Shoqëria nuk duhet t’i mohojë krimet e disa pjesëtarëve të UÇK’së
Shkëlzen Gashi, ish-këshilltari i kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, ka bërë të ditur se është intervistuar nga portali kroat “Novosti”, lidhur me rrethanat e shkarkimit të tij nga detyra.
Ai kishte thënë se ndaj tij ishte ngritur një fushatë linçuese pas deklaratës në të cilën kishte thënë se disa pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë kryer krime ndaj civilëve të pafajshëm, qëndrim ky që ka ngjallur reagime të shumta në mbarë vendin.
“Pra, ajo u bë në radhë të parë kundër Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, nga kundërshtarët e tij të jashtëm, të cilëve iu bashkuan edhe nacionalistë virulentë brenda partisë së tij, të cilët i përkufizon mirëfilli George Orwell kur thotë: «nacionalistët jo vetëm nuk i pranojnë krimet e kryera nga pala vetjake, por kanë aftësi të mrekullueshme as mos me ndi për to»”.
“Për shkak të kësaj trysnie, Kryeministri Kurti më kërkoi të dorëhiqem. Nuk pranova, sepse kisha folë të vërtetën, vetëm të vërtetën dhe asgjë tjetër përveç të vërtetës. Kështu, ai më liroi nga detyra, por nuk besoj se ai nuk e di që edhe individë nga radhët e UÇK-së, madje me pozita të larta, kanë qenë të përfshirë në krime. Prandaj, nuk mund të them se më liroi për shkak se dallojmë në këtë pikë. Ishte thjesht mënyra se si vendosi të manovronte përbrenda turbulencave politike që u shkaktuan”.
Gashi për portalin kroat “Novosti” deklaroi se raporti i Dick Martyt nuk ka kurrfarë tendence për t’i barazuar krimet e gjithë makinerisë shtetërore të Serbisë kundër shqiptarëve të Kosovës me krimet e disa pjesëtarëve të UÇK-së kundër civilëve.
“Shoqëria kosovare nuk duhet ta mohojë se gjatë luftës në Kosovë, e sidomos fill mbas përfundimit të saj, individë të frustruar nga krimet e tmerrshme të forcave serbe, e edhe pjesëtarë nga radhët e UÇK-së, madje në pozita të larta, kanë qenë të përfshirë në vrasje të civilëve të përkatësive të ndryshme etnike e edhe politike. Për këto vrasje patën reaguar shumë organizata prestigjoze ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, që më parë raportonin edhe për shkeljet e të drejtave të njeriut të shqiptarëve të Kosovës nga ana e autoriteteve serbe – vrasjet e afro 10 mijë shqiptarëve civilë, përdhunimet e mijëra grave, deportimin e gati një milion shqiptarëve, djegien e shkatërrimin e rreth 100 mijë shtëpive, e me radhë”.
“Në Raportin e Dick Marty-t nuk ka kurrfarë tendence për t’i barazuar krimet e gjithë makinerisë shtetërore të Serbisë kundër shqiptarëve të Kosovës me krimet e disa pjesëtarëve të UÇK-së kundër civilëve serbë e të përkatësive të tjera etnike e politike. Fundja, këto krime as që mund të krahasohen. Duket ashiqare se qëllimi i këtij raporti ishte të mos heshteshin këto krime. Prandaj, jo. Raporti i Dick Marty-t nuk duhet pa si antishqiptar. Ai është thjesht një dokument që raporton për krime”.
Gashi tha më tutje se Gjykata Speciale duhet të përdoret për ta pastruar Kosovën nga kriminelët
“Disa, për ta mbrojtë vetveten, po përpiqen ta portretizojnë Gjykatën Speciale si sulm mbi luftën e Kosovës për liri ose mbi UÇK-në si organizatë. Kjo është, thënë më së buti, e pakuptimtë. Ne duhet ta shfrytëzojmë Gjykatën Speciale për ta pastruar UÇK-në dhe Kosovën nga kriminelët, por edhe për satisfaksion moral të familjarëve të viktimave e për korrektim të kriminelëve. Gjithmonë kam pasur një lloj rezerve për Gjykatën Speciale, se mund të përdoret për t’i shantazhuar ‘politikanët’ e Kosovës, por prej fillimit kam qenë pro themelimit të saj, sepse duhet vënë drejtësi për viktimat e të gjitha komuniteteve. Me këtë dërgojmë një mesazh edhe për konfliktet e armatosura eventuale – le të shpresojmë e të punojmë që të mos ndodhin kurrë – se kushdo që kryen krime ndaj popullatës civile, do të dënohet”.
“Hetimi dhe akuzat nuk janë drejtuar ndaj UÇK-së, por ndaj individëve. UÇK-ja nuk ishte organizatë kriminale, por për fat të keq, individë nga radhët e UÇK-së, me pozita të larta madje, sipas prokurorit amerikan Clint Ëilliamson, e kanë (keq) përdorë armatimin dhe infrastrukturën e UÇK-së për të kryer krime. Fakti se zyrtarë të lartë të UÇK-së kanë qenë të përfshirë në krime, nuk i bën të gjithë pjesëtarët e UÇK-së kriminelë, sikur që fakti se udhëheqësit politikë që e sunduan Kosovën për dy dekada janë të korruptuar, nuk e bën të gjithë popullin e Kosovës të korruptuar. Pjesëtarët e UÇK-së duhet të distancohen nga individët që kanë qenë të përfshirë në krime”, ka thënë Gashi.