Ky artikull është shkruar nga Mauro Suttora për versionin italian të Huffington Post. Nacionale e ka përkthyer duke mos e korrigjuar paraqitjen e gabuar faktike në disa prej fjalive në mënyrë që t’i ruhet autenticiteti.
Hashim Thaçi në nëntorin e vitit 2020 u bë kreu i parë shtetëror në histori që u dërgua prej pallatit të tij presidencial e në burgun holandez. Fillimisht, kjo dukej një ide e mirë prej tij, por s’ishin përllogaritur dy rreziqe.
Në numrin 47 Raamweg në Hagë, një qeli e pret Vladimir Putinin. Ajo qeli është në një ndërtesë me tulla të kuqe që verës ngjyroset me të gjelbrën e hardhive. Është vendi i Tribunalit që në muajt e fundit po e gjykon kolegun e rusit autokrat: Hashim Thaçin, liderin e Kosovës për njëzet vjet. Së pari lider ushtarak i UÇK-së, më pas kryeministër (2000-2014), ministër i Jashtëm, e në fund president. Deri në atë 5 nëntor të mallkuar (për të), ditën kur e dorëzoi veten para Tribunalit të Hagës: ai ishte kreu i parë i shtetit në histori që dërgohej prej pallatit të tij presidencial në burgun e Holandës.
Fillimisht dukej si ide e mirë. Thaçi, avokatët e tij dhe bashkëpartiakët kishin menduar se pak javë në burg ishin një çmim i pranueshëm për t’u paguar që Kosova të anëtarësohej në Bashkimin Evropian. Për vite me radhë, në fakt, akuzat e krimeve të luftës ndaj ish-guerilëve anti-serbë e kanë bllokuar procesin e pranimit në BE. Kësisoji edhe partia në pushtet është pajtuar që t’i vë Thaçin me disa prej ish-liderëve të tjerë në gjykim, për t’u përgjigjur për mizoritë e kryera ndaj minoritetit serb gjatë konfliktit që e çliroi Kosovën më 1999 dhe 2000.
Ky gjest, në dukje vetëmohues, i Thaçit dhe Kosovës kishte shërbyer po ashtu si balancë për gjykimin kundër presidentit Sllobodan Millosheviq dhe hierarkisë tjetër serbe, që përfundoi me dënimin e shumë prej tyre për krime lufte (burgim të përjetshëm për Karaxhiqin dhe Mlladiqin), dhe në vetëvrasjen e Millosheviqit në qelinë e tij në Hagë më 2006.
Sidoqoftë, Thaçi nuk i kishte llogaritur dy rreziqe: zvarritjet e drejtësisë ndërkombëtare (akuzat e para të prokurores zvicerane, Carla Del Ponte, për trafikime të organeve nga të burgosurit serbë datojnë prej 2008-s) dhe kokëfortësinë e magjistratëve në Hagë. Për dy vjet, ata ia kanë mohuar mundësinë e mbrojtjes në liri apo qoftë edhe transferimin në një burg kosovar, më afër shtëpisë. Pak muaj më parë, Thaçi, i mllefosur shkaku i vazhdimit të procesit gjyqësor dhe seancave dëgjimore që kushedi se kur fillojnë, e ndryshoi avokatin. Ai mbështetej tek avokatë amerikanë me famë të specializuar. S’kishte asgjë për të bërë: edhe kërkesat e fundit për burgim shtëpiak i ishin refuzuar nga gjykata. E nuk ndihmon as fakti që ndërkohë partia e Thaçit i humbi zgjedhjet në Kosovë.
Kësisoj, një lider shtetëtor evropian, i nderuar në krejt kryeqytetet e kontinentit deri para dy vitesh, lëngon në një qeli në Hagë.
Në realitet, Tribunali Ndërkombëtar për Kosovën është veç njëri nga katër sa janë duke punuar në Hagë. Pak metra matanë është ai për ish-Jugosllavinë, që nuk po merret me gjykime më, por po merret me kryerjen e dënimeve për dhjetëra të dënuar.
Gjykata e tretë është ajo e OKB-së, por në Pallatin e saj të famshëm të Paqes në Carnegieplein, nuk merret me krime individuale: merret me mosmarrëveshjet mes shteteve.
Dhe më së fundi, është edhe Gjykata Kriminale e Drejtësisë, e lindur më 1998, që po gjykon ish-liderë afrikanë (nga Sudani, Afrika Qendrore, Kongoja, Uganda) dhe që për disa javë ka hetuar edhe tre pro-rusë për krime të dyshuara në Gjeorgji gjatë gushtit të vitit 2008. Putini (njësoj si ShBA-ja) nuk e ka lejuar Rusinë që t’i bashkohet kësaj gjykate kriminale të drejtësisë. Prandaj edhe ai, si pro-Perëndimori Thaçi dhe pro-rusi Millosheviq, duhet të gjykohet në gjykatën e shteteve. Por nëse gjërat shkojnë keq për Vlladin e Çmendur, burgu holandez ndoshta do të ishte opsioni më i dëshirueshëm, krahasuar me vdekjen tragjike të Nikolla Çausheskut, Sadram Huseinit apo Muammar Gaddafit.