Si e kuptoi Ahtisaari planin serbo-rus dhe si e pengoi ndarjen e veriut në vitin 1999?
Ish-ndërmjetësuesi kryesor i Kombeve të Bashkuara për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe ish-presidenti finlandez, Martti Ahtisaari, ka vdekur sot në moshën 86-vjeçare.
Martti Ahtisaari përpos në procesin e Vjenës, me çështjen e Kosovës ishte marrë nga viti 1999, shkruan Demokracia.com.
Libri biografik për Hashim Thaçin, nga autorët britanikë Roger Boyes dhe Suzy Jegger, zbardh një pjesë të historisë dhe angazhimit të Martti Ahtisaarit për Kosovën në vitin 1999. Roli i tij ishte shumë domethënës në pengimin e ndarjes së veriut të Kosovës asokohe.
“Në ditët e fundit të bombardimeve të Serbisë në 1999, Ahtisaari kishte kundërshtuar Sllobodan Millosheviqin fuqishëm. Megjithëse finlandezi kishte krijuar një lidhje të fortë me negociatorin rus Viktor Chernomyrdin, ai kishte një ndjesi të mprehtë sesi nacionalistët serbë, ashtu dhe mbështetësit e tyre rusë, mund të cenonin lirinë e Kosovës menjëherë sapo NATO të humbiste interesimin“, thuhet në librin e autorëve britanikë.
Në këtë libër, për herë të parë janë dhënë disa detaje sesi Ahtisaari e kishte kuptuar planin ruso-serb për ndarjen e veriut.
“Ai kishte vëzhguar sesi rusët shpërndan hartat e tyre në të Ballkanit në tavolinat e pallatit presidencial finlandez, në Sallën e Pasqyrave, dhoma ku dikur pati qëndruar froni i Carit. Ahtisaarit i dukej se rusët mund të kishin farkëtuar një ujdi të fshehtë me serbët për të krijuar sektorin rus në Kosovën veriore. Me gjasa ata ishin të gatshëm ta ndanin atë krahinë. Falë bisedimit të shtruar të Ahtisaarit, Moska kishte pranuar idenë e pranisë së KFOR-it“, thuhet tutje në libër.
Sipas autorëve, pikëpamja e Ahtisaarit ishte se do të kishte qenë më mirë të kishin nxitur pavarësinë e plotë më herët, sesa që e lanë këtë çështje të vështirësohet. /Demokracia.com./