Akademik Rexhep Qosja, ka mbajtur shënime personale për mbi gjysmë shekulli. Ai në librin e tij, dëshmitar në kohë historike, vëllimi 7, ka publikuar ngjarjet e vitit 1990-1998.
Ai me datë 8 mars 1997, në ditarin e tij kishte shkruar edhe për Bujar Bukoshin.
Shumëkush në Kosovë ende nuk e di se është krijuar Ushtria Çlirimtare e Kosovës – UÇK-ja.
Edhe shumë prej atyre që e dinë, që kanë dëgjuar se është krijuar kjo Ushtri, nuk ia dinë mirë emrin.
Njëri prej këtyre është edhe kryeministri i Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshi, i cili, siç po shihet, e di se është krijuar kjo Ushtri, por nuk i di saktë, siç e shkruajnë drejtuesit e saj, emrin: ai këtë ushtri e quan Ushtria për Çlirimin e Kosovës.
Në një bisedë (intervistë) them të shkëlqyeshme që këto ditë ia dha gazetës kroate, Slobodna Dalmacija, Bujar Bukoshi, siç shkruan Bujku, përpos të tjerash, tha:
– Qeveria e Kosovës nuk është në dijeni për ekzistimin e kësaj lloj ushtrie. Mirëpo, nuk do të thotë se kjo ushtri nuk ekziston. Në këtë situatë të terrorit të padurueshëm të shtetit serb mbi shqiptarët në Kosovë, nuk është befasi nëse rinia e Kosovës ka formuar kësolloj ushtrie. Nëse problemi i Kosovës mund të zgjidhet politikisht, atëherë këtë problem duhet zgjedhur urgjentisht.
Në të kundërtën, sipas tij, iniciativën do ta marrë dikush tjetër, rinia e Kosovës, dhe ata që kanë shumë argumente kur thonë se politika jonë paqësore nuk ka dhënë kurrfarë rezultatesh.