Shpenzimet nga 2011: Albin Kurti dhe Adem Grabovci nuk kanë shpenzuar asnjë cent
Kuvendi i Kosovës ka publikuar shpenzimet e udhëtimit të deputetëve për periudhën 2011-2021.
Nëpërmjet një komunikate në web-faqen e Kuvendit, është thënë se kompensimi i shpenzimeve të udhëtimit të deputetëve është bërë në bazë të vendimit të kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nr. 04-V-079, të datës 10 tetor 2011, i nxjerrë në bazë të nenit 20 të Ligjit nr. 03/L-111 për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit.
“Deputeti kompensohet për shpenzimet e udhëtimit si në vijim: deri në 30 km – 10 euro, deri në 60 km – 20 euro dhe mbi 60 km – 30 euro, për pjesëmarrje në punimet e seancës plenare dhe në komisione”, thuhet në kumtesën e Kuvendit të Kosovë.
Kompensimi i shpenzimeve të udhëtimit sipas këtij institucioni, nuk nënkupton shpenzimet për derivate, por për të gjitha mënyrat e udhëtimit.
Nëse shikohen listat nga viti 2011, ish Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së z. Adem Grabovci dhe kreu i LVV-së z. Albin Kurti nuk kanë shpenzuar asnjë cent për udhetime respektivisht karburant.