Shqiptarët, populli i katërt më i stresuar në botë (Video)
Përveçse një nga popullsitë më të varfra të Evropës, shqiptarët rezultojnë të jenë ndër popujt më të stresuar në botë.
Një sondazh i fundit i kryer nga Gallup ka dalë në përfundimin tronditës se shqiptarët janë populli i katërt më i stresuar në botë, duke u renditur më keq edhe sesa vendet afrikane apo ato të përfshira nga luftërat.
Sipas Gallup, përcjell tch, në vitin 2018 më shumë se 55% e shqiptarëve janë ndjerë të stresuar, çka përbën nivelin më të lartë në çdo pikë gjatë dekadës së fundit.
Por, pse shqiptarët janë në stres?
“Papunësia, padrejtësia… Politika e mbrapshtë, vështirësia në strehim”, thonë qytetarët.
Sipas Gallup, populli më i stresuar i botës që prej vitit 2012 vazhdojnë të jenë grekët, ndërsa dy vendet e tjera të vetme më të stresuara se Shqipëria janë Filipinet dhe Tanzania.
Përfundimet e sondazhit të Gallup konfirmojnë se shqiptarët nuk vuajnë vetëm gjendjen e vështirë ekonomike, por edhe atë shpirtërore.
Gallup nuk përcakton me detaje se cili është burimi i stresit të lartë tek shqiptarët, por në rang global dy faktorët kryesorë të stresit janë gjendja ekonomike dhe pasiguria për të ardhmen.