitë nga persona të armatosur. Katër autorë morën pjesë në këtë grabitje, tre prej të cilëve graitnin bizhuteritë, ndërsa i katërti bënte roje jashtë argjendarisë. Policia e Kosovës ndërhyu shpejtë, por një polic mbeti i plagosur nga arma e zjarrit dhe për fat të mirë i njëjti ishte jashtë rrezikut për jetën. Vetëm disa ditë më vonë, më 30 nëntor, Policia e Kosovës arriti që të gjejë vendndodhjen e grabitësve, të cilët ishin vendosur në një lagje në Prishtinë. Një nga grabitësit mbeti i vrarë, kurse tre të tjerët janë arrestuar dhe ndodhen në paraburgim në pritje të procedurave tjera ligjore.

VRASJA E LIRIDONA ADEMAJT

Në natën e 29 nëntorit 2023, Kosova u shokua nga një ngjarje e rëndë pas raportimit se një grua, nënë e dy fëmijëvë, Liridona Ademaj, është vrarë gjatë një grabitje të armatosur. Ajo ndodhej në të njëjtën makinë me dy fëmijët dhe bashkëshortin e saj, Naim Murselin, i njohur për publikun në Kosovë. Pas hetimeve intensive të hetuesve policorë dhe të Prokurorisë së Shtetit, brenda dy ditësh, më 1 dhjetor 2023, janë arrestuar 3 të dyshuarit e përfshirë në këtë ngjarje të rëndë. Në mesin e tyre është edhe bashkëshorti i saj. Para hetuesve, ai është raportuar se e ka pranuar që ka porositur vrasjen e gruas së tij.

Exit mobile version