Epilogu

Shoqëria civile e sheh të rrezikshëm ndikimin e Thaçit te deputetët

Shtatë organizata joqeveritare kanë kritikuar presidentin Hashim Thaçi për ndikimin e tij te deputeti Haxhi Shala që të votonte pro Qeverisë Hoti dhe për përdorimin e forcës nga mbrojtja e afërt e presidentit ndaj një aktivisti të Vetëvendosjes. Shoqëria civile e ka cilësuar të rrezikshëm këtë ndikim të Thaçit te deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Duke e quajtur shkelje të dyfishtë të presidencës, shtatë organizata joqeveritare kanë “reaguar fuqishëm ndaj tendencës së Presidentit të Republikës Hashim Thaçi për të ushtruar një pushtet kundër-kushtetues në raport me procesin e bërjes së koalicionit të ri qeveritar, të votuar dje në Kuvendin e Kosovës. Po ashtu, dënojmë fuqishëm arrestimin e paligjshëm dhe përdorimin jo-proporcional të forcës ndaj qytetarit i cili ushtroj të drejtën e tij të fjalës së lirë”.

Të mërkurën, deputeti i Nismës, Haxhi Shala, deklaroi se një vizitë e presidentit Hashim Thaçi ka bërë që ai të ndryshojë mendjen dhe të votojë pro Qeverisë Hoti. Avdullah Hoti u bë kryeministër me minimum votash, 61, duke bërë votën e Shalës jetike në këtë votim. Pas votimit të qeverisë së re, gjatë një konference të presidentit, një aktivist i VV-së e kishte quajtur “hajn”, ndërsa në pamje të mediave shihet përplasja e mbrojtjes së afërt të presidentit me aktivistin e arrestuar.

“Rikujtojmë fillimisht që Presidenti i Republikës është përfaqësues i unitetit të popullit, dhe aktor tërësisht neutral ndaj relacioneve partiake në Kuvendin e Kosovës. Ka një sërë vendimesh të Gjykatës Kushtetuese në të cilat është saktësuar e lartësuar parimi i përfaqësimit të unitetit të popullit që duhet të ushtrojë Presidenti i Republikës, dhe të cilat nënkuptojnë që ai/ajo e ka të ndaluar përfshirjen në çfarëdo marrëdhënie që ndjek një interes partiak apo qëllim pushteti jashtë kompetencave të ngushta kushtetuese. Duke u nisur nga kjo e fundit, ne reagojmë ndaj rolit aktiv që Presidenti Thaçi ushtroi në facilitimin e koalicionit të ri qeveritar, në përmasa të tilla sa që edhe një deputet i mazhorancë së re parlamentare (Haxhi Shala) e pranoi që ai ka ndryshuar qëndrimin e tij votues pro qeverisë së re si rezultat i ndikimit të presidentit Thaçi”, thuhet në reagimin e Community Development Fund Kosovë (KCDF), Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Institutit të Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK), Institutit GAP, Lëvizjes “FOL” dhe ORCA-s.

Shoqëria civile e ka cilësuar këtë fakt të rrezikshëm për demokracinë e Kosovës. Këto organizata kanë thënë se presidenti s’guxon të luajë rol të tillë.

“Ne gjykojmë që një fakt i tillë është seriozisht i rrezikshëm për demokracinë e Republikës së Kosovës. Presidenti i Republikës nuk guxon të ushtroj rol të tillë direkt duke lobuar forcërisht tek deputetët që të ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj votimit të një koalicioni qeverisës. Kjo bëhet edhe më problematike kur shohim që vota e deputetit Haxhi Shala ishte përcaktuese sa i përket kalimit të qeverisë së re në Kuvend. Një ushtrim i tillë ndikimi, përmes lobimit aktiv për ndryshim të qëndrimit në raport me votën ndaj qeverisë së re, është shkelje e rëndë kushtetuese e Presidentit të Republikës. Gjithashtu, është i papranueshëm sulmi i mbrojtjes së afërt të Presidentit ndaj qytetarit i cili po ushtronte të drejtën e tij për protestë dhe aq më tepër aprovimi dhe stimulimi i këtij veprimi nga Presidenti në një nga paraqitjet e tij televizive mbrëmë Përtej kësaj është tepër shqetësuese gjuha linquese dhe degraduese e Presidentit karshi partive politike apo individëve të caktuar në pozita institucionale. Në fund, bëjmë thirrje të gjithë spektrit politik dhe institucioneve të shtetit për respektimin e Kushtetutës së Kosovës dhe mbrojtjen e të drejtave themelore të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim të këtyre organizatave.

Exit mobile version