Mirëpo, shumicën e kohës, sipas supozimeve të Albin Kurtit, kanë vendosur që t’i kriminalizojnë vëllezërit, baxhanakët, nipat, dajat, ose të gjithë së bashku. Sepse pasuria e tyre ishte enorme.
GAZETA EXPRESS
Zona Express, në dokumentarin Shtabi i Milionerëve, ka raportuar për Hashim Thaçin dhe vëllezërit e tij, Sami Lushtakun dhe ortakët e tij, Kadri Veselin dhe ortakët e tij, Rexhep Selimin dhe vëllezërit e tij, Sylejman Selimin dhe vëllezërit e tij, Fatmir Limajn dhe Ramush Haradinaj.
Zona Express e kishte parë të arsyeshme që ta studiojë pasurinë e këtyre komandantëve në kontekst familjar, siç edhe e funksionon kjo shoqëri. Nëse e shikon Hashim Thaçin si individ, si familje të ngushtë, sigurisht që gjëja e parë që të shkon në mendje është mbledhja e një donacioni për të përmirësuar gjendjen e tij financiare. Por kur e zgjeron vetëm pak rrethin, kur aty e fut Ganiun, Blerimin etj, atëherë pasuria e tij merr përmasa rajonale.
E njëjta logjikë vlen edhe për Ramushin, Fatmirin, Kadriun, Samiun, e patjetër edhe për Rexhep Selimin, i cili ka vendosur të ngrejë padi ndaj raportimit të Zona Express.
Sigurisht që kemi qenë të vetëdijshëm për mundësinë e një veprimi të tillë juridik, nga ndonjëri prej protagonistëve. Ata tash janë shumë të interesuar t’iu drejtohen rrugëve ligjore, pasi që fillimisht kanë realizuar pasuri multimilionëshe në rrugë joligjore,
E njëjta logjikë vlen edhe për Selimin, i cili duket sikur më shumë ka nevojë të dëshmojë pastërtinë e tij Lëvizjes Vetëvendosje, se sa qytetarëve të Kosovës. Sepse qytetarët e Kosovës e dinë të vërtetën. E dinë qytetarët e Prishtinës, e dinë qytetarët e Klinës, por edhe ata të Kosovës.
Ai dhe familja e tij kanë marrë pjesë në privatizime skajshmërisht të dyshimta. Kanë fituar tenderë publikë të stisur etj.
Prandaj, Gazeta Express, Zona Express, Leonard Kerquki, i përgjigjet me dëshirë padisë së Selimit, duke shpresuar që drejtësia është e pavarur dhe e pafrikësuar prej Selimit, siç shumë herë kanë qenë organet e rendit.
Sepse Selimi, para kamerave, para miliona qytetarëve, nuk kanë hezituar ta dëshmojë se nuk i përgjigjet ligjit, ose që ligji është tmerrësisht i frikësuar nga ai, siç është nga Thaçi, Veseli, Lushtaku, Haradinaj etj.
Pamjet e policisë duke arrestuar, duke shtyrë, protestuesit, e duke e harruar vetëm Selimin, janë spektakulare. Rezistenca kërcënuese e Selimit para pjesëtarit të Policisë së Kosovës, në Kuvendin e Kosovës, do të futet në histori se si një manual për talljen e shtetit, në formën më publike të mundshme, llajv (live) në të gjitha televizionet tona publike.
Prandaj, përballë Selimit në dyshojmë jashtëzakonisht shumë në pavarësinë e organeve gjyqësore. Dyshojmë shumë në gjykimin e tyre. Jo pse nuk dëshirojnë, por pse frikësohen, siç janë frikësuar policia në rrugë.
Mirëpo, ne nuk dyshojmë në gjykimin e qytetarëve. Në atë proces gjyqësor do të dalë e vërteta faktike.
Ose, me fjalët e Glauk Konjufcës, po në Kuvendin e Kosovës për komandantët:
Ju keni qenë dy vjet komandantë, e 15 vjet biznesmenë.
Së këndejmi z. Selimi: Shihemi së shpejti në gjyqin e shtetit, por edhe në gjyqin e popullit.
Në këto dy instanca do të provojmë të marrim përgjigje prej teje, për këto çështje:
- Si e bleve shtëpinë prej 200 mijë markave, në qendër të Prishtinës, menjëherë pasi u ktheve nga lufta?
- Çfarë kishin të veçantë kompanitë e lidhura me ty, të marrin 22 tenderë, në vlerë prej 30 milionë euro, nga ministria e udhëhequr nga miku yt Fatmir Limaj?
- Me çfarë kritere i jepeshin tenderë bashkëshortes suaj nga Qeveria e Kosovës?
- Gjithashtu, si arriti familja e juaj, vëllai i juaj Ilazi, ta blinte fabrikën gjigante të Silosit në Klinë, duke u hequr nga gara të gjithë ata blerës potencialë?
- Si arriti të depërtonte vëllai juaj, tash Islami, të kishte nën menaxhim dhjetëra lokale te ngrohtorja e Prishtinës?
- Çfarë ndikimi kishe ti që të bliheshin dhjetëra hektarë tokë, me një çmim qesharak, në Malishgan?